Kërko

 Marok Rabat: katedralja në pritje të Papës Marok Rabat: katedralja në pritje të Papës 

Papa në Marok: sot dialogu me Islamin e takimi me emigrantët

Në orën 14.00 avioni me të cilin Papa shtegton drejt Marokut, do të ulet në aeroportin e Rabatit. Më pas Françesku do të takohet me popullin maroken në Sheshin e Kullës Hassan dhe do të vizitojë Mauzoleun e Mbretërve si dhe Institutin për formimin e hoxhëve, themeluar nga mbreti Mohammed VI për t’iu kundërvënë fundamentalizmit islamik. Videomesazhi i Françeskut u transmetua nga TV e Shtetit.

R. SH. - Vatikan

Kulla Hassan II mban emrin e mbretit të Marokut, vdekur më 1999. Ishte ai që, më 1999, më se 33 vjet më parë, pati pritur, në Casa Blanca, Gjon Palin II, Papa i parë që i vizitoi këto troje. Me 44 metrat e lartësisë së saj, Kulla sundon mbi sheshin, që mbart emrin e Mbretit, në zemër të Rabatit, kryeqytet i mbretërisë. “Këtu do të kemi festë të madhe sot - tregon një taksist, mysliman, si 99% e marokenëve - sepse Papa do të takohet me popullin”. Shpreh, kështu, me dy fjalë, atmosferën e ngarkuar me gëzim e përzemërsi, që ndjehet fort në Aeroportin Rabat-Salé ku, në orën 14.00,  do të zbrezë Papa Françesku,

Videomesazhi i Papës, në të cilin i quan myslimanët vëllezër, në një botë që ka shumë nevojë për paqe e vëllazërim, u transmetua në televizionin e shtetit me nëntituj në arabisht e “shumë miq myslimanë - sipas rojtarit françeskan të Marokut, atë Manuel Corullòn, përgjegjës për liturgjinë e vizitës - i vlerësuan lart fjalët e Françeskut”.

Gazetat e Rabatit theksojnë se kjo vizitë bëhet nën shenjën e dëshirës për të jetuar së bashku. E tregon turma prej rreth 50 mijë vetësh që është mbledhur tashmë në aeroport, për ta pritur Papën. Pas takimeve të para, vizitës të Mauzoleut të Mbretërve dhe Institutit për formimin e hoxhëve, Papa  do të presë 60 emigrantë, në Selinë e Karitasit maroken.

30 mars 2019, 11:54