Emirati Arabi, Grande Moschea di Abu Dhabi, Moschea Sheikh Zayed Emirati Arabi, Grande Moschea di Abu Dhabi, Moschea Sheikh Zayed 

Papa në Emiratet Arabe, që përpiqen të jenë model bashkëjetese e vëllazërimi

E diel e veçantë e sotmja, për Papën e për Kishën. Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, rreth orës 13.00, Françesku do të niset për Emiratet e Bashkuara Arabe.

R. SH. - Vatikan

Shtegtimi i Papës Françesku në Emiratet Arabe, është i pari i një Pape në gadishullin arabik. Çastet kryesore të kësaj vizite, që shumëkush e quan historike, janë takimi ndërfetar, nesër, në Founder’s Memorial dhe Mesha Shenjte, të marten e ardhshme, në Stadiumin “Zayed Sports City”. Në videomesazhin, në prag të këtij shtegtimit, Papa shprehu gëzimin për vizitën në Emiratet Arabe.

Videomesazhi nis me këto fjalë: “Jam i lumtur që do të mund të vizitoj, pas pak ditësh, vendin tuaj, tokë, që përpiqet të jetë model bashkëjetese, vëllazërimi njerëzor e takimi ndërmjet qytetërimeve e kulturave të ndryshme, ku shumë njerëz gjejnë vend të sigurt për të punuar e për të jetuar lirisht, në respekt e larmi. Gëzohem pa masë - vijon mesazhi papnor - që më jepet rasti të takoj një popull,  i cili  e jeton të sotmen me shikimin drejtuar nga e ardhmja”.

Papa: besimi në Zotin bashkon, nuk ndan

Shtegtimi, me moton “Më bëj, o Zot, mjet të paqes sate”, rikujton  dëshirën për paqëtim  që, 8 shekuj më parë, pati shoqëruar  takimin e Shën Françeskut me sulltanin e Egjiptit Malik Al Kamil. Pikërisht dialogu ndërfetar është një nga shtyllat e vizitës, që do të përfundojë me 5 shkurt. Përmasa tjetër kryesore e shtegtimit, është takimi me bashkësinë katolike vendase, më se 900 mijë vetë, posaçërisht emigrantë.

03 shkurt 2019, 11:02