Kërko

Papa me ipeshkvijtë në Sallën e Sinodit në Vatikan Papa me ipeshkvijtë në Sallën e Sinodit në Vatikan 

Tweet i Papës: që nesër, disa ditë dialogu e bashkimi, dëgjimi e shqyrtimi

Tweet i Papës në prag të Takimit për “Mbrojtjen e të miturve” në Vatikan. Përshkojmë udhën e papëve, të Vatikanit dhe të Kishave lokale në luftën kundër abuzimeve seksuale mbi të miturit, kryer nga disa anëtarë të klerit.

R.SH. - Vatikan

Në prag të Takimit për “Mbrojtjen e të miturve” në Vatikan, Papa Françesku shkruan këtë tweet: “Që nesër do të përjetojmë disa ditë dialogu dhe bashkimi, dëgjimi e shqyrtimi. Qofshin ditë kthese. Nuk duam të shpallim vetveten, por Atë, që vdiq për ne”.

Etapë e një udhe të gjatë

         Në të vërtetë, Takimi, që fillon nesër e do të vijojë deri të dielën, nuk është hapi i parë i Selisë së Shenjtë dhe e Konferencave të ndryshme ipeshkvnore në luftën kundër abuzimeve. Natyrisht, është hap historik, por bën pjesë në një udhë së paku 30-vjeçare në vende si Kanadaja, SHBA-të, Irlanda dhe Australia, e së paku 10-vjeçare në Evropë. Risimi i normave kanonike për rastet e abuzimit me të miturit, fillon në Vatikan, që 18 vjet më parë. E papët i kanë kushtuar fjalime, dokumente e gjeste kësaj teme të dhimbshme. Nganjëherë, publikimi i normave dhe i protokolleve nuk ka sjellë shpejt ndryshimin e dëshiruar, por me siguri, nuk mund të thuhet se Kisha është në “vitin zero” të impenjimit të saj për mbrojtjen e të miturve.

Masat e para: Kanada, SHBA, Irlandë e Australi

         Një nga Konferencat e para Ipeshkvnore në botë, që caktoi direktiva për luftën kundër abuzimit seksual me të miturit në kuadrin kishtar është ajo kanadeze, në vitin 1987. Në vitin 1989, lind një Komitet i veçantë, që më 1992, publikon dokumentin “Nga vuajtja në shpresë”. Përmbahen në të 50 “rekomandime” për katolikët, ipeshkvijtë dhe përgjegjësit e formimit të meshtarëve.

         Në SHBA-të, ipeshkvijtë merren për herë të parë, zyrtarisht, me çështjen e abuzimeve, në qershor 1992. Caktohen “5 parime”, me anë të të cilave theksohet haptas se kur “akuza provohet”, fajtori duhet larguar menjëherë nga detyrat e tij kishtare, “i duhet nënshtuar një gjykimi të përshtatshëm dhe ndërhyrjes mjekësore”. Por fenomeni nuk përballohet si duhet. Gazeta “Boston Globe” boton një dosje historike hetimore mbi rastet e abuzimeve me të miturit, që e shtyn Papën Gjon Pali II të thërrasë në Romë kardinajtë amerikanë, në prill 2002.

         Në Irlandë, në vitin 1994, Kisha themelon Komitetin Këshillimor Irlandez të Ipeshkvijve Katolikë për Abuzimet Seksuale me të Miturit nga Meshtarët dhe Rregulltarët, i cili, në dhjetor të vitit të mëpasëm, publikon Raportin e tij të parë. Ndërkaq, në Australi, publikohet një nga protokollet e para në botë mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të pedofilisë në dioqezë. Në dhjetor 1996, dokumenti “Towards Healing” (Drejt shërimit) miratohet nga të gjitha dioqezat australiane dhe hyn në fuqi në mars 1997.

