Papa Françesku dhe abati Bernardo Francesco Maria Gianni Papa Françesku dhe abati Bernardo Francesco Maria Gianni 

Abati, në ushtrimet shpirtërore: “Bergoglio na mëson të shkojmë përtej kufijve”

Kujtimi i gjashtë viteve të papnisë së Jorge Mario Bergoglio-s, në ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries Romake, që po mbahen në Ariccia.

R.SH. - Vatikan

Papa e feston me lutje 6-vjetorin e papnisë, që kremtohet sot. Në Ariccia, gjatë ushtrimeve shpirtërore me Kurien Romake, abati Bernardo Francesco Maria Gianni, duke lënë mënjanë për një çast meditimin e paradites, e falenderoi Atin e Shenjtë për impenjimin e tij në krye të Kishës Katolike.

         “Besoj – pohoi abati, udhëheqës i ushtrimeve shpirtërore – se me të vërtetë, Papa ynë na mëson të shkojmë përtej; u kujton burrave dhe grave të kohës sonë t’i respektojnë kufijtë, por sidomos, me forcën e Shpirtit Shenjt, t’i kapërcejnë ata, sepse zemra e njeriut nuk ka kufij. Këtë na e kujton çdo ditë, me besnikëri të patundur ndaj Ungjillit”.

         Duke iu kthyer meditimit kreshmor, abati olivetan e përqendroi vëmendjen në dinjitetin e njeriut në Eukaristi: “Jemi të thirrur të themi diçka të re për dinjitetin e çdo burri, të çdo gruaje, sidomos për dinjitetin e më të varfërve, të njerëzve që, për shkak të fatkeqësive që përjetojnë, besojnë tashmë se horizonti i tyre përbëhet vetëm nga mungesa e nevoja. Ndërkaq, Eukaristia zgjon edhe në ta e sidomos, për ta, vetëdijen se janë krijuar jo për nevoja, por për dëshira të vërteta”.

13 mars 2019, 17:08