Papa Françesku: të dëgjojmë britmën e të vegjëlve, që kërkojnë drejtësi

Në sallën e re të Sinodit, në Vatikan, u hap takimi kushtuar “Mbrojtjes së të miturve në Kishë”, që do të vijojë deri më 24 shkurt. Pas lutjes fillestare, fjala e hapjes, mbajtur nga Papa, i cili uroi që gjatë këtij takimi kaq të jashtëzakonshëm të mos flitet për dënime të thjeshta e të parashikuara, por të merren masa konkrete e të frytshme parandaluese.

R. SH. - Vatikan

“Përballë plagës së shpërdorimeve seksuale, kryer nga njerëz të Kishës, në dëm të të miturve, po e nisim udhën tonë, të armatosur me fe e me frymën më të lartë të parresisë, të sinqeritetit, të guximit, të konkretësisë”. Me këto fjalë e hapi Papa ditën e parë të takimit për “Mbrojtjen e të miturve në Kishë”. Në praninë e patriarkëve, kardinajve, kryeipeshkvijve, ipeshkvijve, eprorëve rregulltarë dhe drejtuesve, ardhur nga mbarë bota. Ati i Shenjtë  kërkoi të vihen në dëgjim të Shpirtit Shenjt, për ta dëgjuar britmën e të vegjëlve, “që duan drejtësi”.

Peshon rëndë mbi ne barra  e përgjgjësisë  baritore  dhe kishtare - vijoi - që na ngarkon me detyrën të diskutojmë së bashku, në mënyrë solidare, të sinqertë e të thelluar, për ta përballuar këtë të keqe që trondit Kishën dhe mbarë njerëzimin. Populli shenjt i Zotit na shikon e nuk pret nga ne   dënime të thjeshta, të parashikuara, por marrjen e masave konkrete e të frytshme. Duhet konkretësi!

Të mjekohen plagët e pedofilisë

Për të ndihmuar reflektimin, Papa Bergoglio, si mjet ndihmës,  kujtoi disa kritere të rëndësishme, të formuluara nga Komisione e Konferenca të ndryshme ipeshkvnore, parë si “vija-udhëheqëse", që iu dorëzuan pjesëmarrëve, por pa e cënuar frymën krijuese. Papa falënderoi, më pas, Komisionin për mbrojtjen e të miturve, Kongregatën për Doktrinën e Fesë  dhe anëtarët e Komitetit organizativ “për punën e shkëlqyer, zhvilluar me angazhim të  madh në përgatitjen e këtij takimi”.

Së fundi - kujtoi Françesku - i lutem Shpirtit Shenjt të na mbështesë këto ditë e të na ndihmojë ta shndërrojmë këtë të keqe, në mundësi për ndërgjegjësim e pastrim. Virgjëra Mari na shndritët në përpjekjen për t’i shëruar plagët e rënda, shkaktuar nga shkandulli i pedofilisë në shpirtin e  të mëdhenjve e  të vegjëlve, të besimtarëve e jo besimtarëve.

Ta dëgjojmë zërin e viktimave  

Punimet e takimit të madh nisën me një çast lutjeje. Të pranishmit i lartuan zërin Zotit, duke iu lutur që secili të mund t’ua vërë mirë veshin  atyre, “të cilët u dhunuan, u plagosën, u keqtrajtuan, u shpërdoruan, në mënyrë që të dalë në shesh e vërteta e të vihet në vend drejtësia”.  “Mos lejo, o Zot, që dështimet tona - u lutën pjesëmarrësit në këtë takim të paparë - të ndikojnë mbi njerëzit aq, sa ta humbasin besimin në Ty e në Ungjillin tënd”.

Pas lutjes, në sallë ra një heshtje e thellë. Në zemër të saj – një përvojë tejet e dhimbshme shpërdorimi, e lexuar:

“Askush nuk ma vinte veshin; as prindërit e mi, as miqtë, as, më vonë autoritetet kishtare. Nuk donin të ma dëgjonin zërin, as të ma shikonin lotin në sy. E unë pyesja, e pyes: pse? E pyes edhe: ‘Pse nuk më dëgjoi as Zoti?’”.

21 shkurt 2019, 12:40