Kërko

 Fëmijë jemenitë Fëmijë jemenitë 

Thirrja e Papës për Jemenin: të lutemi për fëmijët

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi se e ndjek me shqetësim të madh “krizën humanitare në Jemen”. Popullsia është e raskapitur nga konflikti i pafundmë e shumë fëmijë vuajnë nga uria.

R. SH. - Vatikan

“Të lutemi për fëmijët e Jemenit, që kanë uri, etje e janë në rrezik vdekjeje”. Me këto fjalë Papa Françesku, që sot niset për Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, e përfundoi thirrjen e tij të ngutshme për Jemenin, vend i tronditur thellë nga lufta, me pasojë, mijëra të vrarë e të shpërngulur:

“Me shqetësim të madh e ndjek krizën humanitare në Jemen. Popullsia është e raskapitur nga konflikti i pafundmë e shumë fëmijë vuajnë nga uria, por nuk  mund të hyjnë në depot e ushqimeve. Vëllezër e motra, britma e këtyre fëmijëve dhe e prindërve të tyre lartohet deri tek froni i Zotit. U bëj thirrje palëve të interesuara si dhe Bashkësisë ndërkombëtare  të favorizojnë me urgjencë zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të sigurojnë shpërndarjen e ushqimeve, të punojnë për të mirën e popullsisë. I ftoj të gjithë të luten për vëllezërit tanë të Jemenit. Të lutemi fort, sepse janë fëmijët, që kanë uri, që kanë etje, që nuk kanë ilaçe e janë në rrezik vdekjeje. Ta marrim me vete në shtëpi këtë mendim!”.

Në Jemenin e troshtitur nga konflikti, më të ligshtit janë fëmijët. Sipas organizatës humanitare “Save the Children”, numri i të shpërngulurve të mitur arrin në një milion e gjysëm. Shumë detyrohen ta lënë shkollën. I fortë rreziku i shndërrimit në viktima të shfrytëzimit e të shpërdorimit. E, akti i fundmë i kësaj tragjedie, shumë fëmijë vijojnë të vdesin nga mugesa e ushqimeve dhe e ilaçeve.  

03 shkurt 2019, 13:16