Kërko

Papa Françesku kërkon të lutemi dhe t’i mirëpresim viktimat e trafikut

Të lutemi për mikpritjen e viktimave të trafikut, të prostitucionit të detyruar dhe të dhunës”: Ky është ndjeti i Papës Françesku për muajin shkurt. Ati i Shenjtë denoncon: skllavëria është realitet tragjik në botën e sotme.

R.SH. - Vatikan

Burra dhe gra, fëmijë, madje edhe të pashoqëruar, ikin çdo ditë nga tokat e tyre, për shkak të luftës, urisë dhe varfërisë, për shkak të persekutimeve politike apo fetare, duke u përballur me abuzime të çdo lloji. I shohim, ose dëgjojmë të flitet për ta çdo ditë e, ndoshta, jemi mësuar tashmë. “Ndërkaq, nuk shohim – lexohet në një komunikatë të Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës - organizatat kriminale, që përfitojnë prej tyre, duke skllavëruar burra, gra dhe fëmijë, duke i shfrytëzuar për punë ose seksualisht, për tregtinë e organeve, për t’i bërë lypsarë, ose për t’i kthyer në kriminelë”.

Videomesazhi i Papës Françesku

Fjalët që shqipton Papa në video, për të paraqitur ndjetin e lutjes për muajin shkurt, “mbërrijnë drejtpërdrejt në zemër dhe në ndërgjegje”. Ky, mesazhi i tij:

“Edhe nëse përpiqemi të mos e shohim, skllavëria nuk është e kohëve të tjera. Përballë këtij realiteti tragjik, askush nuk mund t’i lajë duart nëse nuk dëshiron të jetë, në një farë mënyre, bashkëpunëtor në këtë krim kundër njerëzimit. Nuk mund ta injorojmë faktin se sot, në botë, ekziston skllavëria, po aq, ose ndoshta, edhe më shumë se më parë. Të lutemi për mikpritjen bujare të viktimave të trafikut të njerëzve, të prostitucionit të detyruar dhe të dhunës”.

Kemi nevojë të impenjohemi e të lutemi

Papa Françesku kujton se fenomeni i skllavërisë na prek të gjithëve. Nga ana e tij, atë Frédéric Fornos, meshtar jezuit, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, shkruan: “Para kësaj tragjedie njerëzore, para vuajtjeve të shumta, mungesës së mbrojtjes dhe ankthit të burrave, grave dhe fëmijëve, viktima të trafikut të njerëzve dhe të skllavërisë, shpesh, në një kuadër emigracioni, çfarë mund të bëjmë? Të denoncojmë bashkëfajësinë tonë, por edhe të lutemi”.

Impenjim kolektiv kundër trafikut

Kohët e fundit, seksioni “Emigrantët dhe Refugjatët” i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor paraqiti dy dokumente të rëndësishme, që i propozojnë gjithë Kishës veprime konkrete për të luftuar kundër çdo forme trafikimi. Në bashkëpunim me këtë Dikaster, me rrjetin botëror të jetës së përkushtuar, me Talitha Kum, me Shërbimin e Jezuitëve për Refugjatët, me Akademinë Papnore të Shkencave dhe me Apostullimin e Detit, Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës merr pjesë në Ditën Botërore të lutjes dhe të reflektimit kundër trafikut të qenieve njerëzore, me hashtag #InsiemeControLaTrattaDiPersone, në mediat shoqërore.

07 shkurt 2019, 18:19