Kërko

Papa në audiencën e përgjithshme: përballë Zotit, asnjë truk!

Jezusi nuk e duron hipokrizinë. Në Atynë nuk e gjejmë kurrë fjalën “unë”, në plan të parë si dje, edhe sot: këtë theksoi Papa Françesku, duke u ndaluar tek lutja, që na e mësoi Jezusi. Në përshëndetjet përfundimtare të audiencës, i nxiti besimtarët të angazhohen për kthimin e të largtëve e të të afërmve.

R. SH. - Vatikan

Lutja nuk është “anestezi”, për të mos e prishur qetësinë, duke menduar vetëm për “unin”. Është uratë. Përmes saj kërkojmë “bukën e përditshme për gjithë të varfërit e botës”. Me këto fjalë Françesku vijoi sot katekizmin  kushtuar Atynës, në Sallën e Palit VI.

Jezusi nuk do hipokrizi

Duke u ndaluar tek lutja drejtuar “Atit të të gjithëve”, Papa reflektoi për mënyrën si na e mësoi Jezusi. Dishepujt e tij nuk luten si Zoti, po rrijnë drejt në këmbë nëpër sheshet, për t’u admiruar nga njerëzit:

“Po Jezusi nuk e do hipokrizinë. Lutja e vërtetë është ajo, që i drejtohet Zotit nga  thellësitë e padukshme të ndërgjegjes, nga thelbi i zemrës. Lutja e vërtetë është e padukshme, e pandjeshme. Atë e sheh dhe e dëgjon veç Zoti. Nuk pranon kurrfarë falsiteti: para Zotit është e pamundur të shtiresh. Para Tij nuk ka vlerë, as forcë, kurrfarë  truku. Zoti na njeh ashtu si jemi. Na e shqyrton ndërgjegjen lakuriq”. Në rrënjë të bisedës me Zotin, është  një dialog i heshtur: kryqëzim sysh ndërmjet dy njerëzve, që duhen: sytë e Zotit ndeshen me ata të njeriut. E kjo është lutja. Ta shikosh Zotin, ta lësh të të shikojë: kjo do të thotë të lutesh! “Po, o Atë, unë nuk duhet të them asnjë fjalë?”. Nuk ka nevojë për fjalë. Shikoje Zotin e lëre të të shikojë! Kjo është lutje, më e bukura lutje!

Mungesa e “unit”

Kjo lutje nuk shuhet kurrë në thellësitë e vetvetes: i krishteri - vijoi të shpjegojë Papa - nuk e lë kurrë botën “jashtë portës”, sepse nuk mund ta lërë. E ka në zemër. Botën, me njerëzit, situatat, problemet “gjithçka është jetë”. E gjithë këtë jetë e çon para fronit të Zotit, përmes lutjes.

Më pas Papa vuri në dukje se në Atynë, çuditërisht, mungon një fjalë, që  kohët tona e vënë në krye të vendit. Mungon fjala “unë”, e stërpërsëritur nga miliona gojë:

“Jezusi na mëson të lutemi duke pasur në buzë kryekreje fjalën ‘ti’, sepse lutja e krishterë është dialog: ‘qoftë lëvduar emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt’. Jo emri im, jo mbretëria ime, jo vullneti im. Unë, unë unë … nuk shkon. E më pas Krishti kalon tek ‘ne’”. E gjithë pjesa e dytë e Atynës, lakohet në vetën e parë shumës: “bukën tonë të përditshme na epnae neve sot; na i fal mëkatet tona; mos na lërë të biem në tundim, na liro prej gjithë së keq”. Deri kërkesat më fillestare të njeriut - si ajo  për të pasur bukën e përditshme, për të shuar urinë - janë të gjitha në numrin shumës. Në lutjen e krishterë askush nuk e kërkon bukën vetëm për vete. Lutet, që Zoti t’ua japë gjithë të varfërve të botës.

