Kërko

Papa Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe Papa Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe 

Papa Françesku në Abu Dabi: feja në Zotin nuk ndan, por bashkon

Papa Françesku, lajmëtar i paqes në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sot, dita e dytë e udhëtimit të 27-të apostolik të Atit të Shenjtë, pasi mbërriti mbrëmë në Abu Dabi. Ditë, gjatë së cilës Papa mori pjesë e foli në Takimin ndërfetar mbi “Vëllazërimin njerëzor”, ku ishin të pranishëm rreth 700 krerë fesh të ndryshme.

R.SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë, së bashku me Imamin e Madh të Al Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, autoriteti më i  lartë teologjik per islamin sunit, foli për Zotin e vetëm, kërkoi dialog e lutje, por edhe edukim e drejtësi, me bindjen se Hyji i ndihmon njerëzit e paqes. Në fund, të dy krerët nënshkruan një Deklaratë të përbashkët historike, siç është historike edhe vizita e vetë Atit të Shenjtë në Gadishullin Arabik.

Ceremonia e mirëseardhjes e takimi me princin trashëgimtar

Në orën 9.00 (sipas orës evropiane, 12.00 vendase), Papa u prit nga princi trashëgimtar, shehu Mohammed bin Zayed Al Nahyan, 57 vjeç, i biri i shehut Zayed bin Sultan Al Nahyan, “atë i kombit” dhe president i parë i Emirateve. Takimi privat me princin trashëgimtar zgjati rreth 20 minuta. Ndërsa nënshkruante Librin e Nderit, Papa falenderoi për mikpritjen e ngrohtë e më pas, shkëmbeu dhuratat. Bergoglio dhuroi një medalje, që përshkruan takimin ndërmjet Shën Françeskut dhe sulltanit Al-Malik al-Kamil, episod i 800 vjetëve më parë (1219), treguar në kapitullin e nëntë të “Legenda Maior”. Në sfond, paraqiten flakë zjarri. Poshtë, mbishkrimi latin i udhëtimit apostolik: “Më bëj mjet të paqes tënde”. Nga ana e tij, shehu Mohammed bin Zayed Al Nahyan i dha Papës një akt noterial të 22 qershorit 1963, me të cilin dhurohej toka për ndërtimin e kishës së parë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vizita në Xhaminë e Madhe të shehut Zayed

         Në orët e para të pasdites (sipas orës evropiane), Ati i Shenjtë shkoi për vizitë në Xhaminë e Madhe të shehut Zayed, vendi më i rëndësishëm i kultit për Emiratet e një nga xhamitë më të mëdha të botës, ku mund të hyjnë deri në 40 mijë besimtarë. Papa pati një takim privat me anëtarët e Këshillit Mysliman të Pleqve, kryesuar nga vetë Imami i madh i Al Azharit, organizator i Konferencës mbi vëllazërimin njerëzor, që u mbajt në Memorialin e Themeluesit. Ati i Shenjtë mbërriti aty në orën 15.10 (sipas orës evropiane).

Papa mban fjalim në Konferencën ndërfetare mbi vëllazërimin njerëzor

         Fillimisht, përshëndetën princi trashëgimtar e Imami i Al Azharit, pastaj, e mori fjalën Papa Françesku, ndjekur nga projektimi i një videoje mbi vëllazërimin njerëzor. Siç e thamë, në përfundim, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët, ndërsa rreth orës 16.10, Ati i Shenjtë u kthye në rezidencën e caktuar për të, në Pallatin prestigjoz Al Mushrif, ku para darkës, përshëndeti familjen e princit trashëgimtar.

04 shkurt 2019, 16:51