Kërko

VENEZUELA-US-CRISIS-SIGNATURE-CAMPAIGN VENEZUELA-US-CRISIS-SIGNATURE-CAMPAIGN 

Venezuela: Papa dëshiron të verifikojë vullnetin e të dyja palëve

Për krizën në Venezuelë e ndërmjetësimin e mundshëm të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku dëshiron të verifikojë vullnetin dhe qëllimet e të dyja palëve. Edhe Kisha venezuelase - e cila ngul këmbë për zgjidhje paqësore - është gati të ndërhyjë.

R.SH. - Vatikan

"Ati i Shenjtë ia ka rezervuar gjithmonë vetes të drejtën për të verifikuar vullnetin e të dyja palëve, duke u siguruar për ekzistencën e kushteve të domosdoshme që të ndiqet rruga e ndërmjetësimit". Këtë deklaroi drejtori i përkohshëm i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth krizës në Venezuelë. Nëse diplomacia bëhet me "hapa të vogla", atëherë njëra prej tyre është verifikimi i dëshirës së palëve për dialog. Pra, Papa Françesku flet qartë për atë, që po ndodh në Venezuelë, një vend jashtëzakonisht i sprovuar nga kriza humanitare.

Ndërmjetësim, kur kërkohet nga të gjitha palët

Në avionin që e solli në Vatikan nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Papa pranoi se nuk e ka lexuar ende letrën e dërguar nga presidenti i Venezuelës, por ripohoi se duhen bërë gjeste "lehtësuese", që afrojnë. Hapi i parë është kërkesa nga të dyja palët:

Do të shohim se çfarë mund të bëhet. Por, për të ndërmjetësuar, nevojitet vullneti i të dyja palëve: do të duhej ta kërkonin të dyja palët. Ky është një kusht që duhet t'i bëjë ata të mendojnë, përpara se të kërkojnë ndërhyrjen, ose praninë e një vëzhguesi, ose një ndërmjetësim. Të dyja palët, gjithmonë.

Duke kujtuar impenjimin e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit në krizën e Venezuelës, Papa Françesku nuk i fsheh rezultat e pakta që janë arritur në të kaluarën në bisedimet ndërmjet qeverisë dhe opozitës në Santo Domingo , ndërmjetësuar nga ish-presidenti spanjoll Zapatero, përfaqësi i Unasur, Bashkimit të Kombeve të Amerikës së Jugut. Asokohe edhe diplomacia e Vatikanit u vu në lëvizje dhe u impenjua fillimisht, përmes imzot Emil Paul Tscherring, sot Nunc Apostolik në Itali dhe në Republikën e San Marinos, pastaj përmes imzot Claudio Maria Celli, që shërben prej një kohe të gjatë në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë. "Atje – pohoi Papa Françesku gjatë fluturimit drejt Romës – u mbars mali e polli një mi: asgjë s'ndodhi, vetëm tym".

Në Panama, me mendimin drejt Venezuelës

Kriza në Venezuelë ndryshoi më 23 janarin e kaluar, kur kreu i Asamblesë Kombëtare, Juan Gerardo Guaidó Márquez, u deklarua president i përkohshëm. Ishte dita e mbërritjes së Papës Françesku në Panama, për Ditën Botërore të Rinisë. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 27 janarit të kaluar, nuk munguan fjalët e Papës për popullin e Venezuelës dhe thirrja e tij për të kërkuar gjithmonë "të mirën e gjithë banorëve të vendit".

Këtu në Panama kam menduar shumë për popullin venezuelas, me të cilin ndjehem veçanërisht i bashkuar këtyre ditëve. Para kësaj situate të rëndë që po përjeton, i lutem Zotit të kërkohet dhe të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe paqësore për të kapërcyer krizën, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në të mirën e gjithë banorëve të vendit. Ju ftoj të luteni, duke kërkuar për këtë qëllim ndërhyrjen dhe mbrojtjen e Zojës së Bekuar të Koromotos, Pajtores qiellore e Venezuelës.

07 shkurt 2019, 12:35