Papa Françesku dhe kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi, në Vatikan Papa Françesku dhe kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi, në Vatikan 

Papa Françesku në Campidoglio më 26 mars

Duke pranuar ftesën e kryetares së bashkisë së Romës, Virginia Raggi, Ati i Shenjtë do të takojë Këshillin Komunal. Është Papa i katërt, që shkon në Kapitol, pas shën Palit VI, shën Gjon Palit II dhe Benediktit XVI.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të shkojë në selinë e bashkisë së Romës, më 26 mars, për t’u takuar me Këshillin Komunal. Njoftimin e dha sot, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, i cili saktësoi se ftesa i ka ardhur Françeskut kohë më parë, nga kryetarja aktuale e bashkisë, Virginia Raggi.

Vizita e shën Palit VI

         Papa Françesku është i katërti, që shkon për vizitë në Campidoglio. I pari ka qenë shën Pali VI, më 16 prill 1966. Mbajti një fjalim të rëndësishëm, në të cilin vuri në dukje ndarjen e Kishës nga pushteti i kësaj bote, në atë seli, që dikur qeverisej nga papët e Romës. Pa keqardhje e pa shikuar pas, pati nënvizuar atëherë: “Ashtu si ju nuk hezitoni aspak të na prisni për atë, që jemi vërtet - personifikimi historik dhe mistik i Princit të Apostujve, pra, Vikari i Krishtit – ashtu edhe nga ana Jonë, pa asnjë dyshim, shohim në ju magjistratët dhe qytetarët, që administrojnë dhe përfaqësojnë, përmes zgjedhjeve të lira, Urben dhe popullin e saj”.

32 vjet më vonë, vizita e shën Gjon Palit II

         32 vjet më vonë, më 15 janar 1998, në Campidoglio shkoi shën Gjon Pali II. Edhe fjalët e tij shkonin në të njëjtën kahe me ato të Papës Palit VI. “Roma e krishterë dhe Roma civile – tha Papa polak – nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, nuk janë alternative” të njëra-tjetrës, por “të bashkuara, në respektimin e kompetencave të ndryshme”.

Më 9 mars 2009, vizita e Papës Benedikti XVI

         Vizita e fundit në bashkinë e Romës është ajo e Papës Benedikti XVI, më 9 mars 2009. Turmës së mbledhur jashtë i tha: “Jetoj prej vitesh në Romë, prandaj jam bërë romak”. Ndërsa Këshillit Komunal i foli për sfidat kulturore, shoqërore dhe ekonomike të kryeqytetit italian, duke premtuar kontributin e bashkësisë katolike në zgjidhjen e tyre, në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut e në respektimin e ligjit.

18 shkurt 2019, 13:23