Cerca

Vatican News
 Papa në brigjet e Jordanit Papa në brigjet e Jordanit  

Françesku: uji nuk duhet të jetë thjesht mall, është e drejtë për të gjithë

Në mesazhin për Ditën e sotme botërore të ujit, Françesku pohon se kjo pasuri duhet t’u përkasë të gjithëve, si e drejtë themelore, që duhet respektuar, mbasi vë në lojë jetën dhe dinjitetin e njerëzve.

R. SH. - Vatikan

“Uji është pasuri kryesore për ekuilibrin e ekosistemeve dhe për mbijetesën  njerëzore, prandaj duhet përdorur me kujdes, që të mos ndotet ose të humbasë më kot”. Këtë nënvizon Papa në mesazhin për ditën e sotme botërore të ujit, përqendruar tek tema: “Ujë për të gjithë; asnjeri të mos mbetet pa të”,  themeluar nga Kombet e Bashkuara. Me rastin e kësaj dite, Papa shkroi edhe një tweet: “Ta falënderojmë Zotin për vëllain ujë, element aq i thjeshtë e i çmuar, e të angazhohemi të mos i mungojë askujt”.

Padrejtësi, që duhen shndërruar në drejtësi

Thatësira e planetit - vëren Ati i Shenjtë në mesazh - vijon të shtrihet në zona të reja e t’u shkaktojë vuajtje të mëdha popullsive të këtyre tokave, që mbeten pa burimet e nevojshme të ujit për konsum. Të mos e lësh askënd pa ujë - shkruan Françesku - do të thotë të angazhohesh për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie. Puna e përbashkët - shpjegon më pas - është themelore  për ta çrrënjosur këtë të keqe, nga e cila vuajnë shumë nga vëllezërit e motrat tona. Duhen bashkuar forcat në kërkim të së mirës së  përbashkët, duke parë në tjetrin, një fytyrë konkrete. Vetëm përmes kësaj përpjekjeje - lexohet akoma në mesazh - masat e marra do të kenë shijen e takimit e aftësinë për t’iu përgjigjur një padrejtësie, që duhet të marrë fund.

Të edukohen breznitë e reja  

Të mos e lësh askënd mbrapa - shton Papa - do të thotë të jesh i vetëdijshëm se duhen dhënë përgjigje konkrete: jo vetëm përmes mirëmbajtjes ose përmirësimit të strukturave hidrike, por edhe duke investuar në të ardhmen, duke i edukuar breznitë e reja për ta përdorur e për të pasur shumë kujdes për ujin. Ky vetëdijësim - nënvizon akoma Françesku - është përparësi në një botë, ku gjithçka hidhet e përbuzet e, në shumë raste, edhe nuk kuptohet rëndësia e burimeve, që i kemi në përdorim.

Sfida edukative

Breznitë e reja janë të thirrura - së bashku me gjithë banorët e Planetit – ta vlerësojnë e ta mbrojnë këtë pasuri. Është detyrë - nënvizon Françesku -  e cila nis me vetëdijen e njerëzve që pësojnë pasojat e pashmangshme të ndryshimeve klimaterike si dhe të gjithë atyre, që janë viktima të një apo më shumë formave të shfrytëzimit e të ndotjes së ujërave. Kjo sfidë edukative - shkruan akoma Papa - bën të lindë një vizion i ri për këtë pasuri, duke formuar brezni të reja, që dinë t’i vlerësojnë e t’i duan pasuritë e Tokës.

Krijues të së ardhmes

Jemi të gjithë krijues të së ardhmes e bashkësia ndërkombëtare - përfundon Françesku - po investon në të nesëmen e planetit tonë. Kjo vendosmëri do të na ndihmojë “të mos e pranojmë vizionin, që synon ta shndërrojë ujin thjesht në mall, të varur vetëm nga ligjet e tregut”.

22 mars 2019, 15:34