Kërko

 Papa duke soditur veprat e artit Papa duke soditur veprat e artit 

Emiratet: Papa pa shtatoren e Krishtit dhe disa faqe të Kuranit

Ngjarja ndodhi gjatë shtegtimit apostolik të Françeskut në Emiratet e Bashkuara Arabe, në fund të Konferencës kushtuar Vëllazërimit njerëzor, në Abu Dabi. Veprat artistike fetare, simbole të rëndësishme për fenë katolike e myslimane, ekspozohen në Koleksionin Louvre, në kryeqytetin e Emirateve.

R. SH. - Vatikan

Gjatë vizitës historike në Emiratet e Bashkuara Arabe, Papa pati rastin të sodiste vepra domethënëse fetare të Koleksionit Louvre Abu Dabi dhe të Muzeut Kombëtar Zayued. Ngjarja ndodhi të hënën, në praninë e Shehut Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, princ trashëgimtar i Abu Dabit, dhe zëvendës-komandant i lartë të Forcave të Armatosura të EBA, në përfundim të Konferencës mbi Vëllazërimin Njerëzor, që u mbajt në kryeqytetin e Emirateve Arabe, pasuar, të marten e kaluar, nga Mesha shenjte, kryesuar për herë parë nga një Papë, në gadishllin arabik.

Shtatorja e Krishtit të munduar, e shek XVI

E para, titulluar “Krishti tregon plagët”, është vlerë e vërtetë  e koleksionit të përhershëm Louvre Abu Dabi. Skulptura, e shek XVI, realizuar në dru, ardhur nga Gjermania ose nga Austria, është shtatore me madhësi natyrale e Krishtit, me kurorë ferrash e me plagët e hapura. E skalitur në periudhën e vonë gotike, vepra mbetet shprehje e lartë artistike e fesë së krishterë.

Katër faqe,  dorëshkrim i Kuranit blu të viteve ‘800-1000 pas Krishtit

Vepra e dytë, katër faqe nga dorëshkrimi i famshëm i Kuranit blu, datuar 800-1000 pas Krishtit, ekspozohej në Louvre Abu Dabi, si pjesë e koleksionit privat të Zayed National Museum. Kurani blu quhet kështu, sepse është i shkruar me shkronja të praruara kufike, mbi një pergamenë të rrallë, ngjyrë blu. Poshtë materialeve të çmuara, shkruhet se u blenë nga një tregtar i pasur.  

Dy vepra, të dy feve të ndryshme, për të fuqizuar temën e Vëllazërimit

Mohammed Khalifa Al Mubarak, kreu i Departamentit të Kulturës dhe Turizmit të Emirateve, nënvizoi se veprat e sapoekspozuara ripohojnë  dialogun e hapur nga Shteti dhe komentoi: “Ishte nder i madh për Abu Dabin të mikpriste Konferencën e Vëllazërmit Njerëzor, në praninë e dy liderëve më të mëdhenj shpirtëror të Botës: Papës Françesku dhe Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmed Al-Tayeb. Paraqitja e këtyre dy veprave të rralla, shprehje artistike të dy feve të ndryshme, shërbeu për të fuqizuar temën e Konferencës, që na kujton se hapja e zemrave dhe dialogu kulturor janë mjete themelore për krijimin e lidhjeve ndërkulturore e ndërfetare pozitive”.

Dy veprat e rralla do të pasurojnë koleksionet e muzeve ndërkombëtare Louvre Abu Dabi dhe Zayed, të cilat, që në vitin e parë, u vizituan  nga më se një milion  vetë: Louvre Abu Dabi, me koleksionin, që tregon me gjuhën e artit, universalitetin e njerëzimit,  dhe Muzeu Kombëtar Zayed, me koleksionin e veprave të artit të nivelit ndërkombëtar, që pasqyrojnë trashëgiminë e pasur të Emirateve të Bashkuara Arabe e, më gjërë, të gjithë botës arabe e islamike.                                   

08 shkurt 2019, 15:17