Kërko

Papa takohet me popujt indigjenë Papa takohet me popujt indigjenë 

Papa takohet me popujt indigjenë: të kapërcejmë individualizmat, për të shpëtuar planetin

Para fatkeqësive të kohës sonë, nga konfliktet me armë e deri tek katastrofat natyrore, vetëm ndjenja e vëllazërimit, kapërcimi i interesave ekonomike dhe dialogu plot durim, mund t’i ndihmojnë nevojtarët: ky, thelbi i fjalëve të Papës në takimin me Forumin ndërkombëtar të popujve indigjenë, mbledhur nga IFAD në selinë e FAO-s, në Romë.

R.SH. - Vatikan

Nuk mund të mos i shohim lakmitë njerëzore, konfliktet e armatosura, fatkeqësitë natyrore, “murtaja” të vërteta, të cilave nuk duhet t’u përgjigjemi me “indiferencë”, pa solidaritet, ose duke e shtyrë marrjen e masave për t’i përballuar frytshëm: vetëm “ndjenja e fuqishme e vëllazërimit” mund t’i ndihmojë nevojtarët e botës, duke u hapur portat e së nesërmes, brezave të ardhshëm. Këtë theksoi Papa Françesku, gjatë takimit me pjesëmarrësit në Forumin Ndërkombëtar të Popujve Indigjenë, në selinë e FAO-s në Romë, me rastin e ceremonisë së hapjes së Sesionit të 42-të të Këshillit të Guvernatorëve të IFAD-it.

Çështjet e ambientit kanë rëndësi të jashtëzakonshme

         Ati i Shenjtë bisedoi për 20 minuta me një grup prej 38 delegatësh nga 31 popuj indigjenë, ardhur nga Amerika, Afrika, Azia dhe zona e Paqësorit. Anëtarët e Forumit të themeluar në vitin 2011 si platformë dialogu ndërmjet OKB-së, institucioneve ndërkombëtare dhe banorëve të zonave fshatare të varfëra, i dhuruan Françeskut stola artizanale. Më pas Papa, nënvizoi se askush nuk është padron i natyrës. Zoti e ka krijuar tokën për të gjithë, pa përjashtuar askënd:

         Planeti ynë është i pasur me burime natyrore. E popujt indigjenë, me larminë e gjuhëve, të kulturave, të traditave, me njohuritë dhe metodat e të parëve, bëhen për të gjithë një këmbanë alarmi, që vë në dukje se njeriu nuk është pronar i natyrës, por vetëm e administron atë. Ai e ka për detyrë të vigjëlojë mbi të me kujdes, që të mos humbasë biolarmia dhe uji të vazhdojë të jetë i shëndetshëm dhe i kristaltë; ajri, të jetë i pastër; pyjet, të harlisur dhe terreni, pjellor.

Urtia e lashtë e popujve indigjenë

         Popujt indigjenë, vijoi Papa, janë thirrje për shpresë dhe për përgjegjësi ndaj shtëpisë sonë të përbashkët. Ata dinë të hyjnë në dialog me tokën, dinë ta dëgjojnë, ta shohin, ta prekin. Njohin artin e jetës në harmoni me të. Ati i Shenjtë nuk mungoi të përdorte shprehjen e gjyshërve: “Zoti fal gjithmonë, njerëzit falin nganjëhere, natyra nuk fal kurrë”, duke denoncuar kështu, shfrytëzimin e ambientit, që do t’u krijojë prbleme edhe më të mëdha brezave të ardhshëm. Papa u besoi popujve indigjenë detyrën për t’i transmetuar njohuritë e urtinë e tyre.

         Kështu, do të vetëdijësohemi më shumë se kemi nevojë për njëri.tjetrin; se qëndimi i dëmshëm për ambientin, që na rrethon, ndikon negativisht edhe mbi qetësinë dhe rrjedhshmërinë e bashkëjetesës me natyrën, e cila, nganjëherë, nuk ka qenë bashkëjetesë, por shkatërrim; të vetëdijësohemi se indigjenët nuk mund të vazhdojnë të pësojnë padrejtësi e se të rinjtë kanë të drejtë të jetojnë në një botë më të mirë se e jona, prandaj presin përgjigje koherente dhe bindëse prej nesh.

14 shkurt 2019, 18:03