Vatican News
 Shën Mëhilli Kryeengjëll Shën Mëhilli Kryeengjëll  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Leksiku papnor-reflektim mbi fjalët e Françeskut. Sot, fjala “djall” …

Një nga fjalët, që e ndeshim shumë shpesh në fjalorin e Françeskut, e edhe në fjalorin e së folmes së përditshme, është fjala me ngjyrimet më negative të mundshme “djall”, në gjithë larminë e formave të veta, në fjalorin e Papës, ashtu si të gjuhës njerëzore, edhe të asaj shqipe. E kujtoi Ati i Shenjtë përsëri këto ditë, në homelinë e mbajtur në Shën Martë, më 8 shkurt 2019, kushtuar fundit të Gjon Pagëzuesit.

R. SH. - Vatikan

Dikur fjala “djall” ishte e gjithëpranishme në botë. Ndonëse njerëzit  kishin frikë ta shqiptonin, ndaj, në vend të saj, përdornin shpesh eufemizmat. E quajtën djallin “dreq, djallush, shejtan, shnjallë, kjoftëlargu, shpifësi, bubazheli, engjëlli rebel, ai që u djegtë ndër ferra”… Krijuan fjalë e togfjalësha, si djallëzi, djallëzisht, djallëzoj, i djallëzuar… epitetet “dreqi vetë”; “Djall me brirë”, … Shprehjet: “I ka hi dreqi në bark; “Djalli bën tenxheren, por jo kapakun”; “Është shok me djallin” “Dreq me brena”;“Asht ma mirë me të rrahë ejlli, se me të lëmue dreqi”; “Ku ban dreqi voe”… e doemos, edhe më të rëndat në familjen ogurzezë të mallkimeve. Pak a shumë me këto trajta bredh edhe sot e kësaj dite nëpër faqet e  fjalorit të shqipes.

Pastaj u duk sikur djalli u fsheh…

E pati nga ata, që besuan se nuk ekzistonte. Se ishte trillim i njerëzve të Kishës. Ndoshta nga që edhe Papët e kohëve moderne, si Benedikti XVI,   vijuan të na rikujtonë se “Ferri ekziston, dhe se është i amshuar për ata, që e mbyllin zemrën për dashurinë e Zotit”.

E Gjon Pali II që, sipas kardinalit francez Martin, pati praktikuar ekzorçizmin, siguronte: “Dënimi nuk është vend fizik, po gjendje, në të cilën ndodhet kush largohet vullnetarisht nga Zoti”.

Pastaj erdhi Papa Françesku i cili, të nesërmen e zgjedhjes, i rikujtoi  kohës së vet, që gati-gati e ka harruar se ka kund djall, ndonëse i sillet gjithnjë nëpër këmbë: “Kush nuk i lutet Zotit, i lutet dreqit!”.

Dhe e rikujtoi edhe në Meshën, kremtuar më 8 shkurt 2019 në Shën Martë, kushtuar fundit të Gjon Pagëzuesit, sigurisht vepër e djallit, hyrë në korpin e tre personazheve të kësaj tragjedie: mbretit të çmendur, që donte vetëm veten; gruas djallëzore, që e urrente Profetin e balerinës djallushë, që kërkoi kokën e tij, në një ambient krejtësisht të korruptuar. E ku ka korrupsion, aty është edhe djalli! Aty jeta është e  ngarkuar jo vetëm me mëkatin e shkeljes së kurorës, por edhe me gjithfarë padrejtësish të tjera. Jeta bëhet nyje tepër e ngatërruar, që nuk zgjidhet dot!   Sepse frymëmarrja e shejtanit është urrejtja - na rikujtoi Papa - Djalli nuk di të dojë, nuk mund të dojë. Është i gatuar i tëri vetëm nga urrejtja. Ka shpirtin shejtanor të urrejtjes, që shkatërron”. E ai, si pat bërë me Krishtin, bën edhe me ne të gjithë. Na pëshpërit në vesh fjalët:  “Nëse ti do të më adhurosh, do të të jap gjithçka, gjithë mbretërinë”. Pas këtyre fjalëve fshihet shejtani, mbjellësi i korrupsionit, në shpirtin e mbretit- domethënë, në shpirtin e sundimtarëve, që adhurojnë paranë e pushtetin.

Djalli ishte, e është, i pranishëm edhe ndër shqiptarët, që e përfytyrojnë në shumë forma e me shumë dukje. Edhe me formën e shtatoreve. Madje shtatorja e parë që të binte dikur në sy në fund të katedrales së Shkodrës, ishte pikërisht ajo e qoftëlargut, nën thembër të Shën Mhillit, kuptohet. Pastaj djalli pati dalë nga shtatoret, për të nisur vallen makabre në gjithë vendin. Vrau e preu sa mundi, e mandej thanë se u zhduk. Madje, se nuk ekziston. Po ai u duk rishtas, në listën e kandidatëve për deputetë, e, natyrisht, edhe në fund të Kishës së madhe. E çka i çuditi më shumë njerëzit, është se shtatorja e tij e frikshme ishte e vetmja, që doli e pacënuar nga burgu i shtatoreve. Sepse në Shqipërinë komuniste edhe shtatoret burgoseshin, kur nuk thyheshin. Figura qe realizuar nga Kolë Idromeno, të cilit i patën pozuar dy shkodranë. Djalli ua mori mendjen deri në atë shkallë, sa shkonin rrugëve të Qytetit të Veriut, duke u mburrë se ishin dreqi vetë. Ai, që edhe sot e kësaj dite  vijon të endet në udhët e botës  I fshehur pas gjithfarë maskash. Kryesisht, pas maskës së njerëzve që i ngjasin tre personazheve përshkruar nga Papa në Meshën e Shën Martës: mbretit të korruptuar; zonjës së djallëzuar e vajzës që luante me koka të prera profetësh! E historia e tyre vijon të na kujtojë se atje ku jeton djalli, vdes jeta! 

17 shkurt 2019, 10:04