Kërko

Papa Françesku, Imami i Madh i al Azharit Ahmad al-Tayyib, princi Mohammed bin Zayed al Nahyan, shehu Mohammed bin Rashid al Maktoum Papa Françesku, Imami i Madh i al Azharit Ahmad al-Tayyib, princi Mohammed bin Zayed al Nahyan, shehu Mohammed bin Rashid al Maktoum 

“Çmimi i tolerancës” për Papën dhe Imamin e Madh, në Abu Dabi

Papës Françesku dhe Imamit të Madh të al Azharit iu dorëzua një çmim, krijuar enkas për të nderuar ata, që punojnë në favor të bashkimit të njerëzve.

R.SH. - Vatikan

“Sot kremtojmë së bashku nënshkrimin e ‘Dokumentit mbi Vëllazërimin njerëzor’. Është çast historik, që thekson sidomos rëndësinë e dialogut plot respekt e mirëkuptim jo vetëm ndërmet ndjekësve të dy feve të përfaqësuara sot këtu, por edhe ndërmjet të gjithë njerëzve, të të gjitha besimeve”. Kështu deklaroi shehu Mohammed bin Rashid Al Maktoum, zv.president dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe, në përshëndetjen e tij, në emër të presidentit, shehut Khalifa bin Zayed Al Nahyan, në takimin ndërfetar kushtuar vëllazërimit njerëzor në Abu Dabi, para se të fliste Imami i Madh i al Azharit dhe Papa Françesku.

Krijohet Çmimi i Vëllazërimit Njerëzor

“Emiratet e Bashkuara Arabe - theksoi - janë thellësisht të kënaqur që shërbejnë si shtyllë e skenë për këtë ngjarje të jashtëzakonshme”. “Jam gjithashtu i lumtur – tha Al Maktoum - të njoftoj krijimin e ‘Çmimit të Vëllazërimit Njerëzor - nga Dar Zayed’. Synimi i tij është nderimi i të gjithë atyre, që punojnë pa u ndalur e me ndershmëri për të bashkuar njerëzit. Sot, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nderin t’ia japin këtë çmim Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku dhe Hirësisë së Tij, dr. Al-Tayyib për përpjekjet shembullore dhe të vendosura në promovimin e paqes ndërmjet popujve të gjithë botës”.

Lart flamurin e vëllazërimit njerëzor

“Shenjtëria juaj, Hirësia juaj, miq të shquar – shtoi Al Maktoum – u mblodhëm në këtë ditë historike për të ripohuar, si Emirate të Bashkuara Arabe, impenjimin tonë solemn për të mbajtur lart flamurin e vëllazërimit njerëzor dhe për ta mbrojtur atë gjithmonë. Betohemi jo vetëm të vazhdojmë t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për ta bërë më paqësor rajonin tonë, por edhe ta çojmë përpara më tej këtë impenjim. I yni është betim vëllazërimi, tolerance dhe dialogu. Paqja dhe bekimet qofshin me ju të gjithë”.

04 shkurt 2019, 18:41