Kërko

Vatican News

Papa në katedrale: gëzim për mua, kur vizitoj Kishat e reja

Në etapën e parë të ditës së tij të fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Papa Françesku vizitoi privatisht katedralen e Shën Jozefit, një nga dy kishat e vetme katolike në Abu Dabi. Vendosi në altar lulet, që ia dhuroi një familje dhe u lut. Së fundi, përshëndeti 300 besimtarët e pranishëm, duke i falënderuar për dëshminë e tyre të fesë.

R.SH. - Vatikan

Dita e fundit e shtegtimit të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe iu kushtua krejtësisht grigjës së vogël të katolikëve, që banojnë në Abu Dabi e në vende të tjera të Gjirit Persik. Në mëngjes, Ati i Shenjtë përshëndeti nuncin apostolik, imzot Francisco Padilla, një grup fretërish kapuçinë e meshtarësh të vikariatit apostolik të Arabisë Jugore, si edhe personelin, shoqëruar nga vikari, imzot Paul Hinder.

Në katedrale, bashkësia, famullitari dhe vikari apostolik

         Me një makinë të mbuluar, Papa përshkoi udhën prej 1 kilometri e gjysëm, që e ndante pallatin Al Mushrif (rezidenca e tij e këtyre ditëve) nga katedralja e Shën Jozefit, njëra nga dy kishat e vetme katolike në Abu Dabi. Tjetra është kisha e Shën Palit në Musaffah. Në katedralen, që nuk ka shenja të krishtera jashtë - as kambanore dhe as kryq - Papa Bergoglio u prit me duartrokitje të fuqishme nga anëtarët e bashkësisë katolike dhe nga autoritetet kishtare.

“Është gëzim për mua të vizitoj Kishat e reja si e juaja”

Papa hyri në procesion në navatën qendrore. Një familje i dha një tufë me lule, që Françesku i vendosi në altar. Pas një çasti lutjeje, Bergoglio përshëndeti besimtarët, duke nënvizuar gëzimin e tij për faktin se po vizitonte një Kishë të re si ajo e Emirateve. Ati i Shenjtë i falenderoi katolikët për dëshminë e tyre. Pastaj i bekoi, ndërsa të gjithë emocionoheshin e mallëngjeheshin e, më pas, shkoi në stadiumin Zayed, ku e prisnin më se 180 mijë vetë për kremtimin e meshës.

Terreni i kishës, dhuruar nga guvernatori i Abu Dabit

         Kisha e parë, në vendin ku tani ngrihet katedralja, daton në vitin 1962, e është ndërtuar mbi një terren të dhuruar nga guvernatori i Abu Dabit, shehu Shakhbut. Guri i parë u bekua në vitin 1964, ndërsa përurimi i krejt kompleksit daton më 19 shkurt 1965. Në vitin 1981, kisha u zhvendos në pozicionin e saj aktual. Dy vjet më vonë, më 25 shkurt 1983, u bë katedrale në shërbim të Vikariatit apostolik të Arabisë Jugore.

Famulli për më shumë se 100 mijë besimtarë

         Sipas të dhënave të fundit, katedralja e Shën Jozefit mbledh rreth vetes më se 100 mijë besimtarë nga 901 mijë të pranishmit në Emirate, në fund të vitit 2017. Vijnë nga anë të ndryshme të botës, prandaj, meshët kremtohen në arabisht, anglisht, frëngjisht, tagalog, malajalam, në gjuhën singaleze, urdu e tamil. Në vitin 2013, një pjesë e kompleksit famullitar u shemb për të ndërtuar salla e zyra të reja për meshtarët e personelin e shërbimit.

05 shkurt 2019, 13:06