Njeriu përballë gjykimit të Zotit Njeriu përballë gjykimit të Zotit 

Leksiku papnor-reflektim mbi fjalët e Françeskut. Sot, shprehja “zemërimi i Zotit” …

Nga fjalët fjalorit papnor, sot zgjodhëm një shprehje, të cilën Papa e përdor tejet rrallë, kur Zoti zemërohet. Është pikërisht “zemërimi i Zotit”. E kujtoi vetëm pak ditë më parë në Meshën e kremtuar në Shën Martë (01. 04. 2019), në prag të Kreshmëve.

R. SH. - Vatikan

Është një enumeracion urdhërash, jo porosish, si zakonisht në Meshët e Atit të Shenjtë:

Mos thuaj: “Mëshira e Zotit është e madhe, do t’m’i falë të gjitha mëkatet!”. E kështu  do të endem pa fre në orgjitë e kësaj bote! Mos thuaj kështu. E mos prit gjatë, po bëj kthesë, pendoju sa më shpejt. Sepse çka nuk e sjell dita, e sjell sekondi.

Mos e shtyj ditë më tjetrën pendesën, sepse zemërimi i Zotit mund të shpërthejë pa pritur e pa kujtuar!

E dimë si u lindëm, por asnjëri nga ne nuk mund ta dijë si do t’i vijë fundi.

Shfletoje librin e Siraçidit, e aty do të lexosh:

“Mos u mbështet mbi pasuritë tuaja;

mos thuaj: “Më mjaftojnë”.

 Mos  iu nënshtro instinktit tënd, e as dëshirave tua,

duke i kënaqur veç ëndjet e zemrës sate.

 Mos thuaj: “Kush do të më sundojë?”.

Sepse Zoti s’vonon e  të vjen ndeshkimi i Tij!

 Mos thuaj: “Mëkatova, po ja ku jam!”,

sepse Zoti është i durueshëm.

 Mos të jesh tepër i sigurt për falje,

aq sa të bësh mëkat përmbi mëkat.

 Mos thuaj: “Mëshira e tij është e madhe;

e do të m’i falë të gjitha  fajet”,

sepse  pranë tij është mëshira

por edhe zemërimi,

e pezmatimin do ta shfrejë përmbi mëkatarë.

 Ktheju në rrugë të Zotit, mos vono,

ditë më tjetër mos e shtyj,

sepse pa pritur mund t’i shpërthejë zemërimi

e në kohë të ndeshkimit, do të bëhesh hi e pluhur.

 Mos u mbështet mbi pasuri të padrejta,

nuk vlejnë asgjë  përpara mërisë së Zotit.

 Mos e hidh farën në  të katër erërat që fryjnë

e mos ndiq çfarëdo rruget

ashtu si bën mëkatari me dy faqe.

S’ duhet ta shpërdorosh mëshirën hyjnore (Sir 4. 1-9)

Mos u josh, prandaj, pas parave! Vëllait tënd mos i zër pritë! Mos e shit për para! E nëse ke shtënë në dorë pushtetin, mos beso se mbahet vetëm me lot e me gjak!

Mos e ndiq instiktin tënd, forcën tënde, duke iu bindur pasioneve të zemrës. Nëse nuk je në gjendje t’i sundosh, do të të sundojnë. Ndalu, para se të ngadhënjejnë mbi ty. E mos beso se mëshira e Zotit është e pakufishme, se ai i Lumi duron pambarimisht e nuk zemërohet përballë asnjë flligshtie. Jo! Edhe Zoti zemërohet.

Nise, prandaj, sot udhën e pendesës, sepse nesër do të jetë vonë! Mos prit të lindë agimi i ri. E dimë se erret, po nuk e dimë nëse do të agojë!

Sepse nuk jemi aspak të sigurt si e kur do të trokasë ora e fundit.

Mjaftojnë vetëm pesë minuta në perëndim të ditës, për të menduar se ka edhe një fund në jetë. E ka edhe një orë, kur Zoti zemërohet e nuk të fal më. Është ora kur nuk mund të bësh më kthesë! Sepse nuk qe në gjendje t’i sundosh pasionet tu!

Po në se bën kthesë, vetë dora e Zotit do të jetë mbi kokën tënde. E do të të shpëtojë ty, fenë tënde e atdheun tënd!

16 mars 2019, 15:58