Kërko

Atentati në Zelandën e Re: Papa lutet për vëllezërit myslimanë

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së Dieleje të dytë të Kreshmëve, Françesku i ftoi besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, të bashkohen me të në lutjen për viktimat e masakrës së Christchurch, në Zelandën e Re. Ndërkaq, kryeministrja neozelandeze Ardern, njoftoi se do të marrë masa shtrënguese lidhur me përdorimin e armëve.

R. SH. - Vatikan

Mendimi i Papës u rikthye sot, në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, tek masakra e së premtes së kaluar në dy xhami të Christchurch, në Zelandën e Re, ngjarje tragjike për të cilën, në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, pati shprehur  ngushëllimet dhe trishtimin e tij thellë. “Në këto ditë, dhimbjes për luftërat e konfliktet, që nuk pushojnë s’e trondituri mbarë njerëzimin - tha këtë të diel të Kreshmëve Ati i Shenjtë - i shtohet edhe kjo për viktimat e atentatit të tmerrshëm kundër dy xhamive në Christchurch”.

Lutja për vëllezërit myslimanë

“Lutem për të vdekurit e të plagosurit dhe familjarët e tyre – shtoi Françeku - e jam shumë pranë vëllezëve myslimanë dhe gjithë bashkësisë. Përsëris ftesën  e bashkimit në lutje e në gjeste paqeje, për t’iu kundërvënë urrejtjes e dhunës”. Papa, më pas, e ftoi sheshin të bashkohej, në heshtje, “në lutjen për vëllezërit myslimanë, që humbën jetën”,

Bilanci i atentatit, 50 të vdekur

Ndërkaq ka arritur në 50, numri i të vdekurve të sulmit, kryer nga australiani 28 vjeçar, Brenton Tarrant. Në spital mbeten 36 vetë të tjerë, dy nga të cilët, në gjendje kritike. Tarant, që dje doli para gjykatës për herë të parë, është në burg, ndërsa dy persona të tjerë, të arrestuar, u liruan sepse nuk kishin të bëjnë me atentatin.

Kryeministrja Ardern do të rishikojë ligjin mbi armët

Pas sulmit terrorist, kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern, përsëriti premtimin për ndryshimin e ligjit mbi armët e zjarrit. Mbi këtë problem, kabineti i saj do të diskutojë që nesër.

Irani kërkon një mbledhje urgjente të Oic

Atentati ka prekur thellë edhe diplomacinë e botës islamike. Ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif kërkoi organizimin e një takimi urgjent të Organizatës së bashkëpunimit islamik (Oic), për të diskutuar lidhur me sulmin terrorist në Zelandën e Re. Në një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, me cilësinë e kryetarit të sotëm të Oic, e njoftoi për ngjarjen dhe i nxiti shtetet myslimane të mbajnë qëndrim të njëzëshëm kundër këtij sulmi.

17 mars 2019, 16:12