Përfundoi vizita e Papës në Emiratet Arabe. Ju falënderoj për pritjen e përzemërt

Papa pas ceremonisë së lamtumirës në Abu Dabi, u nis drejt Romës. Në telegramin dërguar Sheikh Khalifa bin Zayed Al-Nahyan, Papa shkruan: “Ju falënderoj për pritjen e ngrohtë, të përzemërt, fisnike e ju siguroj se lutem për Ju dhe kërkoj mbi të gjithë, bekime të begata hyjnore!”

R. SH. - Vatikan

Në orën 12.50 (9.50 me tonën) Papa Françesku arriti në aeroportin presidencial të Abu Dabit, ku u mbajt ceremonia e lamtumirës. Për ta përcjellë Atin e Shenjtë Bergoglio kishte dalë princi trashëgimtar, shehu Mohammed bin Zayed Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin; prefekti i  Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri; prefekti i Kongregatës për ungjillëzimin e popujve, kardinali Fernando Filoni; zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Edgar Peña Parra; sekretari i Këshillit papnor për dialogun ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot; delegacioni i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe grupi shoqërues vendas i përshëndetën Papën dhe Princin trashëgimtar. Më pas Françesku ngjiti shkallët e avionit B787 të ‘Ethiad! Avioni, me Papën në bord, u shkëput nga aeroporti i Abu Dabit, për të nisur fluturimin e kthimit, rreth orës 13.23 me orën vendase (10.23 me tonën). Arritja në aeroportin e Romës-Ciampino parashikohet për orën 17.00.

Menjëherë pas nisjes nga Abu Dabi, Papa Françesku i dërgoi Lartësisë së Tij,  Sheikh Khalifa bin Zayed Al-Nahyan, president i EBA, një telegram, në të cilin shkruhet: “Duke u larguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, përsëris vlerësimin tim për Lartësinë Tuaj, për Qeverinë dhe popullin e Emirateve. Ju falënderoj për pritjen e ngrohtë, të përzemërt, fisnike e ju siguroj se lutem për Ju dhe kërkoj mbi të gjithë, bekime të begata hyjnore!”.

05 shkurt 2019, 13:30