2019-02-03-viaggio-apostolico-emirati-arabi-u-1549295046523.JPG

Papa në Abu Dabi: fetë të jenë roje të vëllazërimit

Sot, dita e dytë e shtegtimit të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Pallatin Presidencial u mbajt ceremonia e mirëseardhjes, pasuar nga vizita zyrtare princit trashëgimtar. Pasditja iu kushtua dialogut ndërfetar, në skenën e Xhamisë së Madhe, ku është varrosur themeluesi i kombit, shehu Zayed. Këtu Françesku u takua me Këshillin mysliman të Pleqve.

R. SH. - Vatikan

Françesku, lajmëtar i paqes, i dialogut e i vëllazërimit universal, hyri sot pasdite në njërën nga xhamitë më të mëdha  të botës, që të takohej me ata, të cilët në Abu Dabi, angazhohen të krijojnë lidhje tolerance e paqeje ndërmjet bashkësive myslimane, në kundërshtim me kërcënimet e sektarizmit e të dhunës. Ishte takim privat, ky i Papës me Muslim Council of Elders, në skenën  madhështore të Xhamisë së Shehut Zayed. Më pas takimi me 700 përfaqësues të feve të ndryshme nga e gjithë bota, në Konferencën Ndërfetare kushtuar vëllazërimit njerëzor.

Al Salamò Alaikum - me këtë përshëndetje në gjuhën arabe, që përmbledh gjithë mesazhin e këtij shtegtimi të parë e të jashtzakonshëm të Papës në këto vise, nisi edhe fjalimi i Françeskut në Konferencën ndërfetare e ndërkombëtare, në Founder’s Memorial, ku Ati i Shenjtë mbajti një fjalim historik.

Fjalët e para ishin falënderime e përshëndetje, drejtuar të pranishmëve, gjithë vendit, e jo vetëm:

“Dëshiroj të shpreh vlerësimin për angazhimin e këtij  vendi lidhur me tolerimin dhe garantimin e lirisë së kultit, duke i bërë ballë ekstremizmit dhe urrejtjes. E duke bërë kështu, ndërsa promovon lirinë themelore të  praktikimit të besojmës së secilit, vigjilon që feja të mos manipulohet e të arrijë deri në atë pikë sa, duke pranuar dhunën e terrorizmin, të mohojë vetveten”.

Më pas, fjalë të tjera prekëse:

“Nga atdheu juaj u flas të gjitha vendeve të gadishullit, të cilëve dëshiroj t’u  drejtoj përshëndetjen më të përzemërt, plot miqësi e nderim”.

Histori, që nis tetë shekuj më parë…

Papa kujtoi se kjo miqësi e ky nderim i kanë rrënjët thellë në histori, e pikërisht, tetë shekuj më parë, kur Françesku i Asizit takohej me sulltanin al-Malik al-Kamil. Në frymën e kësaj historie, fjalët e Papës:

“Vij këtu si besimtar i etur për paqe, si vëlla, që kërkon paqen me vëllezërit. Ta duash paqen, ta promovosh paqen, të jesh mjet i paqes: jemi këtu  pikërisht për këtë” – kujtoi Papa, që përshkroi, më pas, logon tejet simbolike të këtij shtegtimi, me dy simbole domethënëse: pëllumbin dhe  rremin e ullirit në sqep. Figurë e cila na kujton përmbytjen universale.

Barka e Noes- simbol sa i lashtë, aq modern

Françesku vijoi të kujtojë barkën e Noesë, duke e sintetizuar historinë biblike e duke theksuar se edhe ne kemi nevojë të hyjmë së bashku, si një familje e vetme, në një barkë, që mund të çajë pa frikë detet plot me dallgë të botës: në barkën e vëllazërisë!

Pikënisja, për Papën: të pranosh se Zoti është  në zanafillë të mbarë familjes njerëzore:

“Por Krijuesin nuk mund ta nderosh, pa mbrojtur shenjtërinë e çdo njeriu,  të çdo jete njerëzore: secili është njëlloj i çmuar para syve të Zotit. Prandaj çdo njeriu i duhen njohur të njëjtat të drejta, në emër të Zotit Krijues”.

Prej këndej duhet dënuar çdo formë e dhunës, si fyerje e rëndë e Emrit të Zotit, e përdorur për të justifikuar urrejtjen kundër vëllait. Nuk ka dhunë, që mund të shfajësohet nga feja:

“Së pari, duhet të pranosh se Zoti është në zanafillë të familjes së vetme njerëzore. Ai, që është krijues i gjithkujt e i gjithçkaje, dëshiron të jetojmë si vëllezër e motra, duke banuar në shtëpinë, që na e dhuroi… Në planin krijues hyjnor, të gjithë kemi të njëjtin dinjitet. Askush nuk mund të jetë padron a skllav i të tjerëve. Nuk mund të nderohet Krijuesi, pa mbrojtur shenjtërinë e çdo njeriu e të çdo jetë njerëzore”.

