Pëllumbat e paqes në fluturim Pëllumbat e paqes në fluturim 

Leksiku papnor-reflektim mbi fjalët e Françeskut. Sot, “Vëllazërimi e paqja”, parë me sytë e qiellit

Fjala më e freskët e fjalorit papnor “Vëllazërim”, jehoi përsëri në shtigjet e Vitit 2019. Këtë herë, shumë larg Romës, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

R. SH. - Vatikan 

Fjala e vitit, që përshkoi mesazhin papnor “Urbi et Orbi”, drejtuar Romës e Botës, ditën Krishtlindjes 2019, ishte “Vëllazërim”.

Këto ditë, që Françesku i kaloi me vëllezërit e Islamit në Emiratet e Bashkuara Arabe, sollën frytin më të bukur të kësaj fjale, paqen. Pikërisht për t’i bërë realitet këto dy fjalë, ishte këtë fillimjave Papa në Abu Dabi. Ku kreu një gjest të ri profetik të papnisë së tij. Nënshkroi, së bashku me  Imamin e  Madh të Al-Azhar, “Dokumentin e Vëllazërimit njerëzor”.

Vëllazërim universal, i parë me sytë e Qiellit. Që përshkoi edhe bisedën e Papës në avionin shtegtar drejt Romës, ngarkuar me dy frytet më të dëshiruara të njerëzimit.

Vëllazërimin, ëndërr e ndritur nga rrezet e diellit.

E paqen, dritë nëpër agime. Pritë për korbat e zinj, që ndjellin fusha betejash plot me kufoma.

Vëllazërimi ka në sy gazin e jetës.

Pa të, nëpër botë shtegton vetëm dhimbja e vetmisë sonë, pa paqe.

E paqja, që buron prej tij, është shpresë, që hyn me rrezet e diellit edhe nëpër hekurat e kryqëzuara  të burgut.

Njerëzia e dëshirojnë vëllazërimin. E ëndërrojnë syçelur. E kërkojnë udhë pa udhë, sepse pa të nuk kanë paqe. E, kur e gjejnë, e bekojnë.

Vëllazërimi të përtërin e të bën të ndjesh si zgjatet filli i jetës.

E, kur e mohon, domethënë se sheston prita, për të vrarë paqen. Për të vrarë qetësinë, mungullimin. Për të ndërtuar mbretërinë e zisë e të  dhimbjes!

Vëllazërimi njerëzor është amaneti i etërve, udhëtarë nëpër shtigje shekujsh.

Vëllazërimi është Fjala e Vitit 2019. E tha Papa në Mesazhin e Krishtlindjes, drejtuar Romës e botës, për ta nënshkruar, pastaj, në Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me  Imamin e  Madh të Al-Azhar.

Nënshkruhej, kështu, paqja, parë me sytë e qiellit. “Dokumenti i Vëllazërimit njerëzor” - fjollë kemi, lartuar drejt fronit të Zotit! 

09 shkurt 2019, 12:02