Kërko

Françesku: “U bëftë vullnesa jote!”, lutje guximtare e njeriut, që beson se Zoti është Atë.

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, Papa Françesku komentoi thirrjen e tretë të Atynës, duke shpjeguar se ajo hamendëson besimin në planin e shëlbimit të Zotit, për secilin prej nesh e për të gjithë. Nuk është lutje skllevërish, por bijsh, që i drejtohen Atit!

R. SH. - Vatikan

“Letra  e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Timoteut, cituar në fillim të audiencës së përgjithshme, këshillon që Atynën ta thonë të gjithë, e posaçërisht, ata që kanë përgjegjësi të veçanta. Kjo është gjë e bukur e edhe e pëlqyer para syve të Zotit, shëlbuesit tonë, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtojnë e të  mund ta njohin të vërtetën”. Nga kjo siguri u nis edhe reflektimi i Papës Françesku në katekizmin kushtuar sot thirrjes së tretë të Atynës, që vjen pas “U shenjtëroftë emri yt” dhe “Ardhtë Mbretëria jote”- domethënë “U bëftë vullnesa jote!”.

Zoti kujdeset i pari për njeriun

Shprehja “U bëftë vullnesa jote!”, hamendëson besimin në një Zot, që kujdeset gjithnjë për njeriun e për botën. Në një Zot, që u vu i pari në kërkim  të njeriut - pohoi Papa - siç na  tregon episodi ungjillor i Zakeut, të cilit, në fund, Jezusi i thotë: “I biri i njeriut erdhi për të kërkuar e për të shpëtuar çka ishte e humbur”. E Françesku, duke folur lirisht shtoi:

“A e keni menduar ndonjë herë ç’do të thotë ‘Zoti mendon për mua?’. Secili mund ta pyesë veten: ‘edhe mua më kërkoka Zoti?’- ‘Po, edhe ty! Të kërkon ty e më kërkon edhe mua! Na kërkon të gjithë’”.

Vullneti i Zotit për botën është pozitiv, mirëdashës

Dashuria e Zotit është personale. Ai, para së gjithash ka një plan shëlbimi për të gjithë, për secilin e, pastaj, për tërë botën:

“Zoti nuk është i dykuptimtë, nuk fshihet pas enigmave, nuk e planifikoi  ardhmërinë e botës në mënyrë të padeshifrueshme. Jo! Ai është i qartë. Nëse nuk e kuptojmë, rrezikohemi të mos e kuptojmë  as  shprehjen e tretë të Atynës. E nuk duhet harruar se Bibla është përplot me shprehje, që vënë në dukje vullnetin pozitiv, mirëdashës të Zotit për botën”.

Nuk jemi skllevër, por të lirë e bij

Parë në këtë dritë, Papa sqaroi se duke u lutur që të bëhet vullnesa e Zotit, ne nuk jemi aspak të thirrur ta ulim me servilizëm kokën, si të ishim skllevër. Përkundrazi: jemi të thirrur t’i drejtohemi si bij, me besimin e plotë se është Atë e na do. Madje - saktësoi Papa - “Mjerë ne nëse, duke i shqiptuar këto fjalë, do të ngrinim shpatullat në shenjë dorëzimi në duart e një fati, që  nuk na pëlqen aspak”. Atyna është edhe ftesë për të vepruar:

“Lutje guximtare, edhe luftarake, sepse në botë ka shumë, tepër realitete, që nuk përkojnë aspak me planin e Zotit. E dimë të gjithë. Duke parafrazuar Izainë Profet, mund të themi: ‘Këtu, o Atë, ka luftë, ka shpërdorime të hatashme. Ka shfrytëzim. Ka gjithë të zezat! Por ne e dimë  se Ti e do të mirën tonë, prandaj të lutemi: ‘U bëftë vullnesa jote!’. Përmbysi, o Zot, planet e botës, shndërroi shpatat në plore e heshtat në drapërinj, që askush të mos ushtrohet më në artin e luftës! Sepse Zoti do paqen!”.

I krishteri beson se Zoti e mund të keqen me të mirë

“Atyna” na fton ta duam vullnetin e Zotit, ashtu si bëri Jezusi e na shtyn ta shndërrojmë botën me dashuri. I krishteri nuk beson në një ‘fakt të pashmangshëm” - vijoi Françesku - ai e di se ka një shpëtim, në pritje që të bëhet i dukshëm. Nëse besojmë se Zoti mund e dëshiron të fitojë mbi të keqen me të mirë, atëhere ka kuptim të plotë të lëshohesh i tëri në dorë të tij,  edhe në orën e provës më të vështirë”.

E Papa kujtoi, në vijim, përvojën e Jezusit në Kopshtin e Gjetsemanit, kur, i kapërthyer nga ankthi, i shtypun nga barra e padurueshme e së keqes së botës, nuk tha 'U bëftë vullnesa ime', por, 'jotja', duke u lëshuar i tëri, plot besim, në krahët e Atit”:

“Zoti, për dashuri, mund të na  çojë edhe në shtigje të thepisura, mund të na bëjë të provojmë plagët e gjembat, që gjakosin e shpojnë, por nuk mund të na braktisë kurrë. Është gjithnjë me ne, pranë nesh, brenda nesh. Për besimtarin, kjo, më shumë se shpresë, është siguri: Zoti është kurdoherë me mua!”.

Sheshi thotë njëzëri Atynën

Zoti na do fort - pohoi akoma Papa e, në përfundim të katekizmit u propozoi gjithë besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në audiencë, ta thonë të gjithë me të, “Atynën”, secili në gjuhën e vet, një mënyrë për ta jetuar menjëherë lidhjen besimplote ndërmjet Atit e bijve, që është në zemër të kësaj lutjeje.

 E besimtarët iu përgjigjen, duke e shoqëruar, në kor, me një simfoni të vërtetë gjuhësh! Aq sa të dukej sikur e gjithë bota ishte aty, duke iu lutur Atit për ditë më të mira, por gjithmonë plot besim në vullnesën e Tij”.

20 mars 2019, 14:09