Cerca

Vatican News
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme  (AFP or licensors)

“L’Osservatore Romano” për Papën: “Mjek familjeje mbi kryet e një bote të sëmurë rëndë”

Editorial i drejtorit të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda, për të kremtuar gjashtë vjetët e papnisë së Jorge Mario Bergoglio-s.

R.SH. - Vatikan

Papa, “mjek i botës”, në ndihmë të vazhdueshme për njerëzimin “e sëmurë rëndë”. Drejtori i gazetës së Vatikanit “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda, përdor këtë figurë për të kujtuar 6-vjetorin e papnisë së Françeskut, që kremtohet sot.

Mjeku i familjes

         “Nëse e shohim Papën – shkruan Monda – mund të vërejmë figurën e një mjeku, të një famullitari-kujdestari, të atij, që kujdeset për shpirtin dhe për trupin e deleve të grigjës, që i është besuar, duke u përzier me to deri sa t’ua ndiejë e t’ua marrë erën. Françesku niset e udhëton në të gjithë botën, i armatosur vetëm me atë valixhe të vogël, që mban me vete. Duket si mjek, që shkon në çdo shtëpi, për të dhënë terapinë e nevojshme. E nuk është mjek i çfarëdoshëm, as mjek specialist, ekspert vetëm në një sektor të mjekësisë, jo, Françesku është mjeku i familjes”.

Papa vepron me urgjencë

         Drejtori i së përditshmes së Selisë së Shenjtë kujton edhe një mbiemër-simbol të papnisë: “urgjent. Françesku nuk ndalet, vrapon pa pushim mbi kryet e shtretërve të kësaj bote të sëmurë rëndë. E nuk bën dallime ndërmjet të sëmurëve, e di se e gjithë bota vuan e se ai është kreu i Kishës, i këtij spitali të madh fushor, që nuk mund të marrë ditë pushimi. Terapia duhet të jetë gati, e shpejtë, duhet ndërhyrë para se gjendja të gangrenizohet”.

Ati i Shenjtë dëgjon pulsin e botës

“Procedura e tij njihet tashmë: sapo mbërrin i kontrollon pulsin të sëmurit. Edhe kur sëmundja ka arritur zemrën, ai dëgjon pulsin, në dukje mjaft larg, por kështu bëhet për të kontrolluar qarkullimin e gjakut e pra, edhe zemrën: nuk shkohet në qendër, por në periferi. E kështu, Papa na shpjegon se periferia është qendër, e se duhet filluar prej saj. Pas analizës, vjen diagnoza: sklerozë kardiake, udhët e qarkullimit janë zënë nga një sëmundje e keqe, nga i Ligu, që duhet luftuar e nënshtruar. E pas diagnozës, terapia”.

Fjala kyçe e papnisë: mëshira

“Në këtë skenar dramatik, ky famullitar-kujdestar i vogël (ndoshta fshati, siç do të dëshironte Bernanos – autor i librit “Ditari i një famullitari fshati”) e di ç’duhet. Këtu, kemi nevojë për lutje e sidomos, për një ilaç të jashtëzakonshëm: mëshirën. Kjo është fjala e këtyre gjashtë vjetëve të papnisë së Françeskut, fjalë e madhe, e zjarrtë, që akoma duhet të mësojmë si ta përdorim, por që përmes terapisë së Atit të Shenjtë, mjek i botës, mund ta bëjmë tonën e sidomos, t’ua kthejmë njerëzve për një qarkullim më të shëndetshëm, më të natyrshëm, më human”, e përfundon editorialin Andrea Monda, drejtor i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.

13 mars 2019, 12:44