Kërko

 Shën Krispino nga Viterbo, Shën Krispino nga Viterbo,  

Më 3 mars Papa do të vizitojë famullinë e Shën Krispinos nga Viterbo

Në një komunikatë, Vikariati i Romës njofton se të diel, Papa do të takohet me bashkësinë e Kishës së Rrugës Offanengo 6, në Labaro, sektori verior. Zemra e vizitës do të jetë Mesha. Papa do të takohet edhe me të rinjtë, të pastrehët, të sëmurët e të gjymtët.

“Ka shumë entuziazëm e dëshirë për ta takuar Papën. Të gjithë po japin ndihmesën, që ta bëjmë shtëpinë tonë sa më mikpritëse”. Me këto fjalë, famullitari i Shën Krispinos nga Viterbo, don Luciano Cacciamani,  përshkruan emocionet e bashkësisë së tij në këto orë, në prag të takimit me Papën Françesku: “Është çast inkurajimi, që na nxit për të bërë gjithnjë më shumë e gjithnjë më mirë - vijon - e për të mos u ndjerë kurrë të izoluar. Do të jetë edhe rast i përshtatshëm për të afruar tek feja njerëz që tani janë larguar”.

Etapa e takimit dhe përgatitja

Papa Françesku do të arrijë rreth orës 16.00 e do të pritet nga kardinali Angelo De Donatis; nga ipeshkvi-ndihmës i sektorit verior, imzot Guerino Di Tora; famullitari, don Luciano Cacciamani; zëvendës-famullitari, don Andrea Lamonaca dhe nga të gjithë meshtarët, që shërbejnë në Shën Krispino. Papa Bergoglio do të takohet posaçërisht me fëmijët, që përgatiten të marrin Kungimin dhe Krezmimin, si dhe me të rinjtë e grupeve të pas-Krezmimit dhe të oratorit. Më të vegjlit - siç njofton një komunikatë e Vikariatit të Romës - do ta presin Pasardhësin e Shën Pjetrit me një këngë e një letër, ndërsa më të mëdhenjtë, do t’i drejtojnë disa pyetje.

Më pas, takimi me prindërit e fëmijëve, që kanë marrë ose do ta marrin Sakramentin e Pagëzimit, pasuar nga një takim tjetër, që Papa e ka shumë për zemër: ai me të pastrehët, që ndihmohen nga Karitasi famullitar dhe bashkësia e Shën Egjidit. Me ta do të jenë edhe disa vullnetarë. E akoma, takimi me të sëmurët dhe njerëzit me kufizime të Shën Krispinos si dhe me meshtarët e bashkësisë. Kulmi i të gjithave, pas rrëfimit të disa besimtarëve, kremtimi I Meshës. Për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjerë, para famullisë do të vendoset  një ekran i madh.

E, në përpjekjen t’u përgatitur sa më mirë për vizitën, sot, në orën 19.00, bashkësia e Shën Krispinos nga Viterbo do të lutet për paqen, sipas ndjeteve të Papës, gjallëruar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Ndërsa të premten e ardhshme është në program adhurimi eukaristik, i orientuar nga disa shkrime të Papës Françesku.

25 shkurt 2019, 15:47