Françesku: kush e do Kishën, nuk e akuzon, duke e shkatërruar me gjuhë

Ishte figura e Shën Piut nga Pietrelçina, që e frymëzoi Papën në takimin me besimtarët e kryedioqezës së Beneventos, para audiencës së përgjithshme, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në reflektimin e tij, Françesku kujtoi se ta duash Kishën, do të thotë të falësh!

R. SH. - Vatikan

Të shumtë e plot me dashuri për Papën, 2500 besimtarët e ardhur nga kryedioqeza e Beneventos. Të kryesuar nga imzot Felice Accrocca, besimtarët kampanë i kthyen kështu, Atit të Shenjtë,  vizitën që bëri më 17 mars në Pietrelçina, me rastin e njëqindvjetorit të dukjes së plagëve të përhershme të Shën Piut dhe në 50-vjetorin e vdekjes së Shenjtit. “Po më duket si të ishte ndonjë shenjtërim”- pohoi Papa - duke i përshëndetur të pranishmit, që e pritën me shumë entuziazëm.

Feja e patundur e atë Piut

Ishte dashuria e thellë për Kishën, mishëruar në Fratin kapuçin, zemra e reflektimit të Françeskut që, duke folur lirisht, kujtoi mikpritjen e ngrohtë gjatë shtegtimit në Pietrelçinë, shenjë e delikatesës së shpirtit, si dhe të sëmurët e shumtë, që pati takuar. Pastaj u ndalua tek figura e Shenjtit:

“Ai e deshi Kishën, me gjithë problemet që ka, me gjithë kundërshtimet e mëkatarët. Sepse Kisha është shenjte, është nusja e Krishtit, por ne, bijtë e Kishës, jemi të gjithë mëkatarë - e disa, edhe të mëdhenj! Po ai e deshi Kishën ashtu si ishte, nuk e rrënoi me gjuhë, siç është në modë sot, Jo, jo! Duaje! Kush e do Kishën, di edhe të falë, sepse e di mirëfilli se është edhe vetë mëkatar, që ka nevojë për ndjesën e Zotit”.

Nuk mund të jetohet gjithë jetën, duke akuzuar Kishën

Papa Françesku kujtoi se vetëm Zoti, duke falur, i ndreq të gjitha punët. Është e rëndësishme - nënvizoi - të kujtohen mangësitë, për t’i qortuar. Po kjo duhet bërë me dashuri për Kishën, pa menduar se na qenka e pamundur. Atë Piu e donte Kishën, me të gjitha problemet, me të gjitha kundërshtitë, me të gjitha mëkatet e bijve të saj:

“Nuk mund të kalohet gjithë jeta duke paditur, duke paditur, duke paditur Kishën. E kujt është zyra e akuzuesit? Kush është ai, që Bibla e quan akuzatori i madh? Nuk kuptoj… Nuk dëgjohet mirë… Djalli!  E ata, që e kalojnë gjithë jetën duke akuzuar, duke akuzuar, duke akuzuar, janë – nuk po them bij, sepse djalli nuk i ka - po miq, kushërinj, familjarë të djallit”.

Të dëshmojmë se dashuria është më e bukur se urrejtja

Papa inkurajoi besimtarët ta pranojnë gjithnjë më shumë dashurinë e Zotit, burim e shkak i gëzimit tonë të vërtetë. Një dashuri, që ta ndryshon krejtësisht jetën, posaçërisht të ligshtit e nevojtarit. Secili prej nesh, duke përhapur dashurinë hyjnore, jep ndihmesën e vet - pohoi Françesku - për të ndërtuar një botë më të drejtë e më solidare. Por e gjithë kjo është e mundur, vetëm nëse jemi dëshmitarë të dashurisë:

“Dëshmi! Mendoni Shën Françeskun, që ipeshkvi juaj e njeh mirë, çka u pati thënë dishepujve të vet? Shkoni, jepni dëshmi, pa fjalë të tepërta. Nganjëherë edhe duhet folur, por për t’ia nisur, nisjani me dëshmi, jetoni si të krishterë, duke dëshmuar se dashuria është më e bukur se urrejtja, se vëllazërimi ndërmjet nesh është shumë më i bukur se lufta”.

20 shkurt 2019, 14:29