Në emër të Kryqit Në emër të Kryqit 

Leksiku papnor-reflektim mbi fjalët e Françeskut. Sot, shprehja “t’i ndotësh duart”…

Nga fjalët e fjalorit papnor, sot zgjodhëm një shprehje, të cilën Papa e përdor vazhdimisht “të ndotësh duart” (Mesha në Shën Martë, më 08. 09. 2018). Shumë aktuale për kohën e Kreshmëve, që të kërkon t’ia zgjatësh dorën të varfërit, edhe kur e di mirë se do ta ndotësh… Në emër të Ringjalljes!

R. SH. - Vatikan

Papa na fton, në emër të Krishtit, “t’i ndotim duart”, në një botë, që dëshiron t’i ketë gjithnjë të pastra, të bardha, me thonj të prerë me kujdes, e edhe me ngjyra… T’i ndotim, duke prekur mjerimin, që bota e sotme nuk e duron dot, ndonëse, paradoksalisht, është e zhytur në mjerim. Në çdo udhëkryq,  ku dhjetra njerëz të shtrijnë dorën …e kërkojnë ndihmë, duke të shikuar në sy, me sytë e tyre lutës, në pritje…

Ti mos ki frikë t’i ndotësh duart, as veshjet, po ndalu e shërbe! – Të kujton Papa, duke të folur në emër të Krishtit! Je i krishterë, e duhet të jesh zemërhapur për të papriturat; të paguash për të tjerët.

Këto ditë Kreshmësh, Zoti të flet  e të kujton:

“Mos e kthe kokën mënjanë, për të mos e parë mjerimin!

 Mos shko tutje: ndalohu, ki mëshirë, ndihmo! Ji samaritan i mirë!

 Prifti i shëmbëlltyrës, që ta kujtoj në Ungjill, mund ta kthejë kokën mënjanë e të niset e të shkojë në punë të vet, pa e kujtuar fare misionin, duke menduar vetëm për orarin e meshës.  E për duart e bardha…

E edhe leviti, “njeriu i kulturës së ligjit”.

Po ti mos e bëj asnjë hap para, përballë pamjeve të tilla!

Mos u bëj si funksionarët që, duke e ditur fare mirë se u takon të ndalohen, thonë: “Nuk na takon ne ta ndihmojmë të plagosurin”.

Ndaloju pranë njeriut gjysëm të vdekur, shpërvjeli mëngët. Pa çka se do ndotesh i tëri me gjakun e plagëve të të flakurit në rrugë të madhe! Sepse e di ç’do të thotë të kesh mëshirë. Lëri punët tuaja. Nga i largët, bëju i afërt për njeriun, që po i del shpirti skutash. Afroju, lidhja plagët! Ndoti duart, njollosi petkat.  Mos i thuaj: “Tashti po të lë këtu. Ndërsa unë po shkoj! E bëra timen”. Jo, mos shko! Vijo të kujdesesh për të, si të doje t’i thoshe: “Tani ti je imi, jo për të më shërbyer, por për të të shërbyer”.  

Por, a je gati t’i ndotësh duart? Apo mjaftohesh me meshën e të dielës, ku shkon me duar të pastra. Sepse nuk të pëlqen t’i ndotësh. Mrekullohesh përballë dëshmisë. Po nuk je  i aftë të japësh dëshmi!

Ndoti duart për mua, këto ditë Kreshmësh, kur unë i kam të mbërthyera me gozhda mbi drurin e kryqit - të kujton Krishti! Pastaj do të vijë dita kur do t’i ndot përsëri unë, me baltën  e varrit  ku fle, që do ta flak tutje, ditën e ringjalljes sate,  të Pashkëve tua!”.

24 mars 2019, 12:15