Kërko

2019.01.15 San Francesco d'Assisi e il Sultano d'Egitto AL-Kamil nell'anno 1219 2019.01.15 San Francesco d'Assisi e il Sultano d'Egitto AL-Kamil nell'anno 1219 

Papa: emëron kard. Sandri, të dërguarin e tij në Egjipt për 800-vjetorin e takimit të Shën Françeskut me Sulltanin

Më datën 23 shkurt 2019, Papa emëroi kard. Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore, të dërguarin e tij të posaçëm në kremtimet e 800 vjetorit të takimit ndërmjet Shën Françeskut të Asizit dhe Sulltanit Al-Malik Al-Kamel, që do të zhvillohet në Egjipt nga data 1 deri në 3 mars .

R.SH. - Vatikan

Më datën 23 shkurt 2019, Papa emëroi kard. Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore, të dërguarin e  tij të posaçëm në kremtimet e 800 vjetorit të takimit ndërmjet Shën Françeskut të Asizit dhe Sulltanit Al-Malik Al-Kamel, që do të zhvillohet në Egjipt nga data 1 deri në 3 mars . Njoftimin e emërimit - që mban datën e 23 shkurtit – e dha sot Zyra e Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke njoftuar se kard. Sandri do të shoqërohet nga një mision papnor i përbërë nga dom Hani Bakhoum, vikar patriarkal dhe atë Kamal Labib, ministër i Provincës françeskane të Familjes së Shenjtë në Egjipt.

Në Letrën dërguar kardinalit Sandri, Papa Bergoglio e  kujton varfanjakun e Asizit (shën Françeskun) si "njeri të paqes", i cili i nxiste fretërit e tij t’i përshëndesnin njerëzit siç kërkon Jezusi: «Zoti të dhashtë paqen». Shën Françesku - shkruan Papa -  e pati kuptuar me zemër se të gjitha gjërat u krijuan nga një Krijues, i vetmi që është i mirë, dhe se "të gjithë njerëzit kanë në Të një Atë të përbashkët". Prandaj, "dëshironte t’u çonte të gjithë njerëzve, me shpirt të gëzuar dhe të zjarrtë, lajmin" e dashurisë së patregueshme të "Zotit të gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm", i cili "dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të arrijnë te njohuria e plotë e së vërtetës" (1 Tm 2,3-4). Për këtë arsye, i ftonte  fretërit që ndjeheshin të thirrur nga Zoti, të shkonin në mesin e Saracenëve dhe në mesin e jo-të krishterëve të tjerë, pavarësisht nga rreziqet.

Vetë Françesku i Asizit - kujton Papa - duke marrë me vete një shok, me emrin Illuminato, u nis për në Egjipt në vitin 1219. Në Damietta, pranë Kajros, u takua me sulltanin. Para pyetjeve të kreut Saraçen, "shërbëtori i Zotit Françesku, u përgjigj me zemër të patrembur se ishte dërguar jo nga njerëzit, por nga Shumë i Larti Zot, për t’i treguar atij dhe popullit të tij, rrugën e shpëtimit dhe për të shpallë Ungjillin e së vërtetës" . Dhe "Sulltani, duke parë entuziazmin e  admirueshëm të shpirtit dhe virtytet e njeriut të Zotit, e dëgjoi me shumë kënaqësi " (Shën Bonaventura, Legenda Maior, 7-8).

Papa i kërkon kard. Sandri  t’ua çojë "përshëndetjen e tij vëllazërore" të gjithëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Ati i Shenjtë Bergoglio uron që askush të mos bie më në tundimin e dhunës, veçanërisht, "nën pretekstin fetar", por përkundrazi, të realizojë "projektet e dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit" që "i çojnë njerëzit drejt bashkimit vëllazëror", duke përhapur paqen dhe të mirën sipas fjalëve të Isaisë profet: «Një popull nuk do ta ngritë më shpatën kundër një populli tjetër, dhe më s’do të ushtrohen për luftë » (Is 2,1-5). Papa e përfundon letrën dërguar kardinalit Sandri duke i bekuar të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë "ngjarje të paharrueshme" dhe "të gjithë organizatorët e dialogut ndërfetar dhe dialogut të paqes".

Gjithçka nisi në vitin 1219, me një takim, në Aleksandri të Egjiptit. Takoheshin dy njerëz, që besohej se nuk kishin asgjë të përbashkët: Françesku i Asizit me Sulltanin e Egjiptit, Melek Al Kamil. Në një kohë kur të krishterët nuk mund as të shkonin të luteshin në viset, ku zu fill feja e tyre, krishterimi. E popujt e perëndimit ndesheshin për jetë a vdekje me ato të Lindjes, në ato ndeshje, që mbetën në histori me emrin kryqëzatat.

Ishte rrënimi i Varrit të Jezusit nga ana e kalifit Hakim, në vitin 970 pas Krishtit, që i ndezi shpirtrat në Perëndim dhe i hapi portën epokës së kryqëzatave, domethënë luftës dhe gjakderdhjes. Pikërisht në këto kohë, ngarkuar me ngacmime nga të dyja palët, Françesku u nis drejt botës lindore, për t’u takuar me Sulltanin. Dhe u takua. Miqësisht. Aq sa nxori prej tij lejën që Françeskanët të hynin e të dilnin lirisht në Tokën Shenjte, madje të ishin kujdestarë e mbrojtës të përhershëm të kësaj Toke e të simboleve të saj të papërsëritshme. E që asokohe, françeskanët   vijojnë të jenë roje të viseve ku lindi, predikoi, u kryqëzua e u ngjall Krishti. 

Të bësh paqe, është si të imitosh pakëz Zotin. Paqja shkon gjithnjë përpara, nuk ndalet kurrë, “është pjellore”, nis nga shpirti e rikthehet në shpirt, pasi ta ketë kryer udhën e paqëtimit - theksoi Papa Françesku. E të bësh paqe, është si të imitosh sadopak Zotin, kur bëri paqe me ne dhe na fali, na dërgoi të Birin - Jezusin për të bërë paqe, për të qenë Princ i paqes. T’i lutemi, pra, Zotit të na ndihmojë të ndërtojmë paqen në shpirt, në familje, në shkolla, në lagje, në vendet ku jetojmё e punojmë. E të bëhemi të gjithë burra e gra të paqes kudo nё botё, na kёrkon Papa.

Ja një lutje e Shën Françeskut të Asizit:
“O Zot, më bëj mjet të Paqes tënde:
Ku ka urrejtje, bëj që unë të çoj Dashurinë.
Ku ka fyerje, të çoj Faljen.
Ku ka mosmarrëveshje, të çoj Bashkimin.
Ku ka dyshime, të çoj Fenë.
Ku ka gabime, të çoj të Vërtetën.
Ku ka dëshpërim, të çoj Shpresën.
Ku ka trishtim, të çoj Gëzimin.
Ku ka errësirë, të çoj Dritën.
O Mësues, bëj që unë të mos kërkoj aq:
Të ngushëllohem, se sa të ngushëlloj.
Të kuptohem, se sa të kuptoj.
Të duhem, se sa të dua.
Sepse
Duke dhënë, merr;
Duke falur, falesh;
Duke vdekur, ringjallesh për Jetën e Amshuar” .

28 shkurt 2019, 15:29