Jemi në bashkësi

Kurrfarë individualizmi, pra, me Zotin, e as kurrfarë mburrjeje. Kurrfarë ankimi për punët tona, si të ishim të vetmit në botë, që vuajmë:

“Nuk ka lutje lartuar Zotit, që të mos jetë lutje e një bashkësie vëllezërish e motrash. Lutja, që lartojmë “ne”: jemi bashkësi, jemi vëllezër e motra, jemi “ne’ që lutemi. Një herë kapelani i një burgu më pati bërë pyetjen: ‘Më thuaj, atë, cila është e kundërta e fjalës ‘unë’?  E vetë, i padjallëzuari, ia ktheva: ‘ti’, natyrisht. “Këtu nis lufta - ma ktheu - sepse fjala e kundërt është ‘ne’. E ne do të thotë paqe, do thotë të rrish qetë-qetë gjithë bashkë! Ishte një mësim i mirë, të cilin e mora nga ky prift”.

Një zemër prej guri

Në lutje, pra, i krishteri çon te Zoti të gjitha vështirësitë e njerëzve, që jetojnë pranë tij, çon dhimbjet, e deri fytyrat miqësore e armiqësore:

“Nëse ndokush nuk kujtohet se rreth vetes ka shumë njerëz, që vuajnë, nëse nuk preket nga lotët e të varfërve, nëse mësohet me gjithçka, atëhere do të thotë se zemra e tij… zemra? Po ku është zemra? Është tharë. Jo! Më keq akoma. Është bërë gur. Në këtë rast është mirë ta lusim Zotin të na prekë me shpirtin e tij e të na i zbusë, kështu, zemrat. Zbutma, o Zot, zemrën time! Lutje e bukur: ‘Zot, ma zbut zemrën, që të mund  t’i kuptoj e t’i bëj  të miat të gjitha problemet, të gjitha dhimbjet e të tjerëve!”.

Përgjegjësi vëllezërish e  motrash

Nga ana tjetër - kujtoi Papa - Krishti nuk kaloi “pa u prekur thellë” pranë mjerimeve të botës: “Sa herë që vërente vetminë, dhimbjen në korpin a në shpirtin e të tjerëve, ndjente të njëjtën dhimbje të fortë e edhe mëshirë të pacak. E “të ndjesh” dhembshuri - shprehje thellësisht e krishterë - nënvizoi Françesku -  është një nga foljet kyçe të Ungjillit, siç na e kujton edhe shembëlltyra e Samaritanit. Më pas Papa nxiti për një reflektim të përbashkët:

“Mund të pyesim: kur lutem, a e bëj timem britmën e shumë njerëzve, të afërt e të largët? Apo e mendoj lutjen si të ishte anestezi, që më jep pakëz  qetësi? Po ju pyes! E secili të përgjjgjet në zemër të vet. Në këtë rast do të isha viktimë e një keqkuptimi të tmerrshëm. Sigurisht imja nuk do të ishte më lutje e krishterë. Sepse ajo “ne”, që na e mësoi Jezusi, nuk më lë të gëzoj paqe në punë time, më bën ta ndjej përgjegjësinë edhe për vëllezërit e motrat e mia”.

Për të sëmurët e mëkatarët  

Jezusi na mëson të lutemi - shtoi Papa - edhe për ata njerëz, që në dukje, nuk e kërkojnë Zotin, sepse Zoti i kërkon pikërisht këta njerëz, më shumë se të gjithë:

“Jezusi nuk erdhi për të shëndoshët, por për të sëmurët e mëkatarët - domethënë, për të gjithë, sepse kush mendon se është i shëndoshë, në të vërtetë është i sëmurë! Nëse punojmë për drejtësinë, nuk ndjehemi më mirë se të tjerët: Ati bën të lindë dielli i Tij mbi të mirët e mbi të këqijtë. I do të gjithë, Ati! Të mësojmë nga Zoti, që është gjithënjë i mirë me të gjithë, në kundërshtim me ne, që jemi të mirë vetëm për kë na pëlqen”.

13 shkurt 2019, 13:43