Papa-World Government Summit: nuk mund të ketë zhvillim, pa solidaritet

Videomesazh i Papës, pjesëmarrësve të World Government Summit, forumi më i madh në botë, që vë ballë për ballë përfaqësuesit e qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe akademike, për të diskutuar lidhur me praktikat e reja të qeverisjes dhe risitë e zhvillimit të shërbimeve në sektorin publik. Takimi do të mbahet, deri më 12 shkurtin e ardhshëm, në Emiratet Arabe

R. SH. - Vatikan

“E mira, po të mos jetë e përbashkët, nuk është vërtet e mirë”. E pohon Papa, në videomesazhin drejtuar pjesëmarrësve në World Government Summit, platformë globale, kushtuar formës së ardhshme të qeverive të mbarë botës. Duke i inkurajuar ata, që do të mblidhen deri më 12 shkurt në Dubai,  për ndërtimin e një bote më të drejtë e më të begatë për të gjithë “Papa kujton se nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm, pa solidaritet”.

“Ndoshta kurrë më shumë se sot, të menduarit e të vepruarit kërkojnë dialog të vërtetë me tjetrin, sepse pa tjetrin nuk ka ardhmëri as për mua. Ju uroj, atëhere, që në veprimtarinë tuaj, të niseni nga fytyrat e njerëzve, të dëgjoni britmën e popujve e të të varfërve, të reflektoni  për pyetjet e fëmijëve”.

Mendoni më shumë për njerëzit, sesa për kapitalet!

Duke menduar për temat e shumta, në qendër të vëmendjes gjatë punimeve - sfidat e politikës, të zhvillimit, të ekonomisë, të mbijetesës, të ambientit, të përdorimit të teknologjive - Papa Bergoglio i nxit të gjithë të mos përqendrohen  aq mbi përcaktimin e “mundësive më të mira për t’u shfrytëzuar”, sesa mbi “tipin  e botës, që duam ta ndërtojmë së bashku”.

Pyetje, kjo, që na shtyn të punojmë duke menduar për popujt dhe njerëzit, më shumë sesa për kapitalet dhe interesat ekonomike; pyetje, që nuk shikon vetëm të nesërmen, por ardhmërinë, përgjegjësinë që peshon mbi shpatullat tona: t’ia transmetojmë kësaj botës sonë e atyre, që do të vijnë pas nesh, duke e ruajtur nga zvetënimi ambiental e, sidomos, nga ai moral!

Papa për Abu Dabin: fetë të jenë roje të vëllazërimit

Ndërmjet mendimeve të Papës, edhe shtegtimi i fundit apostolik në Emiratet e Bashkuara Arabe,  pak ditë më parë. “U takova me një vend modern, që shikon drejt së ardhmes, pa harruar rrënjët - vërejti - Një vend, ku bëhen përpjekje për t’i shndërruar në fakte e nisma konkrete, fjalët tolerancë, vëllazërim, respekt reciprok, liri”.

Pashë se edhe në shkretërirë mbijnë, rriten e lulëzojnë lule. E u ktheva në shtëpi me shpresën që të shikoj duke lulëzuar edhe shumë shkretëtira të tjera të botës. Besoj se kjo mund të ndodhë, por vetëm nëse rritemi së bashku, njëri pranë tjetrit, me zemër të hapur e respekt, të gatshëm për t’i marrë mbi vete problemet e të gjithëve, që në fshatin global, janë problemet e secilit!

10 shkurt 2019, 16:44