Kërko

 Zoja me Krishtin Fëmijë Zoja me Krishtin Fëmijë 

Leksiku papnor-reflektim mbi fjalët e Françeskut. Sot, “Një histori dashurie…”.

Në botën e joshur nga një mori dëshirash, njeriu e kërkon me etje lumturinë: në dashuri, në pasuri, në politikë… duke e harruar Autorin e jetës së secilit prej nesh: jetë, që është “histori dashurie”

R. SH. - Vatikan

Jezusi është autori i jetës! I jetës së universit. E i jetës sonë. Jeta, që na dhuron, është histori dashurie. Dëshiron të shkrihet me tonën e t’i shtrijë rrënjët në  tokën e secilit. Kjo jetë nuk është shpëtim i varur ndër re. Nuk është pikë shiu, që bie nga qielli, në tokën e rreshkur për ujë. As “aplikim”, për t’u zbuluar, a ushtrim mendor, fryt i gjithëfarë teknikash.

E nuk është as tutorial, leksion në rrjet, që na ndihmon ta kuptojmë të renë më të fundit…

Shpëtimi, që na dhuron Zoti, është ftesë për të marrë pjesë në një histori dashurie -  e cila gërshetohet me historitë tona; dëshiron të lindë ndër ne, për të dhënë fryt aty ku jemi, ashtu si jemi e me ke jemi.

Aty vjen vetë Zoti për të mbjellë - e për t’u mbjellë, në historinë tonë.  

Dëshiron të na befasojë, si befasoi Marinë, kur e ftoi të marrë pjesë në këtë histori dashurie.

Vasha e Nazaretit nuk kishte kurrfarë fame. Nuk e njihte askush, përveç  bashkëfshatarëve. Nuk dukej në rrjetet shoqërore të kohës së vet. Nuk ishte politikane, parlametare, artiste me jetë të bujshme. As shpikëse, as zbuluese  e njohur. Nuk kishte fituar asnjë çmim. Nuk ndikonte mbi jetën e askujt - veç asaj të familjes së vet, edhe ajo fare e panjohur. Nuk kishte pikë dëshire të largohej nga Nazareti, për ta kërkuar lumturinë në troje të tjera,   thjesht për kureshtje, për të parë vise të huaja e për të dëgjuar gjuhë të huaja, duke humbur kot kohën, që i duhej për gjëra të tjera - të thjeshta, si ajo vetë. Emri i saj nuk shkruhej në enciklopedinë e madhe, hartuar nga mendja njerëzore.

Nuk kishte, as nuk kërkonte famë. E pra, krejt pa dashur, u bë gruaja, që ndikoi më shumë se askush tjetër mbi historinë e njerëzimit. Emri Mari  u shkrua i pari në Librin e madh të Zotit. Sepse ajo, pa lejuar që ndokush t’ia frynte në shpirt dyshimin, ia shtypi kokën gjarpërit nën thembër. E lidhi përmjetin me ylberin, shenjë pajtimi ndërmjet Zotit e njeriut. Besoi në dashurinë e në premtimet e Tij - e vetmja forcë e aftë për t’i bërë të reja të gjitha sendet! E ngadhënjeu! Duke na hapur rrugën, për të nisur historinë e dashurisë sonë…

03 mars 2019, 10:56