Këtë theksoi Papa, duke kujtuar armikun kryesor të vëllazërimit: individalizmin. Për të vijuar me dy pyetje, që shqetësojnë mendjen e  zemrën njerëzore: “Si mund të ushqehet një vëllazërim jo teorik, por i vërtetë? Si mund të jenë fetë kanale vëllazërie, e jo mure ndarjeje?”.

Familja njerëzore dhe guximi  i alteritetit

Nëse besojmë në ekzistencën e familjes njerëzore - nënvizoi Papa -  domethënë besojmë se ajo duhet ruajtur. E duhet pranuar plotësisht tjetri,  duke ia mbrojtur lirinë e të drejtat e tij themelore, kudo e kurdoherë. Sepse  pa liri, nuk mund të jesh bir i familjes njerëzore, por skllav. E, ndërmjet lirive, Papa nënvizoi posaçërisht atë fetare, duke theksuar se nuk kufizohet vetëm me lirinë e kultit, por shikon në tjetrin një vëlla të vërtetë, një bir të së njëjtës natyrë njerëzore, që Zoti e lë të lirë e që, prandaj, asnjë institucion njerëzor nuk mund ta  dhunojë, as në emrin e Tij!

Pastaj Françesku foli për dialogun e lutjen, edukimin e drejtësinë, për t’u ndaluar rishtas tek vëllazërimi, lajtmotiv i fjalimit të tij të parë, mbajtur gjatë takimit ndërfetar në Founder’s Memorial. E, pas figurës së vëllazërimit, u frymëzua nga një figurë tjetër, ajo e shkretëtirës, që shndërrohet në vend të begatë e mikpritës. Këtu - kujtoi - shkretëtira, nga pengesë e pakapërcyeshme, u bë vend takimi ndërmjet kulturave e feve. Shkretëtira lulëzoi, jo vetëm për disa ditë të vitit, por edhe për shumë e shumë vite, që do të vijnë:

“Ky vend, ku takohen rëra e rrokaqiejtë, vijon të jetë udhëkryq ndërmjet Perëndimit e Lindjes, Veriut e Jugut të Planetit, vend zhvillimi, ku hapësirat një herë e një kohë të pashkelshme, krijojnë vende pune për njerëz të kombeve të ndryshme”.

Ky, vlerësimi i Papës për këtë vend, për të theksuar, më pas, se vetëm zhvillimi i gjithanshëm krijon një ardhmëri të denjë për njeriun. Ndërsa indiferenca pengon, nuk shikon të nesërmen, nuk i bëhet vonë për ardhmërinë e krijimit, nuk do t’ia dijë për dinjitetin e të huajit, nuk kujdeset për ardhmërinë e fëmijëve:

“Në këtë kontekst - kujtoi Papa  - gëzohem që pikërisht këtu, në Abu Dabi,  po mbahet Forumi i parë i Aleancës ndërfetare për bashkësi më të sigurta, me temën  e dinjitetit të fëmijës në epokën dixhitale. Kjo ngjarje  është përgjigje, që i jepet mesazhit të nisur nga Roma, nga Kongresi ndërkombëtar mbi të njëjtën temë, të cilin unë e pata mbështetur e inkurajuar”.

Prej këndej, Papa i siguroi të pranishmit se në këtë drejtim do të kenë mbështetjen e  plotë të tijën e të Kishës Katolike.

Falënderim për mikpritjen e të krishterëve

Më pas preku një temë tjetër, me vlerë të madhe aktuale. Këtu, në shkretëtirë - theksoi - u hap një udhë e frytshme zhvillimi që, duke nisur nga puna, u jep shpresë shumë njerëzve nga popuj e kultura të ndryshme. Ndërmjet tyre, edhe shumë të krishterë, të cilët përveç aftësive profesionale, sjellin këtu edhe fenë e tyre, duke punuar e duke jetuar në një komb, që i përfshin e i përqafon të gjithë.

Vëllazërmi i kundërvihet me të gjitha forcat fjalës “luftë”.

Në përfundim Papa theksoi se përfaqësuesit e feve të ndryshme e kanë për detyrë ta zhdukin çdo ngjyrim të miratimit të fjalës “luftë”, duke kujtuar se ajo vijon të jetë e pranishme në shumë vende: nga Jemeni, në Siri, Irak,  Libi e gjetiu:

“T’i kundërvihemi logjikës së fuqisë së armatosur, monedhizimit të marrëdhënieve, armatosjes së kufijve, ngritjes së mureve,  shtypjes së të varfëerve: të gjitha këtyre t’u kundërvëmë forcën e ëmbël të lutjes e të angazhimit të përditshëm për dialog. Ky takim i sotëm le të jetë mesazh besimi e inkurajimi për të gjithë njerëzit vullnetmirë. Zoti është me njeriun, që kërkon paqe. E, nga qielli, e bekon çdo hap që bën në këtë udhë, përmbi tokë!”.  

Kjo thirrja e fuqishme e Papës, që jehoi sot gjatë takimit ndërfetar në Founder’s Memorial - Memoriali i Themeluesit, në Abu Dabi.

04 shkurt 2019, 17:11