Cerca

Vatican News
 Pamje  e jashtme e Qytetit-Shtet të Vatikanit Pamje e jashtme e Qytetit-Shtet të Vatikanit 

Një autoritet kundër korrupsionit për Selinë e Shenjtë

Ati i Shenjtë miraton statutet e reja të Zyrës së Revizorit të Përgjithshëm në Vatikan, duke e ngritur në rangun e autoritetit kundër korrupsionit.

R. SH. - Vatikan

Është paragrafi 3 i Nenit të parë të Statutit të ri, që ndryshon nga Statuti i mëparshëm, në fuqi që nga viti 2015, pas themelimit të Këshillit për Ekonominë, me Motu Proprion Fidelis dispensator et prudens të 24 shkurtit 2014,  me të cilën krijohej zyra  e Revizorit të Përgjithshëm.

Në këtë nen lexohet se kjo zyrë “është autoritet antikorrupsion” në përputhje me konventën e Meridës (Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme, më 31 tetor 2003), në fuqi për Selinë e Shenjtë që nga 19 tetori 2016. Këtë nënvizon, në komentin e tij para mikrofoneve të Vatican-News, Drejtori ynë editorial, Andrea Tornielli:

Më shumë pushtet Revizorit

Një e re tjetër, që e thekson vetë Tornielli, nënvizuar në relacionet e Statuteve të Reja, nënshkruar nga Papa më 21 janar - në fuqi që nga 16 shkurti 2019 - është fuqizimi i funksionit të Revizorit, detyrë që sot kryhet  përkohësisht nga doktor Alessandro Cassinis Righini. Sipas Statutit të ri, “Revizori i përgjithshëm ka të drejtë të kërkojë e të marrë nga Entet dhe Administratat informacionet e dokumentet e natyrës ekonomike ose administrative, të nevojshme për të kryer revizionimin”. Ka kompetencë  edhe për çdo tip tjetër procedure të revizionimit, që e quan të arsyeshëm, sipas rrethanave. Pasi ta ketë kryer veprimtarinë e tij, Reviziori  duhet të informojë Këshillin për Ekonominë, Autoritetin e Informimit Financiar dhe t’i bëjë të ditur Autoritetit Gjyqësor të Shtetit të Qytetit të Vatikanit çdo lajm lidhur me shkeljet e mundshme, të zbuluara gjatë veprimtarisë së tij.

09 shkurt 2019, 17:04