Kërko

 Fatebenefratelli në botë Fatebenefratelli në botë 

Papa: tek Samaritani i Mirë i Ungjillit, sekreti i identitetit të rregulltarëve

Françesku u takua sot me pjesëmarrësit në Kapitullin e përgjithshëm të Urdhërit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit (Fatebenefratelli). Shqyrtim, afërsi, mikpritje e mision i përbashkët - tri sjelljet këshilluar nga Papa rregulltarëve, që shërbejnë në spitale.

R. SH. - Vatikan

“Në mes të një mori shenjash të vdekjes, mendoni për figurën ungjillore të samaritanit” - kjo, porosia e Françeskut, dhënë rregulltarëve që shërbejnë në spitale:

“Nuk duket se ka shumë mjete, nuk i përket asnjë qendre pushteti, që ta mbështesë, nuk ka tjetër, veç një trastë mbi shpinë. Por ka sy të vëmendshëm e zemër që rreh njëherësh me zemrën e tjetrit e dorë, që shtrihet  drejt nevojtarit. E gjithë kjo e shtyn të lërë mënjanë planet e veta e të ndërpresë udhën e nisur. Shqetësimi për jetën e kërcënuar të tjetrit, e nxjerr edhe më shumë në pah dashurinë e tij për njeriun dhe e bën të derdhë pa kursim vaj e verë përmbi plagët e njeriut gjysëm të vdekur”.

Në këtë gjest altruizmi të pastër e humaniteti të madh, fshihet sekreti i identitetit tuaj si njerëz, që shërbejnë në spitale - u kujtoi Papa rregulltarëve me emrin kuptimplotë “bënimirëvëllezër”. Në gjestin e samaritanit, që kujdeset për tjetrin. Që derdh vaj e verë mbi plagët e njeriut, të rënë në dorë cubash. Pikërisht në të do të zbuloni vulën e vetë identitetit tuaj. Vulë, e cila do t’ju ndihmojë ta mbani gjallë në kohë, praninë mëshirëmadhe të Jezusit, që identifikohet me të varfërit, të sëmurët e nevojtarët e i kushtohet plotësisht shërbimit ndaj tyre.

Me dëshminë tuaj e veprat tuaja apostolike ndihmojini të sëmurët dhe nevojtarët, në radhë të parë të varfërit e promovoni baritorinë e shëndetit” -  u kujtoi Françesku:

“Jezusi dëshiron ta prekim mjerimin njerëzor, ta prekim korpin e Tij, në korpin e atyre, që vuajnë në korp e në shpirt. Ta prekim, për t’u prekur! Do të na bënte shumë mirë!”.  

01 shkurt 2019, 13:41