Kërko

 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa: askush nuk është vetëm, sepse Zoti nuk mund të na harrojë

Edhe nëse prindërit tanë, fatkeqësisht, nuk do të na donin, e edhe nëse të gjitha dashuritë tona tokësore do të thërmoheshin, prapë se prapë nuk do të mbeteshim kurrë pa dashuri. Sepse dashuria e Zotit për ne është e pambaruar.

R. SH. - Vatikan

Njerëzit e kërkojnë dashurinë që kur hapin sytë për dritën e kësaj bote. Lindin lypës për dashurinë. Rriten, pastaj, dhe provojnë se lidhjet e  dashurisë janë plot me kufizme dhe egoizëm, dëshirë për sundim e manipulime. Dashuria njerëzore është mësallë me dy faqe, lulëzon shpejt e po aq shpejt edhe fishket e flaket. Të gjithë e kemi provuar këtë. Kemi dashur me hope, me gjysëm zemre.

Në katekizmin e sotëm të  audiencës së përgjithshme duke vazhduar ciklin mbi "Atë Ynë"-n, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku bëri një analizë ekzistenciale kushtuar dashurisë njerëzore. Duke kujtuar se, veç saj, ekziston edhe një dashuri tjetër: ajo e Atit, që është në qiell, për të cilën askush nuk duhet të dyshojë. Zoti na do. Zoti më do - përsëriti Papa- duke kujtuar se edhe po të mos na donin ati as nëna jonë - hamendje historike kjo – është një Zot në qiell, që na do, ashtu si nuk na ka dashur as nuk mund të na dojë askush. Nga qielli, Ai na pëshpërit: “Të dua si askush s’të ka dashtë!”:

“Dashuria e Zotit është e përhershme. Thotë Izaia profet - dëgjojeni, se është e bukur kjo – ‘Thua mund ta harrojë gruaja foshnjën, sa të mos kujtohet fare për krijesën e përmbrendcave të veta? Po edhe nëse ajo do të të harronte, unë ty nuk të harroj kurrë! Shih, të kam shestuar në pëllëmbët e duarve të mia’ (49, 15-16). Sot është në modë tatuazhi. ‘Mbi duart e mia të shestova. Bëra tatuazhin tënd mbi duart e mia. Unë jam në duart e Zotit. E asgjë në botë nuk mund ta shlyejë fytyrën time! Dashuria e Zotit është si dashuria e nënës, që nuk mund të harrohet kurrë. Apo mund të harrohet? Edhe nëse ajo të harron - unë nuk të harroj kurrë, thotë Zoti. E kjo është dashuria e përkryer e Zotit. Kështu na do Perëndia të gjithëve”.

Prandaj edhe në u thërmofshin të gjitha dashuritë tona tokësore, aq sa të na mbetet në pëllëmbë vetëm pluhur e hi, dashuria e Zotit nuk do të thërmohet kurrë. Do të mbetet e zjarrtë, në amshim - nënvizoi akoma Françesku.

Dashuria e Zotit është e pashoqe

Për t’u lutur, duhet të hysh në misterin e “atësisë së Zotit”, në vetëdijen se “Zoti është yt atë”. E kjo na nxit vetvetiu të mendojmë për figurat e prindërve tanë,  që duhet t’i pastrojmë në një farë mënyre, t’i bëjmë pakëz më të rafinuara. E këtë na e kujton edhe Katekizmi i Kishës Katolike, ku shkruhet: “Asnjë nga ne nuk ka pasur prindër të përkryer, e as ne nuk  do të jemi kurrë prindër a barinj të përkryer”. Sepse - shpjegoi Papa - marrëdhëniet tona të dashurisë janë të ndotura nga dëshira për pushtet mbi tjetrin ose për manipulim e, prej këndej, shpesh deklaratat e dashurisë shndërrohen në ndjenja zemërimi e armiqësie. “Çudi!? Këta të dy javën e kaluar çmendeshin për njeri-tjetrin. E sot urrehen për vdekje!”. Këtë situatë e ndeshim për ditë - vërejti Papa - sepse nganjëherë dalin në pah rrënjët e hidhura, që i kemi brenda vetes, e bëjnë hatanë. Prandaj, kur flasim për Zotin si atë, Papa na nxit të shkojmë përtej figurave të prindërve tanë.

