Kërko

 8 mars: Dita Ndërkombëtare e Gruas 8 mars: Dita Ndërkombëtare e Gruas 

Papa Françesku: Gruaja është ajo që e lind, e mëkon, e ruan jetën.

Sot, 8 mars, festa e gruas, na lind natyrshëm pyetja: “Po Papa, ç’mendon për gruan?”

R. SH. - Vatikan

Sot, 8 mars, festa e gruas, na lind natyrshëm pyetja: “Po Papa, ç’mendon për gruan?”:

Për Françeskun, “Gruaja është ajo, që e bën të bukur botën! Ajo që e lind, e mëkon, e ruan jetën. Gruaja është përqafimi që të pushton përjetë. Është guximi, për t’u dhuruar plotësisht. Paqja është grua! E grua është edhe vetë Kisha.

Për ta kuptuar gruan, duhet ta ëndërrosh: ja pse gruaja është “dhurata  e madhe e Zotit”, e aftë për të “sjellë harmoni në gjithësi”.

E është aq, sa me një çikje poetike plot ngrohtësi, Ati i Shenjtë pohon: “Më pëlqen të mendoj se Zoti e krijoi gruan, që të gjithë të kishim një Nënë”.

Himn i vërtetë, ky që Papa i kushtoi gruas në një Meshë, kremtuar më 9 shkurt, në Shtëpinë e Shën Martës.

Është gruaja - pati kujtuar akoma në atë Meshë - që na mëson të ledhatojmë, të duam me gjithë shpirt. Është ajo, që e bën botën të bukur. Mjerane do të ishte bota pa të. Prandaj, nëse shfrytëzimi i njerëzve është faj i rëndë, të shfrytëzosh gruan është shumë më tepër sesa faj: është krim i shëmtuar. Të shfrytëzosh gruan, do të thotë të shkatërrosh harmoninë, që i dhuroi Zoti botës. Do të thotë të kthehesh mbrapshtë…

Kështu Papa, që u kthye pas në kohë, për të kujtuar rrëfimin mbi krijimin e botës. E të njeriut. Kur Zoti shestoi njeriun - kujtoi - u krijua përshtypja se krijimi kishte marrë fund, aq sa Hyji pushoi. Por, nësa pushonte, iu duk se mungonte diçka. Dhe e kuptoi ç’duhej të bënte: “Nuk është mirë që burri të jetë vetëm. Duhet t’i bëj një ndihmë, që të përkojë me të - lexohet në Librin e Zanafillës.

E Zoti krijoi gruan… E krijuar kështu, gruaja ka një pasuri që nuk e ka as burri e as gjithësia. Ka shumë poezi në krijimin e saj, prej këndej, edhe në figurën e asaj, që sjell dashurinë në botë- pohon Papa.

Po Françesku nuk mjaftohet me pikturimin poetik të portretit të gruas. Sot, në Festën e gruas, duke u takuar me përfaqësuesit e “American Jewish Committee”, nuk harroi të kërkonte “t’i krijohet hapësirë gruas, për një ardhmëri më të mirë”.

08 mars 2019, 13:59