24 orë për Zotin. Papa në meshë: Hyji na mëshiron për të na kthyer në rrugë të drejtë
R.SH. - Vatikan
Filloi sot, me meshën e kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, nisma “24 orë për Zotin”, traditë e themeluar nga vetë Ati i Shenjtë. Të gjitha kishat janë të hapura për t’u lejuar besimtarëve të rrëfehen e të pajtohen me Zotin.
Në edicionin e saj të gjashtë, sivjet, kjo nismë ka si moto një frazë nga Ungjilli i Shën Gjonit: “As unë nuk të dënoj” (Gjn 8,11). Është zgjedhur kjo temë, për të nënvizuar faktin se asnjeri, që pendohet para Zotit, nuk duhet të gjejë një gjykatës në rrëfyestore, por një atë të mëshirshëm, që e ngushëllon dhe i tregon rrugën për t’u ndjekur. Edhe vetë Papa u rrëfye e rrëfeu 11 besimtarë.
Homelia e Papës: mëkatarja dhe Krishti i mëshirshëm
Homelinë e tij, Papa Françesku e përqendroi në një frazë, marrë nga shën Augustini: “Mbetën vetëm ata të dy: mjerania dhe mëshira”. Komentoi kështu Ungjillin e sotëm, ku flitet për Krishtin, që fal gruan mëkatare, të cilën deshën ta vrisnin me gurë. Duke shpjeguar sa i fortë është mëkati dhe si mund t’i bëhet ballë, Ati i Shenjtë nënvizoi se secili prej nesh ka nevojë që me të të mbetet dikush si Krishti, i cili, edhe kur të gjithë ikën, ndenji me mëkataren, me mjeranen e penduar. Kemi nevojë për vështrimin e Tij të dhembshur. “Le të kërkojmë sot hirin për një vështrim të ngjashëm me atë të Jezusit – tha Papa – le të lutemi për inkuadrimin e krishterë të jetës”, në të cilën, para se të shohim mëkatin, të vështrojmë me dashuri mëkatarin; para se të vërejmë gabimin, të kujdesemi për atë që gabon e, para se t’ia gjykojmë historinë, të shohim njeriun.
E keqja është e fortë, por Zoti edhe më shumë
Papa Françesku përshkroi më pas mënyrën më të mirë për ta mundur të keqen e mëkatin. “E keqja është e fortë, ka pushtet joshës: tërheq, magjeps. Për të hequr dorë prej saj, nuk mjafton angazhimi ynë, duhet një dashuri më e madhe. Pa Zotin, nuk mund të fitojmë mbi të keqen: vetëm dashuria e Tij na përtërin nga brenda, vetëm butësia e Tij, e derdhur në zemër, na bën të lirë. Nëse duam të çlirohemi nga e keqja, duhet t’i lemë hapësirë Zotit, që fal dhe shëron. Dhe e bën këtë, sidomos, përmes sakramentit, që do ta kremtojmë pas pak. Rrëfimi është kalimi nga mjerimi në mëshirë. Zoti shkruan në zemrën tonë. Aty lexojmë sa herë jemi të çmuar për sytë e Hyjit. Ai është Ati, që na do më shumë sa e duam ne veten”.
Të mos dyshojmë për vlerën e Rrëfimit
E sa herë që kemi dyshime për vlerën e Rrëfimit e për mundësinë që Zoti të na falë prapë e prapë, pa pushim, Ati i Shenjtë na bën të mendojmë me këto fjalë: “Falja e Zotit nuk është fotokopje, që riprodhohet identikisht sa herë kalojmë në rrëfyestore. Marrja e faljes së mëkateve nëpërmjet meshtari është përvojë gjithmonë e re, origjinale dhe e paimitueshme… Mund të na vijë edhe një dyshim: ‘rrëfimi është i kotë, gjithmonë bëj të njëjtat mëkate’. Por Zoti na njeh, ai e di se lufta e brendshme është e vështirë, që ne jemi të dobët dhe të prirur të biem në mëkat, shpesh përsërisim të njëjtat gabime. E na propozon të fillojmë të përsërisim po ato të mira, duke kërkuar mëshirë. Ai do të na rimëkëmbë dhe do të na bëjë krijesa të reja. Le të nisemi sërish nga Rrëfimi, le t’i kthejmë këtij sakramenti vendin që meriton në jetën dhe baritorinë tonë!”
Në këtë ditë, karakterizuar nga adhurimi eukaristik, reflektimi dhe ftesa për kthim kah Zoti, kundrohet fytyra e Krishtit, që na jep si dhuratë mëshirën e Tij për një jetë të re. Ashtu siç i tha mëkatares: “Shko, por mos mëkato më”.