Norma të reja kanonike: abuzimet, “delicta graviora”

         Që nga fillimi i shekullit XXI, Selia e Shenjtë, sidomos falë ndërhyrjes së kardinalit Joseph Ratzinger, që u zgjodh më pas papë me emrin Benedikti XVI, rison normat kanonike. Më 2001, Motu proprio i Papës Gjon Pali II “Sacramentorum sanctitatis tutela” e radhit krimin e abuzimit seksual me të miturit nga ana e klerit ndër të ashtuquajturit “delicta graviora” (krimet më të rënda, kompetencë e Kongregatës për Doktrinën e Fesë). Në vitin 2010, Benedikti XVI udhëzon Kongregatën të publikojë “Normat e reja mbi krimet më të rënda”, që përshpejtojnë procedurat, duke parashikuar edhe një “dekret jashtëgjyqësor”. Gjithashtu, dyfishohet nga 10 në 20 vjet koha e parashkrimit dhe trajtohet me ligj krimi i pedopornografisë. Po atë vit, në Gjermani, ku ishin botuar direktiva që nga viti 2002, shpërthen çështja e Kolegjit “Canisio” të jezuitëve të Berlinit, gjë që e bën Konferencën Ipeshkvnore t’i rinovojë direktivat e të rrisë bashkëpunimin me autoritetet.

Irlandë: raportet Ryan dhe Murphy

         Janë të njohura tashmë raportet Ryan dhe Murphy, që në vitin 2009, në Irlandë, vënë në dukje abuzimet në sistemin shkollor kishtar irlandez dhe shpërdorimet 30-vjeçare në kryedioqezën e Dublinit. Papa Benedikti XVI thërret në Romë ipeshkvijtë irlandezë e në mars 2010, u drejtohet gjithë katolikëve të vendit me një Letër baritore, ku kërkon masa. Dërgon gjithashtu Vizitatorin Apostolik nga nëntori 2010 deri në mars 2012. Që nga viti 2008, Benedikti XVI takohet vazhdimisht me viktimat e abuzimeve, gjatë udhëtimeve të tij apostolike. Përvojë e vijuar edhe nga Papa Françesku.

Përfshirja e gjithë Kishës

         Etapë tjetër themelore është maji i vitit 2011, kur Kongregata për Doktrinën e Fesë u kërkon Konferencave Ipeshkvnore të hartojnë direktiva për trajtimin e rasteve të abuzimeve. Një vit më vonë, Selia e Shenjtë inkurajon për këtë organizimin e Simpoziumit ndërkombëtar “Drejt shërimit dhe risimit” në Universitetin Papnor Gregorian. Pikërisht në këtë universitet lind Qendra për Mbrotjen e të Miturve, drejtuar nga jezuiti, atë Hans Zollner.

Impenjimi i Papës Françesku

         Hapi i parë i rëndësishëm i Papës Françesku në luftën kundër abuzimeve është themelimi i Komisionit të ri Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, në dhjetor 2013. Më pas, përcaktohet një model për “Direktivat”, organizohen kurse për ipeshkvijtë e rinj dhe propozohet një Ditë lutjeje për viktimat e abuzimeve. Në qershor 2016, botohet Motu proprio e Françeskut “Si një nënë e dashur”, ku përcaktohet procedura e llogaridhënies (accountability) për autoritetet kishtare, që parashikon heqjen e ipeshkvijve “neglizhentë” ndaj rasteve të abuzimeve. Në nëntor 2014, me një “Rescriptum”, Papa ngre një Kolegj për rishqyrtimin e gjykimeve dhënë për rastet e “krimeve më të rënda” (delicta graviora). Objektivi i tij është përshpejtimi i proceseve për abuzimet me të miturit. Në tetor 2017, Ati i Shenjtë mbështet dhe promovon Kongresin ndërkombëtar mbi Dinjitetin e Fëmijëve në Botën e Dixhitalizuar, mbajtur në Universitetin Gregorian.

            Pas vizitës apostolike në Kili e, pas sqarimit të abuzimeve të atë Karadimës, Papa thërret ipeshkvijtë në Romë e më pas, shkruan “Letrën për Popullin e Zotit, që vijon udhën në Kili”, në të cilën lidh abuzimet me klerikalizmin. Në Irlandë, në Takimin Botëror të Familjeve, Ati i Shenjtë pranon “dështimin e autoriteteve kishtare në përballimin e këtyre krimeve të neveritshme”. E në janar të këtij viti, në dokumentin baritor “Letër për ipeshkvijtë amerikanë”, Papa Françesku kërkon jo vetëm një organizim të ri kishtar për t’i dhënë sërish besueshmëri Kishës, por edhe “ndryshimin e mendjes, të mënyrës së lutjes, të administrimit të pushtetit dhe të parave e të përjetimit të autoritetit”. Nesër e për katër ditë me radhë, këto do të jenë argumentet, në qendër të Takimit për Mbrojtjen e të Miturve, në Vatikan.

20 shkurt 2019, 14:37