Kërko

Papa kremton meshën në Sacrofano Papa kremton meshën në Sacrofano 

Papa: Krishti na liroftë nga frika e takimit me emigrantët

Në kremtimin eukaristik, me rastin e Takimit me veprimtarët, që mirëpresin emigrantët (Sacrofano, 15-17 shkurt), Papa Françesku fton t’i falenderojmë ata, që trokasin në dyert tona, pasi na japin mundësinë ta kapërcejmë frikën dhe të takojmë vetë Jezu Krishtin. Takimi me temë “Të lirë nga frika”, organizohet nga Karitasi Italian, Fondacioni “Migrantes” dhe Qendra Astalli.

R.SH. - Vatikan

Fraza “Mos kini frikë” qe në qendër të homelisë së Papës Françesku, në meshën e kremtuar sot pasdite, në Fraterna Domus të Sacrofano-s, pranë Romës, me rastin e Takimit me temë “Të lirë nga frika”, organizuar nga Karitasi Italian, Fondacioni “Migrantes” dhe Qendra Astalli. Në të janë mbledhur deri më 17 shkurt, realitete të ndryshme, që impenjohen në mikpritjen dhe në integrimin e emigrantëve në Itali.

Zoti na thotë: “Mos kini frikë”

Ati i Shenjtë përshkoi leximet liturgjike, duke i komentuar pikërisht sipas saj. Të mos kenë frikë, u kërkoi Moisiu izraelitëve, para se të kalonin Detin e Kuq. E ashtu u tha edhe Krishti dishepujve të vet, kur u trembën, ndërsa Ai ecte mbi ujë. Deshi të ecë edhe Pjetri, por dyshoi e Mësuesit Hyjnor u detyrua t’i jepte dorën për ta shpëtuar nga mbytja. “Njeri me pak fe” e qortoi.

         “Para ligësive dhe baltovinave të kohës sonë, edhe ne – vërejti Papa – ashtu si populli i Izraelit, tundohemi ta braktisim ëndrrën për liri. Ndiejmë frikën e ligjshme para gjendjeve, që duken pa rrugëdalje. E nuk mjaftojnë fjalët njerëzore të një prijësi apo të një profeti, për të na siguruar, kur nuk arrijmë ta ndiejmë praninë e Zotit e nuk jemi të aftë ta lëshojmë veten në duart e Provanisë së Tij”.

“E bëtë për mua”

         Kështu ndodh edhe kur para nesh paraqiten emigrantët: njerëz të panjohur, të huaj, të ndryshëm, që kërkojnë mbrojtje, siguri e punë. Duket sikur kërcënojnë qetësinë e vendeve ku shkojnë, pasi qytetarët pritës nuk janë të përgatitur për këtë takim, nënvizoi Papa Françesku. Nuk është e lehtë ta kuptosh tjetrin e kulturën e tij, por duhet ta kapërcejmë frikën e takimit me të. Ka një plan hyjnor, të cilit duhet t’i besojmë, sepse Zoti nuk e braktis Popullin e vet.

         “Takimi me tjetrin – pohoi Papa – është edhe takim me Krishtin. Na e ka thënë Ai vetë. Është Ai, që troket në portë, i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, i sëmurë e i burgosur, duke na kërkuar ta takojmë dhe ta ndihmojmë. E nëse kemi akoma ndonjë dyshim, ja fjalët e Tij, krejt të qarta: ‘Për të vërtetë po ju them: gjithçka bëtë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’(Mt 25,40)”.

Tek emigrantët, takojmë Krishtin

         Të tjerët, që trokasin në portë, vijoi Papa, janë pikërisht Krishti, të cilin nganjëherë nuk e njohim e kështu, biem viktima të frikës, por Ai nuk na braktis. Megjithëse nuk kemi shumë fe, Krishti vijon të na japë dorën “për të na shpëtuar e për të na lejuar ta takojmë; takim, që na shëlbon e na e rikthen gëzimin se jemi dishepuj të Tij”.

         “Kush ka pasur forcën të çlirohet nga frika – përfundoi Papa – kush e ka provuar gëzimin e këtij takimi, është i thirrur sot, ta kumtojmë këtë mbi çati, haptas, për t’i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, duke u përgatitur për takimin me Krishtin e me shëlbimin e Tij”.

Photogallery

Nga mesha e Papës në Sacrofano
15 shkurt 2019, 16:48