Kërko

Mbrojtja e të miturve. Papa fton të lutemi për takimin në Vatikan

Akt i fortë përgjegjësie baritore, përballë një sfide urgjente të kohës sonë. Me këto fjalë Françesku, pas Engjëllit të Tënzot, i ftoi besimtarët të luten për takimin, që do të mbahet në Vatikan, nga e enjtja, deri të dielën e ardhshme, kushtuar mbrojtjes së të miturve.

R. SH. - Vatikan

Papa e deshi shprehimisht takimin për mbrojtjen e të miturve në Kishë, që  do të nisë të enjten e ardhshme, në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan, e do të vijojë deri të diel, më 24, në të cilin do të takohen kryetarët e të gjitha konferencave ipeshkvnore të botës e do të jenë të pranishme edhe viktima të abuzimeve. Siç ka kujtuar atë Hans Zollner, referues i Komitetit organizator, objektivat e samitit janë “rikrijimi i besimit” dhe “ndërgjegjësimi se mbrojtja e fëmijëve dhe e të rinjve duhet parë si detyrë e të gjithëve”. Është udhë sinodale, cum Petro et sub Petro, e nisur në nëntor, me krijimin e Komitetit organizativ dhe fazën e këshillimit.

Nëntë aksione konkrete

Konferenca ka në qendër të vëmendjes, nëntë aksione konkrete si edhe disa vendime, që do të merren me drejtësi e në vërtetësi. Papa, në fjalimin e sivjetëm drejtuar Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, ripohoi me forcë se “abuzimet kundër të miturve janë një nga krimet më të shëmtuara të mundshme. Ata flakin tutje, pa kthim, gjënë më të mirë që ka i mituri në jetë. Pafajninë! Duke i shkaktuar dëme të pandreqshme për gjithë jetën!”.

Udhë e qartë për Kishën

Takimi, që do të nisë të enjten, do të jetë, prandaj, një çast i rëndësishëm për udhën, të cilën do ta ndjekë Kisha në gjithë botën. Vërtetësi, drejtësi e më shumë transparencë, janë disa nga problemet themelore të kësaj asambleje, siç nënvizon kardinali Seán O’Malley, kryetar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve.

Konferenca u drejtohet kryesisht ipeshkvijve, që kanë një përgjegjësi të madhe lidhur me këtë çështje, por njëkohësisht edhe laikëve, burra e gra,   specialistë në fushën e abuzimeve, që do të japin kontributin e tyre e do të ndihmojnë të kuptohet ç’duhet bërë, për të garantuar transperencën dhe përgjegjësinë.

Çdo ditë, një argument

Kalendari i punimeve parashikon që çdo ditë të shqyrtohet një argument. Temat, siç ka shpjeguar atë Zollner, do të jenë: në radhë të parë, përgjegjësia - marrja mbi vete e përgjgjësisë; pastaj, tema e detyrës për të dhënë llogari e, së fundi ajo e transparencës. Çdo ditë do të ketë tre relacione, që do ta trajtojnë temën e ditës në këndvështrimin 1) e  ipeshkvit, detyrave të tij e sjelljeve të tij personale; 2) e bashkësisë së ipeshkvijve e të solidaritetit të tyre; 3) e mbarë bashkësisë kishtare, si popull i Zotit. Ati i  Shenjtë do të jetë i pranishëm gjatë gjithë ngjarjes e do të përmbledhë - në fund - çka u tha në këtë takim.

Nesër, konferencë shtypi

Nesër, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, do të mbahet Konferenca e Shtypit për paraqitjen e  takimit. Do të flasin kardinali Blasé J. Cupich, kryeipeshkëv i Çikagos, anëtar i Komitetit organizativ dhe imzot Charles J. Scicluna, kryeipeshkëv i Maltës, sekretar i dytë i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, anëtar i Komitetit Organizativ. Konferencën do ta drejtojë atë Federico Lombardi, kryetar i Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger-Benedikti XVI. I pranishëm, edhe atë Hans Zollner. E me ta, edhe motra Bernardette Reis, ndihmëse e drejtorit të përkohshëm të Sallës vatikanase të Shtypit, Alessandro Gisotti.

17 shkurt 2019, 15:40