Kërko

2019.02.13 Udienza Generale 2019.02.13 Udienza Generale 

Një javë me Papën e Kishën katolike

Një javë me Papën e me Kishën katolike: nga fjalimi i Françeskut drejtuar Ifad, tek marrëdhëniet e rregulltarëve me politikën, diskutimi i kardinalit Parolin për fenomenin e emigracionit, problem për mbarë Evropën e njoftimi i Atë Hans Zollner për Takimin që do të mbahet në Vatikan nga 21 deri më 24 shkurt.

R. SH. - Vatikan

Papa kërkon rrugë konkrete, për t’i dhënë fund varfërisë

Thirrje për “të gjetur rrugëzgjidhje konkrete e reale, në betejën kundër urisë e varfërisë”. Ia drejtoi Papa bashkësisë ndërkombëtare, të enjten e kaluar, përmes fjalimit mbajtur në gjuhën spanjolle para Këshillit të Guvernatorëve të Ifad, pranë selisë romake të Faos. Françesku nxit promovimin e protagonizmit të popullsive fshatare e autoktone, përmes “metisiatit kulturor”, domethënë bashkëpunimit të ngushtë, që nuk bën dallime ndërmjet popujve e nuk i klasifikon në popuj të klasit të parë, të dytë e edhe më tej akoma, në popuj që vdesin nga uria, në një kohë kur toka mëmë ka ushqim për të gjithë, pa asnjë dallim.

Papa: “Ungjilli është shprehje politike, por, për klerikun, nuk do të thotë militim partiak

“Teologjia e çlirimit, edukimi i të rinjve në këtë kohë, marrëdhëniet ndërmjet jezuitëve dhe politikës”. Këto, disa nga temat e prekura  nga Papa në bisedën private me 30 jezuitë të provincës qendramerikane, ndërmjet të cilëve, 18 novicë. Takimi u mbajt gjatë shtegtimit të Papës në Panama, për DBR-në. Njoftimin e jep atë Antonio Spadaro, i pranishëm në takim, në numrin e fundit të revistës “Qytetërimi Katolik”, të cilën e drejton. Numri i ri i revistës doli  dje.

Tre, problemet globale, me natyrë politike, që u vunë në dukje nga Papa: i pari, ai i formave të reja të kolonizimit, posaçërisht atyre me natyrë “ideologjike e kulturore”. I dyti, atmosfera shqetësuese, e ngarkuar me mizori e urrejtje, që ndjehet fuqimisht në qytetet tona. Ndërsa i treti, i lidhur ngushtë me drejtësinë, me atë drejtësi, që kërkon vetëm “dënim, pa shpresë”. Ungjilli është shprehje politike, sepse lidhet me popullin, me polis-in, me shoqërinë, me çdo njeri, që i përket shoqërisë - u shpjegoi Françesku të pranishëmve: “Angazhim politik, për një rregulltar, nuk do të thotë të militojë në gjirin e një partie politike… Detyra e tij është të qëndrojë mbi partitë. Por jo si ai, që i lan duart. Detyra e rregulltarit është t’i shoqërojë palët, që të arrijnë pjekurinë, duke u kujtuar këndvështrimin e doktrinës së krishterë”.

Zoti është i mirë me të gjithë, edhe me të këqijtë

“Shenjtorë a mëkatarë, jemi të gjithë vëllezër! E të gjithëve na do i njëjti Atë. Ai, që bën të lindë dielli i Tij mbi të mirët e mbi të këqijtë. I do të gjithë, Ati! Të mësojmë nga Zoti, që është gjithnjë i mirë me të gjithë, në kundërshtim me ne, që jemi të mirë vetëm për kë na pëlqen”. Papa Françesku e vijoi kështu ciklin e katekizmit kushtuar Atynës e, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, duke u ndaluar posaçërisht tek një aspekt i vështirë për t’u kuptuar nga logjika e njeriut, edhe e atij që ka fe të gjallë: tek dashuria e Zotit për njeriun. Për çdo njeri. Dashuri, që nuk është vetëm sentimentale, por përdëllyese, konkrete. Dashuri për të gjithë, edhe për ata njerëz, që në dukje, nuk e kërkojnë Zotin, sepse Zoti i kërkon pikërisht ata, më shumë se të gjithë.

Emigrantët: kardinali Parolin  diskuton për fenomenin e emigracionit, problem për mbarë Evropën

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin,  duke u takuar me kryeministrin italian Conte, diskutoi për problemin e mprehtë të integrimit të emigrantëve. E theksoi se fenomeni “nuk është problem vetëm për një vend, por për mbarë Evropën”.

Takimi u zhvillua në një atmoferë interesimi nga ana e të dyja palëve. E kujtoi këtë vetë kardinali Parolin, duke biseduar me gazetarët në përfundim të takimit, në Pallatin Borromeo, seli e Ambasadës së Italisë pranë Selisë së Shenjtë, të mërkurën e kaluar (13 shkurt), me rastin e kremtimit të përvjetorit të Pakteve Lateranense dhe të Akordit të rishikimit të Konkordatit, në praninë e personaliteteve më të larta institucionale të Shtetit italian e të Kishës katolike.

