Cerca

Vatican News
 Papa takohet me Akademinë Alfonsiane Papa takohet me Akademinë Alfonsiane  (Vatican Media)

Papa: teologjia morale nuk duhet të ngurrojë ‘t’i ndotë duart’ në dëgjimin e jetës konkrete

Fjalët e teologjisë morale duhet të mbruhen me logjikën e mëshirës: këtë theksoi Papa Françesku në audiencën e sotme me Akademinë Alfonsiane. Ati i Shenjtë ftoi që studimet të jenë në përkim të plotë me Kishën “në dalje”, e edhe me sfidat, gjithnjë më globale, të botës.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku uroi që studimet e teologjisë morale të jenë të afta për ta shoqëruar Kishën “në dalje” e për t’u takuar me njerëzit, në jetën e tyre konkrete. E ua kërkoi këtë impenjim pedagogëve e studentëve të Akademisë Alfonsiane - Institut i lartë i teologjisë, me seli në Romë, duke i pritur sot paradite, në Vatikan. Ishin rreth 400 vetë, në Sallën Klementine.

Një përvjetor, që të nxit të shkosh përpara

Rasti i kësaj audience ishte 70-vjetori i Akademisë, ngritur që më 1949 nga Etërit Redentoristë, pagëzuar me emrin e themeluesit, Shën Alfons Maria de Liguori. Përvjetor - theksoi Françesku në fjalimin drejtuar alfonsianëve - që krijon mundësinë për ta falënderuar Zotin për gjithçka është bërë deri këtu, por edhe për çka duhet bërë në të ardhmen, duke e riprojektuar e duke e përtërirë misionin, në mënyrë të urtë e guximtare, që t’u përgjigjet më mirë shpresave të Popullit të Zotit.

Duhet hyrë në zemrën e Ungjillit

Është udhë - kujtoi Françesku - në të cilën janë të thirrura të ecin të gjitha strukturat akademike të Kishës. E për ta realizuar këtë detyrë, është e domosdoshme të ndjekësh një kriter të përhershëm - atë të kundrimit e të përvetësimit, në këndvështrimin shpirtëror, intelektual e ekzistencial, të “Zemrës së kerygmës”,  domethënë,  të lajmit gjithnjë të ri e mahnitës “të Ungjillit të Krishtit”. E Papa vijoi t’u kujtojë vinçencianëve Kushtetutën apostolike Veritatis gaudium, duke theksuar se vetëm kështu do të jetë e mundur të vihet në jetë dialogu në të gjitha fushat.

Të bëni rrjet, pa idealizuar tepër

Françesku nënvizoi, pastaj, se institucionet kishtare të mbarë botës, duhet të mësohen të bëjnë rrjet ndërmjet tyre, por edhe me realitetet akademike në vende të ndryshme, si dhe me ata, që frymëzohen nga traditat e ndryshme kulturore e fetare, për të gjetur së bashku zgjidhjen e përshtatshme të problemeve epokale, që duhet të përballojë njerëzimi. Duke kujtuar, më pas, në mënyrë të veçantë, Akademinë alfonsiane, Papa kërkoi besnikëri ndaj rrënjëve, me një impenjim edhe më të madh për një teologji morale të frymëzuar nga tensioni misionar i Kishës “në dalje”. E, duke cituar Nxitjen Apostolike Amporis laetitia, porositi:

“Ashtu si Shën Alfonsi, duhet ta  shmangim rrezikun e ngujimit në qëndrimet e shkollës ose në gjykimet e formuluara ‘larg situatave konkrete  dhe mundësive reale të njerëzve e të familjeve’. Njëlloj duhet të ruhemi edhe nga idealizimi i tepruar i jetës së krishterë, që nuk është e aftë  të rizgjojë ‘besimin në hirin e Zotit’”.

Sa më pranë vuajtjeve e shpresave të njeriut të sotëm

Është  fjala  për t’ia vënë mirë veshin realitetit konkret dhe zërit të Shpirtit Shenjt, që të mund t’i ndihmojmë të gjithë të ecin me gëzim në udhën e së mirës. Duke ndjekur - shtoi Papa - shembullin e vetë Shën Alfonsit:

“Realitete për t’u dëgjuar janë sidomos vuajtjet e shpresat e atyre të cilët  vijojnë të dënohen me pasiguri, varfëri, shtypje nga mijëra format e pushtetit të mëkatit. Shën Alfonsi e pati kuptuar shpejt se nuk ishte fjala për t’u mbrojtur, e as për të dënuar, por për të shëruar, për të shëruar e për të çliruar, duke i pëngjarë Krishtit,  që secili, sado i brishtë e mëkatar që të jetë, ta ndjejë se është në zemrën e Atit Qiellor, se Krishti e deshi, deri në Kryq”.

Në vijim, Ati i Shenjtë kujtoi se duhet të jetë mëshira, ajo që e udhëheq teologjinë morale, se etika individualistike duhet kapërcyer, përballë sfidave morale. E kujtoi, në vijim, edhe se asnjë nga ata, që ka rrëfyer e  rrëfen deri më sot, nuk e padit veten për mëkatin e dhunimit të natyrës, të tokës, të krijimit. Nuk e kemi akoma vetëdijen e këtij mëkati - theksoi. Është detyra juaj t’ia kujtoni botës!

Kufijtë e rinj të shkencave biomjekësore

Në përfundim Papa nënvizoi se sot terren i studimit moral janë edhe mundësitë e reja që zhvillimi i shkencave biomjekësore vë në dispozicion të njerëzimit. Pa harruar të dëshmohet gjithnjë vlera e pakushtëzuar e çdo jete, e duke pohuar se pikërisht jeta më e ligshtë e më e pambrojtur është ajo,  që jemi të thirrur ta mbrojmë në mënyrë solidare.

Mos ngurroni “t’i ndotni duart”

Françesku e përfundoi fjalimin e tij, duke e ftuar Akademinë Alfonsiane ta vijojë angazhimin “për një teologji morale, që nuk ngurron  ‘t’i ndotë duart’, me konkretësinë e problemeve, duke e dëshmuar me çiltërsi Krishtin, që është ‘udha, e vërteta, jeta!”.

09 shkurt 2019, 16:49