Kërko

Papa Françesku dëgjon Linda Ghisoni-n Papa Françesku dëgjon Linda Ghisoni-n 

Papa në Takimin për mbrojtjen e të miturve, lëvdon “gjeninë femërore”

Papa Françesku flet sot në Takimin për mbrojtjen e të miturve, që po mbahet në Vatikan. E merr fjalën menjëherë pas relacionit të Linda Ghisoni-t, gruaja e parë, që ndërhyri në punimet e ipeshkvijve, me një reflektim, fryt i impenjimit të saj si Zv.Sekretare e Seksionit për Laikët në Dikasterin vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën.

R.SH. - Vatikan

“Nuk është fjala për t’i dhënë gruas funksione më tepër në Kishë – po, kjo është gjë e mirë, por kështu nuk zgjidhet problemi – nënvizoi Papa Françesku. – Duhet integruar figura e saj në Kishë, në mendimin tonë. E duhet menduar edhe Kisha, me kategoritë e mendimit të një gruaje”. Këto ishin fjalët e Atit të Shenjtë, i cili e falenderoi Linda Ghisoni-n jo vetëm për relacionin e saj, por edhe për përgjigjen që i dha njërës prej pyetjeve nga asambleja.

Kisha flet për veten

“Duke dëgjuar doktoreshën Ghisoni, dëgjova Kishën që fliste për veten – theksoi Papa. – Të gjithë ne folëm për Kishën, në të gjitha relacionet. Por kësaj radhe, fliste vetë Kisha”. “Nuk është vetëm çështje stili – vijoi – është gjenia femërore, që pasqyrohet në Kishë, e cila është grua. Të ftosh një grua të flasë nuk do të thotë të hysh në mënyrën e veprimit të ndonjë feminizmi kishtar, sepse në fund të fundit, çdo feminizëm përfundon në një lloj maskilizmi me fustan”.

Logjika e një nëne

 “Jo. Kur fton një grua të flasë mbi plagët e Kishës do të thotë ta ftosh Kishën të flasë për veten, për plagët e saj – nënvizoi Papa. – E ky, mendoj se është hapi, që duhet të bëjmë me forcë: gruaja është imazhi i Kishës, e cila është grua, është nuse, është nënë. Një stil… Pa këtë stil do të flasim për Popullin e Zotit, por si organizatë -  ndoshta sindikatë – por jo si një familje e lindur nga Kisha Nënë”. Sipas Françeskut, “logjika e mendimit të zonjës Ghisoni ishte pikërisht ajo e një nëne, e, përfundoi me tregimin e asaj që ndodh kur një grua nxjerr në dritë fëmijën. O mister femëror në Kishë, që është nuse e nënë”.

22 shkurt 2019, 19:40