Papa: në FAO, "duhen zgjidhje konkrete dhe reale" për të fituar "betejën kundër urisë dhe varfërisë"

Në selinë e FAO-s në Romë, Papa në ceremoninë e hapjes së sesionit të 42.të të Këshillit të Guvernatorëve të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), mbi temën: "Inovacioni dhe iniciativat sipërmarrëse në botë rurale". "Duhen zgjidhje konkrete dhe reale" për të fituar "betejën kundër urisë dhe varfërisë".

R.SH. - Vatikan

Shoqëria jonë ka arritur "rezultate të mëdha" në "fusha të ndryshme të dijes", por nga ana tjetër me miliona njerëz, në mbarë botën, ende sot "vuajnë nga uria dhe kequshqimi”. Kështu pohoi Papa Françesku në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve të sesionit 42të të Këshillit të Guvernatorëve të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), që po mbahet në Romë mbi temën: "Inovacioni dhe iniciativat sipërmarrëse në botë rurale". 

Papa Bergoglio u shpreh qartë se për t’i arritur objektivat e Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, nevojitet një përpjekje e përbashkët e tërë "bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe të gjithë atyre që posedojnë burimet", në mënyrë që të mos u "shmangemi përgjegjësive", por "të ndërmerren zgjidhje konkrete dhe reale", për një zhvillim të mirëfilltë në favor të atyre njerëzve që janë skajshmërisht të varfër e të mënjanuar. Vetëm në këtë mënyrë, në fakt, mund të thuhet pa bërë slogane të thjeshta se: "uria nuk ka as të sotme e as të ardhme, po vetëm të kaluarën".

Shikoni fytyrën e njerëzve që vuajnë pa u skuqur

Në fjalimin, shqiptuar në spanjisht, Papa Bergoglio saktësoi se prania e tij në ceremoninë e hapjes së sesionit të 42.të të Këshillit të Guvernatorëve të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor, dëshiron t'i paraqesëë "aspiratat dhe nevojat e një turme vëllezërish tanë që akoma sot vuajnë në botë" nga uria e varfëria, që më në fund "britmat e tyre" të dëgjohet dhe të merren parasysh "shqetësimet që kanë", pa u detyruar të "skuqemi" kur “i shkojmë në sy”.  Këta njerëz të varfër e të uritur janë burra dhe gra që, realisht, jetojnë në "situata të pasigurta" dhe tejet të varfra, jetojnë në zona ku: "ajri është i ndotur, burimet natyrore të thara, lumenj të ndotur, tokat të acidifikuara, ku nuk ka ujë të mjaftueshëm as për ata dhe as për kultivimet e tyre; ku infrastrukturat shëndetësore janë shumë të mangëta, shtëpitë e banesat e tyre të varfra e në gjendje të mjerueshme".

Qëllimet ambicioze të zhvillimit të qëndrueshëm

Selia e Shenjtë ka inkurajuar gjithmonë "përpjekjet e agjencive ndërkombëtare në përballimin dhe luftimin e varfërisë" dhe punën e IFAD-it e shikon me besim, që të mund "të krijojë mundësi të reja", "të mos çdo hezitojë për të ndihmuar çdo popull, në mënyrë që të jetë vetvetiu një gjendje të përballet me forcat me nevojat e mjerimet që e mundojnë". Duke iu referuar Axhendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, në mënyrë të veçantë, "çrrënjosjes së varfërisë, luftimit të urisë dhe promovimit të sovranitetit ushqimor", Papa Françesku saktësoi se "kjo nuk do të mund të realizohet, në qoftë se më parë nuk realizohet një zhvillim i mirëfilltë rural, një zhvillim që është kaq i nevojshëm e për të cilin po flitet prej kohësh, por në realitet ende nuk është bërë diçka konkrete".  Po t'i referohemi realitetit të sotëm, shtoi Papa - "është paradoksale të mendosh, që shumica e më shumë se 820 milionë njerëzve që vuajnë nga uria e nga ushqimi i keq dhe i pamjaftueshëm në botë, jetojnë pikërisht në zonat rurale, i dedikohen prodhimit të ushqimit dhe përbëhen nga fshatarët”.

Zgjidhje të mjaftueshme emergjente

Para problemeve që e "karakterizojnë negativisht fatin" e shumë individëve, duhet t’i "bashkojmë e gërshetojmë përpjekjet, konsensuset, dhe t’i përforcojmë lidhjet". Sfidat aktuale, në fakt, "janë aq të ndërlikuara dhe komplekse sa që nuk mund të vazhdojmë më duke i trajtuar rastësisht, në mënyrë të herëpashershme, me rezoluta emergjenc": duhet, përkundrazi, t’u "japim rolin e protagonizmit e të drejtpërdrejtë pikërisht njerëzve që janë të prekur nga varfëria, pa i konsideruar thjeshtë si marrësit e një ndihme që mund të përfundojë deri edhe në krijimin e varësive" e të një varfërie të pafund. Këtu është fjala, shpjegoi Papa Françesku, "për afirmimin e njeriut,  të cilit, gjithmonë, i takon vendi qendror  e parësor, pa harruar se proceset e reja në ngjizje nuk mund, gjithmonë, të integrohen brenda modeleve që vendosen nga jashtë, por brenda një realiteti konkret dhe nga e njëjta kulturë lokale”. Për këtë arsye,  Papa Françesku inkurajon agjencinë e Kombeve të Bashkuara të vazhdojë me "decentralizimin sa më të madh, duke promovuar bashkëpunimin jug-jug,  duke i shpërndarë në mënyrë të drejtë burimet financiare dhe duke organizuar mënyrat e veprimit” .

14 shkurt 2019, 13:18