Papa takohet me Apostolikì Diakonia nga Kisha e Greqisë Papa takohet me Apostolikì Diakonia nga Kisha e Greqisë 

Papa Françesku: dishepujt e Krishtit të mos jenë peng të dallimeve

Në Sallën e Papëve, Ati i Shenjtë pret në audiencë delegacionin e “Apostolikì Diakonia” nga Kisha e Greqisë dhe lëvdon frytet e bashkëpunimit e të dialogut ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve.

R.SH. - Vatikan

“Të ecim së bashku”, jo “secili në rrugën e vet”, por “si vëllezër të cilët Provania i mblodhi bashkë”: në këtë mënyrë, katolikët dhe ortodoksët mund të provojnë se kanë më tepër gjëra që i bashkojnë, se sa i ndajnë. Papa Françesku i përqafoi sot vëllazërisht anëtarët e delegacionit “Apostolikì Diakonia” nga Kisha e Greqisë, të cilët i priti paradite, në Vatikan. Fillimisht, Ati i Shenjtë u kërkoi një “favor”: pasi të kthehen në Athinë, t’i çojnë “urime të përzemërta” Fortlumturisë së Tij Ieronymos II, i cili festoi 11-vjetorin e fronëzimit, më 16 shkurt.

Të mos jeni peng të dallimeve

Papa Bergoglio shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet “Apostolikì Diakonia” dhe Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Prej më se 15 vjetësh, kjo lidhje e ngushtë vijon edhe përmes “projekteve të shumta e të lavdërueshme kulturore dhe formuese”.

“Të rinjtë na mësojnë të mos mbetemi peng të dallimeve, por të dëshirojmë me gjithë shpirt të ecim bashkë, duke ëndërruar kapërcimin e vështirësive, që e pengojnë bashkimin e plotë. Të ecim së bashku, të punojmë së bashku, për të rizbuluar se jemi vëllezër, varet prej nesh”.

Ati i Shenjtë rinovoi ftesën për të ecur “jo secili në rrugën e vet, duke ndjekur qëllimet personale, sikur tjetri të ishte vetëm dikush, që ma ka vënë pranë historia, por si vëllezër që Provania Hyjnore i ka bërë të takohen dhe të ecin së bashku drejt të njëjtit Zot, duke mbajtur barrët e njëri-tjetrit, duke u gëzuar për hapat e tjetrit”.

Aleatë për familjen

Një fushë tjetër e bashkëpunimit, për të cilën foli Papa Françesku, është ajo familjare. Jetojmë në një shoqëri të karakterizuar nga “ndryshime shumë të shpejta”, që shkaktojnë “brishtësi shpirtërore në rritje”. Skenarë, që sjellin shumë sfida për familjet e krishtera, “edhe pse u përkasin zonave të ndryshme gjeografike dhe kulturore”.

“E ne jemi të thirrur t’u qëndrojmë pranë, t’i ndihmojmë familjet të rizbulojnë dhuratën e martesës dhe bukurinë e ruajtjes së dashurisë, e cila përtërihet çdo ditë në jetën e përbashkët, plot durim dhe sinqeritet, si edhe në fuqinë e butë të lutjes. Jemi të thirrur t’u qëndrojmë afër edhe kur jeta familjare nuk realizohet sipas idealit të plotë ungjillor dhe nuk rrjedh në paqe e gëzim”.

25 shkurt 2019, 12:34