Kërko

Vatican News

Përqafimi i Papës me bashkësinë katolike: i krishteri “i armatosur” vetëm me fe e dashuri

Historike, mesha e kremtuar nga Papa në Stadiumin Zayed të Abu Dabit, ku morën pjesë 180 besimtarë nga 100 kombësi të ndryshme dhe 4 mijë myslimanë. E para meshë e një Pape në Gadishullin arabik. Me këtë ngjarje përfundoi edhe shtegtimi apostolik në Emiratet Arabe, kushtuar dialogut ndërfetar dhe takimit me bashkësitë e krishtera në vend.

R. SH. - Vatikan

Të jeni oazë e paqes, falë Lumnive, “hartë jete”: kush i jeton, është si pema që thith ajër të ndotur e lëshon oksigjen. Kjo, një nga figurat e përdorura nga Papa Françesku gjatë Meshës, skicim i stilit të dëshmisë,  për të cilën janë të thirrur katolikët në Emiratet Arabe. Nuk duhet të bëjnë  gjëra të jashtëzakonshme, por të ndjekin Jezusin me butësi e dashuri për vëllezërit, ashtu si u kujtonte Shën Françesku fretërve të tij, duke i këshilluar, sidomos, të mos grinden kurrë.

Përqafim prekës, ky i pasardhësit të Pjetrit, që shkeli për herë të parë në trojet e Gadishullit Arabik e për herë të parë kremtoi Meshën në këtë zonë. I dukshëm, emocioni. E hareshme, klima e festës. Brenda e jashtë stadiumit. I jashtëzakonshëm, devocioni i 180 mijë besimtarëve të pranishëm në stadium e 45 mijë të tjerëve, jashtë, që Papa i përshëndeti  gjatë xhiros me papamobil. Janë emigrantë katolikë - pakicë, që përbën 10% të popullsisë - ardhur në Emiratet Arabe për të punuar. Shumica aziatikë: indianë e filipinas, por edhe të ardhur nga vise të tjera, me rite e gjuhë të ndryshme, të bashkuar nga feja e edhe nga gëzimi i papërshkrueshëm i festës, kremtuar nën rrezet e shndritshme të diellit. “Një kor” prej rreth 100 kombësish, që Shpirti Shenjt dëshiron ta harmonizojë gjithnjë, për të formuar me të polifoninë e përkryer të fesë e të dëshmisë për të gjithë”. Për besimtarët kaldeas, koptë, greko-katolikë, greko-melkitë, latinë, maronitë, siro-katolikë, siro-malabarezë, siro-malankarezë. Të pranishëm, edhe 4 mijë myslimanë. Me ta, ministri i tolerancës. Ishte kremtimi më i madh i krishterë publik në Gadishullin arabik.

Lumnitë, përmbysje e mendimit të zakonshëm  

Lum! Kjo është fjala me të cilën  Jezusi e nisi predikimin në Ungjillin e Mateut, lexuar në Meshën e sotme, kremtuar nga Papa. E edhe fjala me të cilën e nisi Françesku homelinë e Meshës, në Stadiumin Zayed, ku rreth tij shtrëngohej e gjithë bashkësia e vogël, shumëkombëshe, që jeton e punon në këto vise. Lum! - theksoi Ati i Shenjtë - Na e  përsërit edhe neve sot Zoti, si të donte të vuloste në shpirtin tonë një mesazh bazal: nëse je me Jezusin, nëse si dishepujt e asokohshëm dëshiron ta dëgjosh fjalën e Tij, nëse përpiqesh ta jetosh ditë për ditë, edhe ti je i lum!

Këto, fjalët e para të homelisë, gjatë së cilës Papa u kujtoi besimtarëve se t’i jetosh lumnitë, do të thotë ta kuptosh jetën si histori dashurie besnike ndaj Zotit, që nuk të lëshon kurrë dore.

Gëzimi i takimit me Jezusin të jep paqe

Nga takimi me Jezusin - vijoi Papa - buron një gëzim, që të jep paqe edhe në çastet më të dhimbshme. Gëzim, i cili të bën ta parashijosh qysh mbi tokë, lumturinë që të pret përgjithmonë!

Duke parë sytë plot me dritën e shpresës, të qindra të krishterëve, që e ndiqnin e që jetojnë larg bashkësive të tyre, në një tokë të huaj, Papa, me zë vërtet atëror, u tha:

“Të dashur vëllezër e motra, plot me gëzimin e këtij takimi, erdha t’ju them një fjalë: ‘të lum!’”.

E më pas, duke vijuar të kujtojë Lumnitë, theksoi se në ta shikojmë përmbysjen e mendimit të zakonshëm. Sipas këtij mendimi, të lum janë të pasurit, të pushtetshmit, ata që kanë sukses, që brohoriten nga turmat. Po mendimi i Jezusit nuk është mendimi i botës. Për Zotin, të lum janë të varfrit, të butët, që mbeten të drejtë edhe kur rrezikohen të bëjnë figurë të keqe para atyre, që mendojnë ndryshe. Janë të persekutuarit.

Pas këtyre fjalëve, pyetja, që dukej sikur nuk u drejtohej vetëm atyre të krishterëve të dëshiruar për të dëgjuar zërin e Kryebariut, por gjithë të krishterëve e secilit nga ne: “Kush ka arsye, Jezusi apo bota?

