Kërko

Vatican News

Papa Françesku: dialogu ndërmjet Krishterimit dhe Islamit të jetë faktor vendimtar për paqen!

Në audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar shtegtimit të sapopërfunduar në Emiratet e Bashkuara Arabe, e në mënyrë të posaçme Dokumentit të rëndësishëm ndërfetar mbi vëllazërimin, për paqen, nënshkruar në ato vise, Papa e quajti gjithë këtë “Shtytje e fortë për të ecur përpara në dialog”.

R. SH. - Vatikan

“Ishte shtegtim i shkurtër, por tejet i rëndësishëm që, duke u rilidhur me takimin e 2017-tës në Al-Azhar të Egjiptit, shkroi një faqe të re në historinë e dialogut ndërmjet Krishterimit dhe Islamit si dhe të angazhimit për të promovuar paqen në botë, mbi bazën e vëllazërimit njerëzor”.

Kështu e quajti Papa, në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme shtegtimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, që sapo përfundoi. E Provania - u kujtoi Papa 7 mijë besimtarëve, që e ndiqnin katekizmin - deshi që 800 vjet pas vizitës së Françeskut të Asizit në trojet e sunduara nga sulltani al-Malik al Kamil, këtyre viseve të shkelte një Françesk tjetër. “Mendova shpesh për Françeskun, gjatë këtij shtegtimi - u  tregoi Papa besimtarëve, që e ndiqnin me kureshtje të madhe rrëfimin kaq të jashtëzakonshëm. - Më ndihmoi ta shtrëngoj fort për zemër Ungjillin, ta ndjej fuqimisht dashurinë për Jezu Krishtin, ndërsa jetoja çaste nga më të ndryshmet, gjatë vizitave. Bisedoja, e kisha në zemër Ungjillin e Krishtit. Flisja, e në buzë kisha lutjen drejtuar Atit për të gjithë bijtë e vet, e posaçërisht për më të varfërit, për viktimat  e padrejtësive e të luftërave, për të lënët pas dore në mes të mjerimit:

“E, sidomos, lutesha që dialogu ndërmjet Krishterimit e Islamit të jetë faktor vendimtar për paqen në botën e sotme".

Kështu, thënë me dy fjalë, e përshkroi Papa vizitën e tij, në emër të vëllazërimit, në Emiratet, që i quajti “udhëkryq ndërmjet Lindjes e Perëndimit, oazë shumetnike e shumëfetare, domethënë vend tejet i përshtatshëm  për të promovuar kulturën e takimit”.

Prej këndej, Françesku i shprehu mirënjohjen e tij Presidentit dhe autoriteteve si dhe ipeshkvit Paul Hinder, mëkëmbës apostolik në Arabinë Jugore “për përgatitjen dhe organizimin e kremtimeve në gjirin e bashkësisë katolike, pa harruar edhe meshtarët, rregulltarët e laikët, që e mbajnë gjallë praninë e krishterë në këto troje”.

Pata rastin të takoj priftin e parë,  që shkeli atje, sot nëntëdhjetëvjeçar. Është në karrikë me rrota - kujtoi Papa - i verbër, por me një buzëqeshje që i pikon nga buzët. Buzëqeshje, e cila buron nga një zemër, që diti t’i shërbejë Zotit, ashtu si deshi e do vetë Ai i Lumi. Zemër, që diti të bëjë vetëm mirë!

Falënderimi i Papës, pastaj, u shtri mbi të gjithë meshtarët, që i shërbejnë kësaj bashkësie, me rite të ndryshme, ardhur “nga Libani, India, Filipinet e vise të tjera, më të largëta”.

Dokumenti kushtuar “Vëllazërimit njerëzor”.

Gjatë shtegtimit, plot me të papriturat e Zotit, Papa dhe Imami i Madh i Al-Azhar, nënshkruan, në Abu Dabi, Dokumentin kushtuar “Vëllazërimit njerëzor”, përmes të cilit ripohuan “thirrjen e të gjithë burrave dhe grave,  që të jenë vëllezër, sepse të gjithë janë bij e bija të Zotit”, dhe dënuan “çdo formë e dhunës, posaçërisht ajo që fshihet pas Fjalës së Fesë”:

“Në një epokë si jona, në të cilën është i fortë tundimi për të parë ndeshje ndërmjet qytetërimit të krishterë e atij islamik, si dhe për t’i konsideruar fetë si burim konfliktesh, deshëm të japim një shenjë të re, të qartë e të vendosur, që tregon se të takohesh është plotësisht e mundur. E mundur, edhe të respektohesh e të dialogosh e se, pavarësisht nga larmia e kulturave dhe e traditave, bota e krishterë e ajo islamike i vlerësojnë dhe i ruajnë vlerat e përbashkëta: jetën, familjen, ndjenjat fetare, nderimin për pleqtë, edukimin e të rinjve e sa e sa të tjera”.

Ky dokument do të studiohet në shkollat dhe universitetet e shumë vendeve. Por ju porosis edhe ju - e kjo ftesë e Papës na drejtohet të gjithëve - ta lexoni e ta njihni, sepse të jep shumë shtytje për të ecur përpara në dialogun, mbi të cilin ngrihet i gjithëdëshiruari “Vëllazërimi njerëzor”.

06 shkurt 2019, 13:42