Kërko

 Papa niset drejt Abu Dhabit Papa niset drejt Abu Dhabit 

Papa u nis për në Abu Dabi, për të ndërtuar ura vëllazërimi

Udhëtimet dhe takimet e Papës Françesku me popullsitë myslimane në gjithë botën, në shenjën e dashurisë për njerëzimin, ndërsa Ati i Shenjtë niset për në Abu Dabi, në udhëtimin apostolik drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku u nis sot, në orën 13, për në Abu Dabi, ku pritet të arrijë rreth orës 22.00. Para se të hipte në avion, Ati i Shenjtë  Bergoglio vizitoi një strukturë që ndihmon njerëzit pa shtëpi, në aeroportin e Fiumiçinos. Ajo bën pjesë në projektin “Jetë në tranzit, fytyra njerëzore e aeroportit” dhe u garanton një strehë nevojtarëve, që kërkojnë një vend të ngrohtë, të palagur nga shiu e të parrahur nga era e dielli. Në këtë projekt, që ka filluar në vitin 2017, bashkëpunojnë Aeroportet e Romës, Karitasi i dioqezës së Porto-Santa Rufina dhe famullia e aeroportit.

Vizita e parë e një pape në Emiratet e Bashkuara Arabe

Por le t’i kthehemi udhëtimit apostolik. Kjo është vizita e parë e një pape në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të marrë pjesë nesër, në konferencën ndërkombëtare ndërfetare me temë “Vëllazërimi njerëzor”. Kujtojmë se Gadishulli arabik është djepi i fesë myslimane, prandaj Papa shkon të theksojë një impenjim, që e karakterizon papninë e tij: atë të ndërtimit të urave të njohjes e të dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, me besimin e ndërsjelltë se jemi vëllezër.

Respekti dhe besimi reciprok në Shqipëri

Të shumta, udhëtimet e Atit të Shenjtë Françeskut në vendet, ku shumica e popullsisë është myslimane. Kujtojmë fillimisht Shqipërinë, vendin e parë evropian, vizituar nga Papa Françesku. Në Tiranë, Papa Bergoglio foli “për një tipar të bukur të Shqipërisë, që duhet ruajtur me kujdes dhe vëmendje: bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme. Atmosfera e respektit dhe e besimit reciprok ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve, është pasuri e çmuar për vendin dhe merr rëndësi të veçantë në kohën tonë”. Gjatë kthimit, Ati i Shenjtë nënvizoi se bashkëjetesa ndërmjet feve në Shqipëri shkon përtej tolerancës e foli për “vëllazërim”.

Virtytet e Islamit e lutja e përbashkët për paqen

Në maj 2014, Ati i Shenjtë shkoi në Jordani, etapa e parë e shtegtimit të tij në Tokën Shenjte. Në takimin me mbretin Abdullah II lavdëroi rolin e sovranit “në promovimin e mirëkuptimit të virtyteve, shpallur nga Islami, si edhe të bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimtarëve me fe të ndryshme”. Papa uroi marrëdhënie të mira e të përzemërta ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Në Turqi, po atë vit, Papa u lut në xhami së bashku me Myftiun e Stambollit.

Vëllazërimi ndërmjet të krishterëve e myslimanëve

Një vit më vonë, në nëntor 2015, në Republikën e Afrikës Qendrore, Papa Françesku u takua me bashkësinë myslimane në xhaminë qendrore të Banguit. “Të krishterë e myslimanë jemi vëllezër – tha në atë rast. – Prandaj, duhet të konsiderohemi e të sillemi si të tillë”. Në Azerbajxhan, në nëntor 2016, në xhaminë e Bakusë, Ati i Shenjtë nënvizoi: “Nuk mund t’i drejtohemi Zotit për interesa vetjake e për qëllime egoiste. Hyji nuk mund të justifikojë asnjë formë fundamentalizmi, imperializmi apo kolonializmi. …Kurrë më dhunë, në emër të Zotit! Emri i Tij duhet adhuruar e jo profanuar nga urrejtjet dhe kundërvëniet njerëzore”.

Dhuna e maskuar me shenjtëri

Në qendrën e Islamit sunit, në Egjipt, Papa shkoi në xhaminë dhe në universitetin e al Azharit, në prill 2017. Gjatë takimit me Imamin e madh të al Azharit, Muhammad al Tayyib, theksoi: “Si udhëheqës fetarë, jemi të thirrur ta zbulojmë dhunën, që maskohet me shenjtërinë, duke u mbështetur mbi absolutizimin e egoizmit, në vend të hapjes së vërtetë të zemrës ndaj Absolutit. Na kërkohet t’i denoncojmë shkeljet kundër dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, të nxjerrim në dritë përpjekjet për të justifikuar të gjitha format e urrejtjes në emër të fesë dhe t’i dënojmë ato si falsifikim idhujtar të Hyjit: emri i Tij është i Shenjtë, Ai është Zoti i paqes. Prandaj vetëm paqja është e shenjtë dhe asnjë dhunë nuk mund të kryhet në emër të Hyjit, sepse do ta përdhoste emrin e Tij”.

Ta zëvendësojmë kulturën e konfliktit me kulturën e takimit

Paqja dhe pajtimi, në qendër të mendimeve të Papës edhe në udhëtimin e tij në Mianmar dhe Bangladesh. Në Dacca (Bangladesh), Françesku vuri në dukje se: “Kur liderët fetarë flasin publikisht, njëzëri, kundër dhunës së maskuar me fe dhe përpiqen ta zëvendësojnë kulturën e konfliktit me kulturën e takimit, gjejnë frymëzim në rrënjët më të thella shpirtërore të traditave të tyre”.

Përqafimet me Imamin e Madh të al-Azharit

Për t’u vënë në dukje edhe katër takimet e Papës me udhëheqësin botëror të Islamit Sunit, Ahmed Muhamed Al-Tayyib, në një angazhim të përbashkët për paqen, kundër fundamentalizmit dhe ekstremizmit. Përveç Kajros, Imami i madh e ka takuar Françeskun tri herë në Vatikan, në maj 2016, në nëntor 2017 dhe në tetor 2018. Takimi i nesërm në Emiratet Arabe, ku të dy do të marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Vëllazërimin njerëzor, organizuar në Abu Dabi nga Këshilli i Pleqve myslimanë, do të jetë rast për të përsëritur impenjimin për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet feve, para më se gjashtëqind eksponentëve të bashkësive të ndryshme fetare.

03 shkurt 2019, 13:23