Vatican News
 Papa takohet me jezuitët Papa takohet me jezuitët  (ANSA)

Papa: “Ungjilli është shprehje politike, por, për rregulltarin, nuk do të thotë militim partiak

Papa Françesku. “Ungjilli është shprehje politike”, por angazhimi politik, për rregulltarin, nuk do të thotë të marrë pjesë në ndonjë parti politike

R. SH. - Vatikan

“Teologjia e çlirimit, edukimi i të rinjve në këto kohë, marrëdhëniet ndërmjet jezuitëve dhe politikës”. Këto, disa nga temat e prekura  nga Papa në bisedën private me 30 jezuitë të provincës qendramerikane, ndërmjet të cilëve, 18 novicë. Takimi u mbajt gjatë shtegtimit të Papës në Panama, për DBR-në. Njoftimin e jep atë Antonio Spadaro, i pranishëm në takim, në numrin e fundit të revistës “Qytetërimi Katolik”, të cilën e drejton. Numri i ri i revistës del nesër.

Tre, problemet globale, me natyrë politike, që u vunë në dukje nga Papa: i pari, ai i formave të reja të kolonizimit, posaçërisht atyre me natyrë “ideologjike e kulturore”. I dyti, atmosfera shqetësuese, e ngarkuar me mizori e urrejtje, që ndjehet fuqimisht në qytetet tona. Ndërsa i treti, i lidhur ngushtë me drejtësinë, me një drejtësi, që kërkon vetëm “dënim, pa shpresë”.

Ungjilli është shprehje politike, sepse lidhet me popullin, me polis-in, me shoqërinë, me çdo njeri, që i përket shoqërisë - u shpjegoi Françesku të pranishëmve - por angazhim politik, për një rregulltar, nuk do të thotë të militojë në gjirin e një partie politike… “Detyra e tij është të qëndrojë mbi palët. Por jo si ai, që i lan duart. Detyra e rregulltarit është t’i shoqërojë palët, për të arritur pjekurinë, duke u kujtuar këndvështrimin e doktrinës së krishterë”. Në Amerikën Latine shpesh ka munguar pjekuria politike - shtoi Papa - që më pas kujtoi se jezuitët ishin pionierë në vitet e luftërave shoqërore të krishtera në Amerikë, duke u ndaluar posaçërisht  tek flijimi i atit jezuit Rutilio Grande dhe tek ndikimi i tij mbi Oscar Romeron.

“Në atë kohë - vijoi të kujtojë -  ipeshkvijtë, disa edhe fare pranë regjimit të asokoshëm, mendonin se ta shenjtëroje Romeron, do të thoshte të shenjtëroje marksizmin”. Ndërsa ka rëndësi të mos mposhtesh nga ideologjia, të mos anosh as nga njëra anë, e as nga tjetra, e as nga ideologjia asketike, e cila të nxit të mos ngatërrohesh në punë, që nuk të përkasin: “e kjo është idelogjia më e keqe”.

Gjatë bisedës, Françesku kujtoi se po punon për shenjtërimin e Matteo Riccit dhe nënvizoi  rëndësinë e miqësisë së tij me Xu Guangqi, laik kinez që e shoqëronte e që mbeti laik e kinez, “duke u shenjtëruar si kinez, e jo si italian, siç ishte Ricci”. Ndërmjet temave të prekura nga Papa, edhe ajo e mjedisit dixhital, që të ndihmon të krijosh lidhje, por jo takime, në kuptimin se “nuk të mban të lidhur me rrënjët”. Të çon në orbitë! Të heq përmasën  konkrete të jetës. Dialogu ndërmjet të rinjve e pleqve mbetet për Papën recetë: “Rrënjët i japin të moshuarit. Prandaj, kur them se të rinjtë  duhet të takohen me pleqtë, nuk shpresh ndonjë ide romantike. Mundësojuni të takohen. Bëjini të flasin!- kjo porosia e fundit e Papës, në këtë takim ndërmjet jezuitësh.

15 shkurt 2019, 14:14