Kërko

Papa, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe Papa, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe  

Papa Françesku u kthye në Romë: “Vëllazërim e paqe, në perspektivën e Zotit!”

Në orën 16.14 avioni Etihad Airways, ardhur nga Abu Dabi, u ul në Aeroportin romak të Ciampinos. Përfundoi, kështu, shtegtimi i 27-të apostolik i Papës. Para se të kthehej në Vatikan, vizita Zojës, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

R. SH. - Vatikan

Pak më parë se pritej, avioni Etihad Airways i Kompanisë kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, u ul në aeroportin Romë-Ciampino. Në orën 16.14 përfundoi shtegtimi i 27-të apostolik i Papës Françesku, me moton e frymëzuar nga fjalët e para të lutjes  së Shën Françeskut: “Më bëj, o Zot, mjet të paqes sate!”. Si arriti në Ciampino, para se të  rikthehej në Vatikan, vizita tradicionale, që nuk mungon kurrë në kthimet nga udhët e afërta e të largëta. Papa u ndalua për disa çaste në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për një lutje falënderimi drejtuar Zojës Salus Populi Romani, së cilës, që nga fillimi i papnisë, ia beson gjithnjë shtegtimet e tij, të afërta e të largëta!

Telegrame vendeve, mbi të cilat fluturonte avioni

Menjëherë pas Papës, u nisën edhe një sërë telegramesh drejtuar vendeve, mbi hapësirën ajrore të të cilave shkiste avioni arab. Telegramin e parë, menjëherë pas nisjes nga Abu Dabi, Papa ia dërgoi Lartësisë së Tij,  Sheikh Khalifa bin Zayed Al-Nahyan, president i EBA. Në të shkruhet: “Duke u larguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, përsëris vlerësimin tim për Lartësinë Tuaj, për Qeverinë dhe popullin e Emirateve. Ju falënderoj për pritjen e ngrohtë, të përzemërt, fisnike e ju siguroj se lutem për Ju dhe kërkoj mbi të gjithë, bekime të begata hyjnore!”. Mbretin e Bahrainit, shehun Hamad Bin Isa Al-Khalifa, Françesku e siguroi se lutet për të. Në telegramin drejtuar mbretit të Arabisë Saudite, Salman Bin Abdul Aziz Alsaud, uroi bekime të begata. Lutje, për Egjiptin, në mesazhin drejtuar presidentit Abdel Fattah Al-Sisi, ndërsa presidentit grek Prokopis Pavopoulos, urime për paqe. Së fundi, presidentit të Shtetit italian, Sergio Mattarella, Papa i kujtoi se do të lutet në mënyrë të veçantë për të e për Italinë: “Duke u kthyer nga Emiratet e Bashkuara Arabe - shkruhet në telegram - ku munda të takoj të krishterët dhe përfaqësues të feve të tjera, morëm së bashku angazhimin për të ecur në të njëjtën udhë harmonie e solidariteti”.

05 shkurt 2019, 18:02