Të shikojmë si jetoi Jezusi

Për t’i dhënë përgjigje, duhet të shikojmë si jetoi Jezusi: i varfër në sende e i pasur në dashuri. Shërbëtor, jo i shërbyer. Mësues që na kujton se nuk është i madh ai që ka, por ai që jep. I drejtë, që lejoi të dënohej padrejtësisht. Kështu e solli në botë dashurinë e Zotit. E kështu e mundi vdekjen, mëkatin, frikën nga mendësia e botës. Ta ndjekim, pra, këtë dashuri të përvuajtur. Sepse jeta mund të ketë kuptim vetëm në bashkim me Të  e në dashurinë për të tjerët.

Kryebariu lavdëron grigjën e vogël, guximtare

“Erdha t’ju falënderoj për mënyrën si e jetoni Ungjillin, që sapo e dëgjuam”- u tha Papa këtyre besimtarëve kaq të veçantë për vendin ku jetojnë e mënyrën si jetojnë. Thuhet se Ungjilli i shkruar ndryshon nga ai i  jetuar, si muzika e shkruar nga ajo e luajtur:

“Ju këtu e njihni melodinë e Ungjillit dhe e jetoni entuziazmin e ritmit të tij. Jeni një kor, që e kupton larminë e kombeve, gjuhëve, riteve, aq sa bariu juaj, imzot Hinder, mendon se, me shembullin tuaj, shpesh jeni ju barinjtë e tij”.

Shën Françesku fretërve: mos u grindni, por rrokni armët e fesë e të dashurisë

Në vijim Papa vuri theksin mbi dy Lumni: “Lum të butët” e “Lum veprimtarët e paqes”. Nuk është i lum kush kërcënon a kush dhunon - theksoi - duke kujtuar më pas Shën Françeskun, i cili, kur u jepte udhëzime fretëve të vet përudhë ndërmjet saraçenëve, e jo të krishterëve, u jepte së pari porosinë të mos grindeshin kurrë, “por ta donin çdo krijesë njerëzore, për dashuri të Zotit” e t’u tregonin të gjithëve se ishin të krishterë.

Larg grindjeve e sherreve! Kjo vlen edhe për priftërinjtë - theksoi me forcë Papa - Në atë kohë kur shumëkush mbërthehej në armaturën e rëndë, Shën Françesku u kujtonte sivëllezërve se i krishteri niset i armatosur vetëm me fenë e vet të përvujtë e me dashurinë konkrete. Ka shumë rëndësi butësia: nëse do të jetojmë në botë ashtu si dëshiron Zoti, do të bëhemi kanale të pranisë së Tij; përndryshe, nuk do të sjellim fryte.

Ta ruajmë paqen

I krishteri, pastaj, është i thirrur ta promovojë paqen, duke u nisur nga bashkësia në të cilën jeton - nënvizoi Françesku - që më pas përdori një paralelizëm ndërmjet bashkësisë së Emirateve e asaj të Filadelfias, së cilës i drejtohet Jezusi në Librin e Zbulesës, e, në ndryshim nga të gjitha të tjerat, nuk e qorton për asgjë. Nuk është e rastit që Filadelfia do të thotë “dashuri ndërmjet vëllezërish”:

“Kërkoj për ju hirin ta ruani paqen, unitetin e të kujdeseni njëri për tjetrin, me atë vëllazërim të bukur, për të cilin nuk ka të krishterë të klasës së parë e të klasës së dytë. Jezusi, që ju quan të lum, ju dhashtë hirin të shkoni gjithnjë përpara, pa e humbur kurrë guximin, duke u rritur në dashuri ndërmjet jush e me të gjithë”.

Zoti hap rrugë në shkretëtirë

Po Françesku i njeh mirë edhe vuajtjet e këtyre emigrantëve të krishterë, larg shtëpisë, larg të vetëve e, ndoshta, edhe me pasiguri për të ardhmen. Kujtoi, prandaj, përvojën e Shna Ndout Abat, nismëtarit të madh të monakizmit në shkretëtirë, ku për shumë kohë jetoi i sulmuar nga errësira. Pastaj Zoti e ngushëlloi, duke i kujtuar se kishte qenë gjithnjë pranë tij. Atëherë Shën Andou e pyeti: “Ku ishe? Pse nuk u duke më shpejt për të më çliruar nga vuajtja”. E Zoti gjegji: “Isha këtu, Ndue!”. Gjatë ndonjë kohe të vështirë - vijoi Papa - mund të ndodhë të mendosh se je fill i vetëm. Por nuk duhet të harrosh kurrë se Zotin e ke gjithnjë përkrah teje, edhe pse nuk ndërhyn menjëherë për ta davaritur errësirën, që të rrethon. Sepse Zoti është specialist për të bërë gjëra të reja, specialist për të hapur rrugë  të reja në shkretëtirë!

Kështu përfundoi ky kremtim. Më mbushi plot me gëzim, tha Ati i Shenjtë në përfundim të Meshës, duke i falënderuar përsëri të gjithë. Me bindjen e plotë se ky Kremtim Eukaristik do të mbetet i skalitur përgjithmonë në zemrat e këtyre të krishterëve.  

05 shkurt 2019, 11:52