“U nisëm nga koncepti i përfshirjes për shtresat më të ligështa të popullsisë. Temë, kjo, për të cilën është folur e flitet shumë - theksoi kardinali Parolin - e shtoi: “Natyrisht  nuk mungojnë mjetet, të cilat krijojnë kushte për këtë përfshirje e që mund të jenë edhe sfumatura të vogla. Edhe tema e emigrantëve ishte ndër më të diskutuarat, posaçërisht në këndvështrimin e integrimit - shpjegoi kardinali Parolin: “Ngulmuam shumë, që të mos harrohej integrimi, duke pasur parasysh se ekzistojnë një mori problemesh. Po ky ka shumë rëndësi e duhet t’u përkasë të gjithëve. Selia e Shenjtë ka theksuar gjithnjë “se problemi i emigrantëve nuk i përket një vendi të vetëm, por mbarë  Evropës”.

Hirësia e Tij vuri në dukje edhe se gjatë takimit dypalësh u prekën nga pak të gjitha temat ndërkombëtare, që janë vërtet të shumta. E, përsa i përket krizës në botë - kujtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - u nënvizuan përkimet lidhur me rrugëzgjidhjet paqësore të shumë krizave në vijim.

Atë Hans Zollner flet për Takimin që do të mbahet në Vatikan nga 21 deri më 24 shkurt

Atë Hans Zollner, anëtar i Komisionit vatikanas kundër pedofilisë dhe kryetar i Qendrës për mbrojtjen e të miturve pranë Universitetit Papnor Gregorian, u paraqiti këto ditë gazetarëve vijat kryesore të samitit mbi mbrojtjen e të miturve në Kishë, që do të mbahet në Vatikan, sipas dëshirës së Papës Françesku, nga 21 deri më 24 shkurt. “Përgjegjësia e ipeshkvijve, masat organizative e transparenca: këto, tri temat, që do trajtohen në takim, nga kryetarët e Konferencave ipeshkvnore të mbarë botës”. Papa Françesku, që është tejet i interesuar për problemin  dhe e ndjek nga afër përgatitjen e takimit, do të jetë i pranishëm. E, përsa i përket dëgjimit të viktimave, mendohet se duhet të dëgjohen edhe në shtëpi e jo vetëm këtu. Kjo është një etapë e re e impenjimit të Kishës për t’iu kundërvënë fenomenit të pedofilisë dhe për mbrojtjen e të miturve.

Comece: mesazh për zgjedhjet. Ftesë për pjesëmarrje në votime, në dobi të shtëpisë së përbashkët

Më pak se njëqind ditë na ndajnë nga zgjedhjet evropiane: më të priturat, e edhe më të diskutuarat e Parlamentit Evropian, që kur, në vitin 1979, pikërisht para 40 vjetësh, Asambleja komunitare u zgjodh për herë të parë me votime universale. Më pak se njëqind ditë - numëruar duke nisur nga 13 shkurti - mbeten për të arritur tek 23 maji, kur qytetarët hollandezë do të nisin vallen e votimeve evropiane që, sipas traditës, do të  vijojë katër ditë.

Në prag të votimeve të 23-26 majit, Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian shpërndau një tekst, përmes të cilit theksohet se Kisha e mbështet “shtëpinë e përbashkët,” edhe pse nuk është e përkryer, duke kërkuar të vihet njeriu në qendër të politikës. Kërkon edhe reformat e nevojshme e prek disa tema-kyçe: atë të familjes, të emigracionit, të zhvillimit, të të drejtave të gjithë qytetarëve.

Një ftesë e fuqishme, ajo për të mbështetur procesin e integrimit evropian edhe përmes këtyre votimeve. Comece i fton të krishterët të marrin pjesë në ndërtimin e së mirës së përbashkët, pa shikuar  interesat e veçanta e as ato kombëtare: “U drejtojmë një thirrje  të gjithë qytetarëve, të rinj e  pleq, të votojnë e të angazhohen edhe gjatë periudhës para-zgjedhore, ashtu si gjatë votimeve evropiane” - theksojnë.

Mesazhi, që niset njëqind ditë para votimit për zgjedhjet e reja të Parlamentit Evropian, titullohet: “Të rindërtohet bashkësia evropiane” (Rebuilding community in Europe)

Imzot Oliverio: “Të  mbrohet parimi i larmisë, në unitetin e fesë”

“Kisha arbëreshe është protagoniste në çështjen e madhe të ribashkimit të të krishterëve. Shën Pali VI i pati quajtur besimtarët arbëreshë pararendës të ekumenizmit modern. Pra, ne si Eparki, duhet të mendojmë në mënyrë ekumenike, ta jetojmë ekumenizmin, të nxjerrim fryte ekumenike nga fakti që jemi katolikë të ritit bizantin”. Këtë thekson ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, me rastin e 100-vjetorit të Eparkisë.

16 shkurt 2019, 16:47