Kërko

Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  

Papa Françesku: jini ngulmues në kohën e pikëllimit

Sot, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, gjatë kremtimit të Meshës së mëngjesit, Papa komentoi kryesisht Leximin I (Heb.10,32-39): ishte katekizëm kushtuar ngulmimit. Ftesë për ngulm në udhën e fesë, ngulm në shërbim të Zotit.

R. SH. - Vatikan

Të gjithë kalojnë kohë “të trishta”, “çaste të errta”, në të cilat të duket sikur gjithçka e humbet kuptimin. Por pikërisht në çaste të tilla të krishterët duhet të ngulmojnë, për të arritur deri në çastin e përmbushjes së premtimit të Zotit. Nuk duhet të rrëzohen! As të zmbrapsen.

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku u nis nga Leximi I (Heb 10, 32-39) për të reflektuar mbi kuptimin e ngulmimit në udhën e jetës. Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve u flet të krishterëve, që kalojnë  kohë të errta, çaste persekutimi, ashtu si çdo njeri, sepse askujt nuk i mungojnë çaste të tilla. Çaste, kur jeta të duket krejt e kotë e nuk të ngushëllon asgjë. Kur të duket se të lëshon shpirti. Çaste pikëllimi të thellë, që i jetoi edhe vetë Jezusi:

“Jeta e krishterë nuk është karnaval, nuk është festë, as gëzim i pambaruar; jeta e krishterë ka çaste shumë të bukura, por edhe shumë të këqija, çaste vaktësie, këputjeje, kur të duket se nuk ia vlen më të jetosh... çaste pikëllimi të thellë. E në këto çaste, si për shkak të persekutimeve, që na vijnë nga jashtë, ashtu edhe të gjendjes sonë shpirtërore, autori i Letrës drejtuar Hebrenjve, thotë: ‘Keni nevojë vetëm për ngulm’. Po. Ngulm? E pse? ‘Sepse duke bërë vullnetin e Zotit, do të merrni atë, që ju është premtuar. Ngulm, pra, për të arritur  premtimin!”.

Kujtesë e shpresë, për premtimin

Në katekizëm, Papa Bergoglio theksoi dy elemente, një lloj “recete” kundër pikëllimit: së pari, kujtesë e shpresë. E, si Apostulli, vërejti se duhet të kujtojmë çastet e bukura, “ditët e lume të takimit me Zotin”; “kohën e dashurisë”. E, së dyti, të kemi shpresë për çka na u premtua. Kështu na shkon kjo jetë  - kujtoi Papa - me çaste të bukura e të shëmtuara. Rëndësi ka të mos e lëshosh veten, të mos rrëzohesh, të mos zmbrapsesh kur  të sulmon pikëllimi e  të duket se e ardhmja nuk  të premton më asgjë:

“Duhet qëndresë në çastet e shëmtuara, qëndresë kujtese e shprese, qëndresë zemre: zemra, kur mendon çastet e bukura, galdon; kur shikon shpresën, mbushet me frymë. Këtë duhet të bëjmë në çastet e dëshpërimit, për të gjetur ngushëllimin e parë, ngushëllimin e premtuar nga Zoti”.

Ngulmimi i martirëve të krishterë

Së fundi, Papa Françesku kujtoi shtegtimin e tij apostolik në Lituani, në shtator 2018, duke theksuar se u prek pa masë nga guximi i shumë të krishterëve, shumë martirëve, që ngulmuan deri në fund në fe:

“Edhe sot shumë, shumë burra e gra, që vuajnë për fenë, por kujtojnë takimin e tyre të parë me Jezusin, shpresojnë dhe e vijojnë deri në fund rrugën e nisur. Kjo është këshilla, që na jep autori i Letrës drejtuar Hebrenjve për çastet e persekutimeve, kur të krishterët martirizohen: ‘Ngulmoni!’”.

E edhe kur djalli na sulmon me një mori tundimesh - përfundoi Ati i Shenjtë - duhet t’ia ngulim gjithnjë sytë Zotit, të ngulmojmë me ngulmin e Kryqit, duke kujtuar çastet e bukura të dashurisë, të takimit me Zotin e shpresën, që na pret”.

01 shkurt 2019, 12:38