Dashuria e Zotit ndryshon rrënjësisht nga ajo e njeriut

Dashuria e Zotit është dashuri e Atit, që është në qiell, siç na e mëson Jezusi në Atynë. Dashuri e përkryer, të cilën mbi tokë e shijojmë vetëm në mënyrë të papërkyer. Shprehja “në qiell” nuk tregon largësinë “por ndryshimin rrënjësor të dashurisë së Zotit, një përmasë tjetër të saj. Kjo shprehje flet për një dashuri të palodhshme, që nuk ndërron e as nuk mbaron kurrë. Mjafton të thuash “Atynë, që je në qiell” - kujtoi Papa  - e kjo dashuri zbret menjëherë në shpirtin tënd:

“Mos u tremb, prandaj! Asnjëri nga ne nuk është kurrë vetëm. Nëse për fat të keq ati yt tokësor mund të të harrojë e ti ta urresh, në vend që ta duash, ti mos harro se je bir i shumëdashur nga një tjetër Atë. Se Zoti të do me një dashuri  të apasionuar, të cilën nuk ka gjë në botë që mund ta shuajë”.

Dashuria njerëzore, vesë që avullohet në agim

Gjatë katekizmit, Françesku shpjegoi edhe si jetohet dashuria: “Burrat e gratë janë pambarimisht lypës të dashurisë. Kërkojnë me etje një vend, ku  më në fund ta provojnë shijen e saj. E kërkojnë, po nuk e gjejnë. Sa miqësi e sa dashuri të zhgënjyera takojmë në këtë botë - nënvizoi me keqardhje Papa, duke cituar më pas Simpoziumin e Platonit, për të kujtuar zotin grek të dashurisë, absolutisht më tragjiku, aq sa nuk merret vesh mirë është engjëll apo djall. E mitologjia shpjegon se është i biri i Poris e Penias, domethënë, i Dinakut e i Varfanjakes, duke na ndihmuar ta përfytyrojmë kështu, edhe portretin e prindërve të dashurisë. Kjo na bën të mendojmë për natyrën e dyfishtë të dashurisë njerëzore, që është e aftë të lulëzojë menjëherë e menjëherë edhe të fishket e të vdesë. Ozea Profet, pastaj, na e kujton kështu ligështinë e dashurisë: “Dashuria juaj është si reja e mëngjesit e si vesa e agimit, që zhduket në çast”. Me fjalë, të tjera, dashuria jonë është premtim, i cili vështirë se mbahet; përpjekje, që avullohet tejet shpejt,  ashtu si vesa, që avullohet sapo shkrep rrezja e parë. Të gjithë e kanë provuar këtë tip dashurie, të ligshtë, me hope, me gjysëm zemre:

“Pikërisht ‘etja jonë për dashuri’, që të gjithë e ndjejmë në shpirt, është ftesë për ta njohur Zotin Atë. Nëpër këtë përvojë kaloi edhe shndërrimi i Shën Augustinit, i cili e kërkonte ndërmjet krijesave, çka asnjë nuk mund t’ia jepte, derisa njohu Zotin!”.

Takimi me besimtarët e Beneventos

Sot paradite, para audiencës së përgjithshme, Papa u takua, në  Bazilikën e Shën Pjetrit, me besimtarët e kryedioqezës së Beneventos. Gjatë përshëndetjes drejtuar shtegtarëve të gjuhës italiane, në përfundim të katekizmit, kujtoi se të premten e ardhshme do të kremtohet festa e Katedrës së Shën Pjetrit Apostull dhe u kërkoi të luten për të e për ministerin e  tij, që  t’i përforcojë gjithnjë e gjithkund vëllezërit në fe”.

20 shkurt 2019, 13:31