Kërko

 Papa Françesku me imzot. Vicenzo Paglia Papa Françesku me imzot. Vicenzo Paglia  

Papa: të mos i dorëzohet jeta logjikës së teknikës

Papa priti në audiencë Akademinë Papnore për Jetën, që sot pasdite do të hapë plenaren e saj në Sallën e Re të Sinodit, me temë: “Roboetika. Njerëzit, makinat e shëndeti”. Këshilla e Papës: “të drejtat njerëzore duhet të jenë terren për kërkimin e një etike universale”.

R. SH. - Vatikan

“Teknologjia duhet të jetë në shërbim të njeriut, për të mirën e tij e për promovimin dhe mbrojtjen e jetës”: kjo, këshilla e Papës dhënë anëtarëve të Akademisë Papnore për Jetën, në prag të hapjes së Asamblesë së përgjithshme, në Vatikan, sivjet me temë: “Roboetika. Njerëzit, makinat e shëndeti”. Françesku shkoi menjëherë në thelb  të çështjes, duke nënvizuar paradoksin dramatik, që po jeton bota e sotme: nëse nga njëra anë - vërejti Papa - njerëzimi ka arritur të fitojë aftësi shkencore e teknike për të siguruar mirëqenien e përhapur me të drejtë, nga ana tjetër jeton në atmosferën e ashpërsimit të konflikteve dhe të thellimit të pamasë të hendekut të pabarazive, që minojnë unitetin e familjes njerëzore dhe ardhmërinë e saj.

Të mos biem në logjikën e mekanizmave

Duke parë situatën, në të cilën ndodhen sot makinat, ndërmjet zgjidhjes së problemeve, pak më parë të pazgjidhshme e lindjes së kërcënimeve edhe më tinzare se të mëparshmet, Papa vuri përsëri theksin mbi njeriun dhe mbi nevojën që edhe sistemi teknokratik të distancohet nga kriteri i dobisë: ka shumë rëndësi - pohoi - që përpjekja “për të bërë”, të mos e errësojë “atë që e bën e edhe atë, për të cilin bëhet”;  njëlloj edhe teknika, duhet konsideruar karakteristikë e njeriut, prodhim i gjenisë së tij, e jo  forcë e huaj e armiqësore:

“Evolucioni i sotëm i aftësive teknike krijon një magjepsje të rrezikshme: në vend që t’i japë jetës njerëzore mjetet, të cilat e përmirësojnë mjekimin,  krijon rrezikun t’ia dorëzojë jetën logjikës së mekanizmave, që vendosin mbi vlerën e saj. Kjo përmbysje është e paracaktuar të arrijë rezultate të kobshme: makina nuk kufizohet me udhëheqjen e vetvetes, por nis të udhëheqë edhe njeriun. Arsyeja njerëzore reduktohet në racionalitet të tjetërsuar, që nuk mund të konsiderohet i denjë për njeriun”.

Të krijohet një front i përbashkët

Duke rikujtuar enciklikën “Lëvduar qofsh”, Françesku vuri në qendër të vëmendjes të të pranishëmve, dëmet e mëdha që i shkaktohen planetit nga përdorimi i pakujdesshëm i mjeteve teknike dhe e quajti bioetikën, front i rëndësishëm, që meriton impenjim global e kërkon krijimin e një rrjeti  ndërmjet Kishës e shoqërisë civile.

Në shërbim të njerëzimit e të planetit

Të drejtat e njeriut: ky, sipas Papës, është terreni mbi të cilin duhet ndërtuar etika universale, ndërsa përsëriti se njeriu dhe dinjiteti i tij duhen vënë gjithnjë në qendër  të çdo aksioni e reflektimi:

“Inteligjenca artificiale, robotika dhe risitë e tjera teknologjike, duhen përdorur në mënyrë që të kontribuojnë në shërbim të njerëzimit e të mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët, e jo për të kundërtën, siç  po ndodh shpesh, për fat të keq”.

Rreziqet

Françesku  tërhoqi, pastaj, vëmendjen për t’u ruajtur edhe nga rreziqet, si ai, tashmë i mirënjohur, “i inteligjencës artificiale”, si dhe nga rreziku i teknologjizimit të njeriut, në vend të humanizimit të teknikës.

Jo, manipulimeve

Duhet kërkuar edhe një ndërveprim konstruktiv dhe i drejtë ndërmjet njeriut e makinave, në mënyrë që këto të fundit të jenë të dobishme për çdo njeri e për mbarë njerëzimin. Rrezik tjetër, që Papa e vuri në dukje, ishte edhe ai i bagazhit gjenetik dhe funksioneve cerebrale. Prej këndej i ftoi shkencëtarët dhe specialistët të ecin në udhën e ndërmarrë nga Koncili II i Vatikanit, që nxit risimin e disiplinave teologjike dhe reflektimin kritik mbi lidhjen e fesë së krishterë me veprimin moral. Papa theksoi posaçërisht, në përfundim, aleancën etike në favor të jetës njerëzore.

 

25 shkurt 2019, 14:19