Kërko

Papa Françesku lutet për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore

Pas Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi besimtarët të luten në emër të Shën Gjyzepina Bakhitës, që “të copëtohen zinxhirët e vëllezërve tanë, të katandisur në skllevër”.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, dy ditë pas Ditës V Botërore kundër trafikut të njerëzve, kremtuar me rastin e kujtimit liturgjik të Shën Gjyzepina Bakhitës, Papa Françesku u drejtoi qeverive një thirrje të fuqishme, që t’i përballojnë me vendosmëri shkaqet e trafikut të njerëzve e t’i mbrojnë  viktimat. Por - theksoi - nuk duhet harruar edhe se “të gjithë munden e duhet të bashkëpunojnë, duke i denoncuar rastet e shfrytëzimit dhe të skllavërimit të burrave, grave e fëmijëve”.

Falënderim rregulltareve

“I falënderoj të gjithë ata, që luftojnë në këtë front”- theksoi fort Papa Françesku - duke kujtuar në mënyrë të veçantë, rregulltaret e shumta, të angazhuara në frontin e ndeshjes me këtë fenomen kriminal.

Të bashkuar, kundër trafikut

“Së bashku, kundër trafikut!”, ishte motoja e këtij viti. E Papa i ftoi të gjithë “të bashkojnë forcat, për ta fituar luftën kundër trafikut”. E forca jonë është lutja. Ajo e mbështet angazhimin tonë të përbashkët - kujtoi Françesku - duke i ftuar besimtarët të thonë një lutje kushtuar Shën Gjyzepina Bakhitës, shitur skllave në Sudan, nga fundi i 800-tës e më pas, rregulltare në Veneto.

Lutja drejtuar Shën Gjyzepina Bakhitës

“Po të lutemi, ty, Shën Gjyzepinë, t’i ndihmosh të gjithë ata, që kanë rënë në kurthin e skllavërisë e, në emër të tyre, të ndërmjetësosh pranë Zotit të Mëshirës, që t’ua copëtojë zinxhirët e burgut!”.

Jezusi, model feje e shprese për viktimat

“Zoti pastë mëshirë e i liroftë të gjithë ata, që kërcënohen, plagosen e keqtrajtohen nga trafiku i njerëzve - u lut, së bashku me besimtarët, Papa. - E Shenjtja, që e provoi mbi kurrizin e vet trafikun, ndërmjetësoftë pranë Atij të Lumit t’i lehtësojë ata, që shpëtojnë gjallë nga kjo skllavëri e t’i mësojë ta shikojnë Jezusin si model feje e shprese, që kështu të mund t’u shërohen plagët”.

Hapini sytë, për të parë plagët

“Të lutemi të ndërmjetësosh për ne të gjithë - vijoi lutja drejtuar Shenjtores pajtore -  që të mos na pushtojë indiferenca, por t’i hapim mirë sytë, për të parë mjerimin dhe plagët e vëllezërve e të motrave tona të shumta, që humbën lirinë dhe dinjitetin e ta dëgjojmë britmën e tyre për ndihmë! Amen!”.

10 shkurt 2019, 15:22